Nga Anisa Ymeri
Në dukje madhështore, pjesë e qendrës historike të Tiranës, Akademia e Arteve çdo ditë përballet me telashet infrastrukturore të cilat nuk mund të mos shndërrohen në pengesë për studentë e pedagogë që çdo ditë qëndrojnë për orë të tëra në atelierë, studio e salla provash.
Prej dekadash ajo nuk i nënshtrohet një rikonstruksioni tërësor me gjithë projektet e paraqitura në institucionet shqiptare.
Rektori i Akademisë së Arteve Petrit Malaj nuk ngurron të shohë në sy realitetin për të treguar se shumëçka nuk është siç duhet në këtë institucion prej nga dalin emrat më të zëshëm të skenës shqiptare, prej nga varet e ardhmja e kulturës.
Malaj pohon se ‘prej vitesh ekziston një projekt i mirëfilltë, për rehabilitimin tërësor të godinës së Akademisë i cili ka shkuar në institucionet përkatëse’.
Dhe bëhet fjalë për një nga ato projekte që zgjidhin një herë e mirë problematikën e këtij institucioni në të cilin nuk është ndërhyrë prej dekadash. Godina, koridore e studio me imazh aspak të denjë, e kushte aspak të përshtatshme për të kryer mësimin, e ca më pak për të krijuar.
Fakulteti i Arteve të Bukura, ‘përjashtim’
Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Fakulteti i Arteve të Bukura, dikur më problematiku tani është tërësisht i rikonstruktuar, me fonde të mbledhura pak nga pak nga donatorë të ndryshëm. Nevoja për ndër hyrje ishte imediate. Në atelierët e skulpturës jo më larg se 1 vit më parë studentët punonin në kushte tepër të vështira. Sot, aty ndeshesh me një tjetër realitet.
Ky realitet ndeshet dhe në atelierët e Qeramikës e Grafikës apo tekstil-modës. Çdo kënd i këtij mjedisi ka pasur të njëjtin fat...!
Studiot e muzikës e salla e koreografisë
Kjo nuk ndodh me klasat e muzikës ku çdo ditë studentë dhe pedagogë ju duhet të zhvillojnë orët e mësimit. Në ditët e ftohta të stinës së dimrit, të jesh krijues në ato hapësira është thuajse mision i pamundur.
Asnjë ndërhyrje nuk është bërë prej dekadash as në Fakultetin e Artit Skenik. Klasat dhe studiot e provave janë me të njëjtat pajisje të trashëguara nga para viteve ‘90-të.
Një ndër sallat më problematike është ajo e koreografisë ku çdo ditë dhjetëra studentë ushtrohen. Ndeshesh me një realitet jo të zakontë!
Nevoja për ndërhyrje në mos qoftë emergjente, është domosdoshmëri për të vetmen shkollë të lartë të artit në vend.
Biblioteka e Akademisë
Unike në Shqipëri është edhe Biblioteka e Akademisë së Arteve. Aty gjenden partitura të kompozitorëve shqiptarë që prej viteve 1950-të. Drejtuesja e kësaj biblioteke tregon për rëndësinë e këtij institucioni brenda institucioni.
Drejtoresha e bibliotekës, Miranda Skënderasi tregon se pikërisht për unicitetin e saj, i duhet kushtuar shumë vëmendje.
Dixhitalizimi i tërë fondit të bibliotekës është emergjencë, pasi vetëm kështu ato mijëra kryevepra do të mund të ruhen dhe studentët mund të konsultohen elektronikisht me tërë pasurinë e saj.
Kësisoj, nëse në pamje të parë gjithçka flet për një bibliotekë me fond të pasur dhe unike, edhe aty investimet janë minimale.
Projekti 5 milionë euro
Gjithçka përkthehet në financim. Projekti për rikonstruksionin tërësor të këtij institucioni i cili parasheh të ruajë veçantësitë arkitekturore të godinës është i mirëkalkuluar ama fondet mungojnë.
Rektori i Akademisë, Petrit Malaj rrëfen se ‘projekti që ne kemi paraqitur është realizuar nga specialistë të mirëfilltë, përfshirë edhe arkitektë, pasi duhet të mos cenojmë arkitekturën e godinës. Bëhet fjalë për 5 milion euro. Mund të ngjajë një shifër e madhe, por kur bëhet fjalë për rehabilitim tërësor të akademisë, institucionit të vetëm të lartë të artit në vend, duhet të mbahet parasysh se DUHET...!’.
Numri në rritje i studentëve dhe dekadat që shkojnë kërkojnë një shkollë arti që të shkojë përkrah standardeve të shkollave evropiane të artit. E për këtë duhet vëmendje pasi aty gjendet e nesërmja e artit shqiptar.