English

Vodafone: Ndihmë e menjëhershme për komunikimin e banorëve të prekur nga përmbytjet

Tiranë, 7 dhjetor 2010 NOA - Në përgjigje të situatës emergjente të krijuar nga përmbytjet në zonën e Shkodrës, në kuadër të nevojave emergjente për komunikim të familjeve të evakuuara dhe të prekura nga përmbytjet e ditëve të fundit, Vodafone Albania dhuron telefona dhe kohe bisede falas për mjekët e zonës dhe qendrat e strehimit të përkohshëm të të evakuuarve.

“Do t’iu përgjigjemi menjëherë njerëzve të prekur nga fatkeqësia natyrore duke vënë në plan të parë teknologjinë dhe shërbimet tona” – deklaroi sot Drejtori i Përgjithshëm i Vodafone Albania, Haris Broumidis.

Sipas Z. Broumidis, 20 qendra shëndetësore do të pajisen me aparate celulare me kohë bisede falas për t’iu vënë në dispozicion mjekëve të cilët punojnë në zonat me risk të madh përmbytjeje për të qenë në kontakt të vazhdueshëm me qendrat mjekësore të ngritura nga Ministria e Shëndetësisë.

Një sasi telefonash të tjerë me kohë bisede falas do të vendosen në ambientet ku janë strehuar familjet e evakuuara për t’iu mundësuar komunikimin me familjarët dhe të afërmit e tyre.

Në fillim të vitit 2010 me situatën e rënduar të përmbytjeve në zonën e Shkodrës, Vodafone dhuroi një fond prej 15 milionë lekë (115 000 Euro) për të ndihmuar familjet e prekura nga fatkeqësia e natyrës, fond i cili u menaxhua nga Kryqi i Kuq dhe Komiteti Ndërministror për Emergjencën.

Burime nga Vodafone thanë sot se kompania është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shtetërore për të përcaktuar nevojat për mbështetje shtesë ndaj komuniteteve të prekura nga përmbytjet.

e.r/NOA

KOMENTE