English

Vetëvendosje: Shqiptari nuk e shet votën e tij kurrë

Pejë, 7 dhjetor, NOA - Në qytetin e Pejës, Lëvizja Vetëvendosje! zhvilloi një tubim me praninë e mbi 5000 qytetarëve të Pejës, të cilin e hapi Zanita Halimi, që i ftoi të pranishmit të hiqnin dyshimet mbi të ardhmen e tyre, pasi tashmë është e mundur të ndryshohet historia, duke vendosur vetë, duke votuar për Lëvizjen.

Ndërsa kandidati nga Peja i Lëvizjes Vetëvendosje, Florin Krasniqi e përshëndeti Pejën si “Shehri i Haxhi Zekës”, e në emër të rilindasit pejan i thirri bashkëqytetarët e tij të angazhohen së bashku me të për të sjellë një ndryshim cilësor në situatën aktuale, e cila shfaqet e rëndë dhe e padurueshme.

Florin Krasniqi tha se “Kosova nuk mund të mbetet peng i Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe i një grupi tjetër që po e qeverisin këtë vend që prej pasluftës”.

“Ne jemi për integrim në BE, por aty nuk mund të shkojmë të copëtuar e të shtypur, por vetëm si një shtet i bashkuar e me integritet, si një kombi barabartë me kombet e tjera”, tha ai.

Krasniqi tha më pas se populli i Kosovës, populli i Shqipërisë nuk ka për ta shitur gjakun e sakrificën e të parëve, nuk ka për ta shitur votën para tentativave të kujtdo për të blerë vota.

Ai shtoi se me votën e 12 dhjetorit do të mund t’i hapet rruga programit të Vetëvendosje!, këtij programi përparimtar që do të marrë parasysh nevojat më thelbësore të popullit shqiptar.

Në fund, para qytetarëve të Pejës foli Albin Kurti, i cili tha “pavarësia e Kosovës do të ishte dashur të ishte liri e qytetarit për shtetndërtim, e jo liri e pushtetarit për uzurpim të shtetit”.

Më pas Albin Kurti preku disa pika programore të Vetëvendosjes!.

Ai tha se “me pushtetin e saj, do të bëhet Kosova sovrane, me ushtri, me të drejtën për bashkim, me ndëshkueshmëri për çdo shkelës të ligjit.

n.e/NOA

KOMENTE