English

Përmbytjet më masive në 150 vjet, Berisha: Askush të mos hedhë valle mbi fatkeqësinë

Shkodër, 7 dhjetor, NOA, Update – Kryeministri Sali Berisha duke i cilësuar përmbytjet e këtij dhjetori në Shkodër si situatën natyrore më dramatike të këtyre 150 viteve të fundit deklaroi se ndërsa banorët e përmbytur përballen me këtë fatkeqësi ciklike ka edhe nga ata që hedhin valle mbi fatkeqësinë. “Unë kam ndjekur me interes mendimet e specialistëve dhe i vlerësoj. Ato kanë qenë të përgjegjshme, të dobishme. Por kam ndjekur edhe spekulimet e atyre, që kanë menduar se do të mund të fitojnë kredibilitet politik, duke vallëzuar mbi fatkeqësinë. Por, valle mbi fatkeqësinë nuk hedh kush kurrë, sepse çdo komb e njeri i qytetëruar ka një kod, që këtë nuk e pranon. Atyre që përpiqen të krijojnë kapital politik u them më mirë, sesa të merreni me këtë, që nuk i shërben absolutisht, përpiquni t’i jepni ndonjë ndihmë qytetarëve në nevojë, se kjo është detyra e parë qytetare”, deklaroi kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile në Shkodër.

Kryeministri Berisha duke përgëzuar të gjithë drejtuesit e strukturave të shtetit dhe punonjësit e tyre, që po menaxhojnë situatën e rënduar të përmbytjeve me përgjegjësi të lartë e përkushtim maksimal, tha se “Së pari, edhe një herë dëshiroj të përshëndes dhe të përgëzoj shumë përzemërsisht qytetarët e Shkodrës, të nën Shkodrës dhe rrethinave për trajtimin me gjakftohtësi të situatës natyrore më dramatike që vendi ka përjetuar, ndofta në 150 vitet e fundit, të fatkeqësisë natyrore të përmasave më të mëdha, me të cilën Shqipëria është përballur në tërë ekzistencën e shtetit shqiptar”.

Ai e cilësoi përmbytjen e tanishme të Shkodrës si përmbytjen më masive të territoreve të gjera të vendit, që shënoi sikundër tha ai, mbi 14 mijë hektarë tokë nën ujë dhe mbi 40 përqind të qytetit të Shkodrës, e shpërndarë në zona të ngushta, por thellësisht agresive, pothuajse në të gjitha rrethet e vendit.

Sipas kryeministrit kjo ishte njëkohësisht një provë e madhe për të gjithë shtetin, administratën, emergjencën civile të këtij vendi. Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve të Shkodrës dhe zonave të përmbytura që në këtë moment të vështirë të organizohen mbi bazë pallati, në mënyrë që të gjithë të mund të asistohen në nevojat e tyre.

Ai u kërkoi të gjithë qytetarëve që kanë strehuar në familjet e tyre familje të evakuuara të bëjnë regjistrimin e tyre në qendrat e ngritura nga bashkia, në mënyrë që t’u vihet edhe atyre në ndihmë.

“Përgjegjësia qytetare është ajo që të detyron të mos mendosh vetëm për vete, por edhe për tjetrin, edhe për hyrjen tjetër, pallatin, rrugicën dhe qytetin. Ndaj të ngrihemi në këtë lartësi dhe ne do të furnizojmë pa asnjë vështirësi çdo familje, kudo që ndodhet, me gjërat më të nevojshme. Ky organizim në nivel pallati është i domosdoshëm, për ta përmbushur të plotë detyrën, ashtu siç duhet. Ne nuk duam të mbetet as edhe një familje e vetme e braktisur. Për çdo pallat të krijohet një grup, i cili do të paraqesë kërkesën, sa familje kanë, sa ushqim u duhet e çdo gjë tjetër dhe ne me varka do t’ua çojmë”, tha shefi i qeverisë.

Ai theksoi se “Me vetëmohim u arrit të parandalohen përhapje që do të ishin katastrofë për Lezhën, Kurbinin, u arrit të mbrohen e sigurohen nyjet nevralgjike të furnizimit me ujë të Shkodrës, të Durrësit dhe të zonave të tjera në tërësi. U arrit gjithashtu me një përpjekje të madhe të evakuohen mbi 12 mijë qytetarë, u arrit të bëhet maksimumi i mundshëm për të qenë të pranishëm aty ku është qytetari në vështirësi për ujë, ushqime, shërbim shëndetësor. U organizua një operacion evakuimi, ndër më të suksesshmit, u organizua një operacion sistemimi ndër më të gjerët”.

Kryeministri prezantoi projektet e mëdha që pritet të fillojnë në terma imediatë, por edhe në planin afatmesëm dhe afatgjatë, për t’i dhënë përgjigje përmbytjeve në qarkun e Shkodrës.

“Brenda muajve të parë të vitit që vjen do të fillojë ndërtimi i By pass-it të Shkodrës, projekti për të cilin ka përfunduar tërësisht. Projekti i By pass-it u rishqyrtua për t’u shndërruar në argjinaturë. Ky është një projekt i kushtueshëm, faktikisht, është si të ndërtosh një urë 13 kilometra të gjatë, madje në disa aspekte edhe më i komplikuar. Ndërtimi i By pass-it do të fillojë dhe do të jetë një ndër projektet e para që tenderohet me buxhetin e ri. Sapo të biem në ujdi me Malin e Zi fillon ndërhyrja e fazës së parë në lumin Buna. Faza e parë nënkupton heqjen e pengesave më evidente, të cilat nuk janë të pakta, pasi derdhja është një problem shumë serioz, që kërkon jo vetëm thellimin e Bunës, por edhe krijimin e kanalit në det, përndryshe thellimi mbyllet e bëhet i pavlerë. Edhe sot po vazhdojnë negociatat me Malin e Zi, që ka treguar gatishmëri të plotë në lehtësimin e kësaj situate”, nënvizoi kryeministri.

mit/NOA

KOMENTE