Shkodër, 8 Dhjetor 2010 NOA - Përfaqësues të Ambasadës së Republikës të Turqisë në Tiranë dhe të TIKA-s më datë 7 dhjetor 2010 inspektuan nga ajri me helikopterët turq rajonin e përmbytur dhe ndoqën veprimtaritë humanitare në ndihmë të të dëmtuarve.
Krahas operacioneve të ndihmës të realizuara nga helikopterët dhe personeli ushtarak turq i përbërë nga 21 vetë, Gjysmëhëna e Kuqe Turke do të dërgojë ndihma si çadra, batanije, barna, ushqime dhe veshmbathje.
Ndërkaq Administrata e Emergjencave Civile pranë Kryeministrisë së Republikës së Turqisë do të dërgojë një makinë ambulancë të pajisur me të gjitha aparaturat dhe një ekip mjekësor të përbërë nga 4 vetë.
Sot një përfaqësues i shoqatës humanitare turke `Kimse yokmu` bashkë me 3 mjekë vizituan Shkodrën dhe duke kontaktuar me përfaqësuesit e prefekturës kanë përcaktuar nevojat për ndihmë mjekësore, barna etj. Kjo shoqatë ka nisur një fushatë në të gjithë Turqinë për të dërguar ndihma në Shqipëri.
Grupi Çalik (Eagle, BKT dhe Albtelekom) ka dhuruar 50 mijë euro për të dëmtuarit nga përmbytjet. Eagle Mobile ka vënë në dispozicion numra falas për ekipin e shpëtimit që ka ardhur nga Turqia për ndihmë dhe ka nisur një fushatë sensibilizimi me SMS për mbledhjen e kontributeve të qytetarëve.
Edhe firma farmaceutike `Nobel` që vepron në Shqipëri është duke kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë për dhurimin e një sasie të konsiderueshme barnash.
e.r/NOA