Tiranë, 7 dhjetor, NOA – Gjatë takimit të sotëm në Tiranë me ministrin e Drejtësisë, Bujar Nishan, Prokurori Federal i Mbretërisë së Belgjikës, Johan Delmule ka vlerësuar ligjin shqiptar “Antimafia”, si dhe ka shprehur dëshirën e thellimit të bashkëpunimit mes dy prokurorive asaj shqiptare dhe belge. Në kuadër të iniciativave ligjore, Ministri Nishani tha se “Ky ligj, godet asetet kriminale duke bërë të mundur, që personat dhe anëtarë të grupeve kriminale, që hetohen për veprat penale, nëpërmjet një procesi të veçantë t’u bllokohen asetet financiare të tyre.
“Kjo do të të bëjë të pamundur përdorimin e këtyre aseteve financiare për të ndikuar në procesin e gjykimit”, u shpreh ministri.
Përmes një njoftimi të MD-së, mësohet se prokurori federal vlerësoi lartë rolin mbështetës që Ministria e Drejtësisë së Shqipërisë jep në këtë bashkëpunim duke shërbyer si urë lidhëse mes institucioneve me qëllim realizimin e procedurave të përbashkata në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar. Biseda mes dy autoriteteve u përqendrua në ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe mes institucioneve të prokurorisë të dy vendeve tona si dhe rolin që luan Ministria e Drejtësisë në fushën e bashkëpunimit të ndërsjelltë gjyqësor mes Shqipërisë dhe Brukselit.
Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani i vuri në dijeni zyrtarët e lartë të Prokurorisë Federale rreth hapave, që ka ndërmarrë Ministria e Drejtësisë në fushën e përmirësimit të legjislacionit vendas, i cili u vjen në ndihmë organeve të specializuara për të luftuar krimin e organizuar dhe trafiqet ilegale.
Ai veçoi Ligjin për Bashkëpunimin Ndërgjyqësor i hartuar nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Prokurorinë e Përgjithshme si dhe punën e kryer deri më sot për vënien në zbatim të marrëveshjeve të bashkëpunimit me shtetet e evropiane dhe rajonale për ekstradimet dhe njohjen e vendimeve penale.
Prokurori Federal i Mbretërisë së Belgjikës, Johan Delmule e vuri në dijeni ministrin Nishani rreth bisedimeve që të dy prokuroritë e vendeve tona kanë për vendosjen e pikave të kontaktit të specifikuara sipas fushave të kooperimit dhe formalizimin e kësaj iniciative me një marrëveshje dypalëshe bashkëpunimi, për të cilën Ministri i Drejtësisë, Nishani ka shprehur gatishmërinë e tij për ta mbështetur.
Në delegacionin belg merr pjesë përveç Prokurorit Federal të Mbretërisë së Belgjikës, Johan Delmulle, edhe magjistrati federal Eric Bisschop, shefi i Sektorit Kundër Krimit të Organizuar si dhe Thomas Lanviroy, shefi i seksionit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Prokuorinë Federale të Mbretërisë së Belgjikës.
mit/NOA