English

Rama: Përmbytjet nuk janë fatkeqësi natyrore, shteti po falimenton

Tiranë, 7 dhjetor, Update, NOA – Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama e ka cilësuar situatën e krijuar në gjithë vendin si fatkeqësi e ndodhur nga braktisja e detyrës nga shteti.

Përmbytjet, raportim minutë pas minute

“Gjatë gjithë kësaj periudhe kemi diskutuar me ekspertë të njohur të fushës, por i jemi referuar dhe analizave të bëra më parë si edhe programit tonë qeverisës. Qoftë edhe konsultat e fundit me ekspertë, apo dhe alternativa jonë qeverisëse e materializuar në programin tonë flasin fare qartë, për faktin se gjendja katastrofike është rezultat i braktisjes së detyrës nga ana e shtetit, jo sot, por prej 20 vitesh”, tha kreu i PS-së.

Duke folur në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar të PS-së, Rama u shpreh se ajo që po ndodh sot në vend, nuk mund të quhet fatkeqësi natyrore, por keqmenaxhim.

“Vetëm fatkeqësi natyrore nuk është kjo që ndodh në mënyrë të përsëritur, e cila është e jashtëzakonshme në përmasa, por fatkeqësisht dhe nuk ka si ndodh ndryshe, po bëhet e zakonshme si dukuri, sepse është momenti i ballafaqimit me falimentimin e shtetit të një politike të vjetër, të mbrapshtë, injorante”, tha Rama.

Kreu i PS-së u shpreh se vendi po rrezikon kënetëzimin. “Nuk bëhet fjalë për uragane dhe cuname, që kanë parashikueshmëri të ulët, por bëhet fjalë për shira”, tha Rama.

a.k/NOA

KOMENTE