English

Berisha investitorëve sllovenë: Investoni në Shqipëri, kemi taksat më të ulëta në Evropë

Tiranë, 8 dhjetor, NOA, Update – Kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor deklaroi sot se “Sllovenia po kërkon treg të ri në Evropë për të investuar në sektorë të ndryshëm dhe Shqipëria do të jetë në fokusin kryesor të investitorëve sllovene. Shqipëria është një vend ku mund të investohet pasi ofron lehtësira ekonomike, të cilat janë mjaft të nevojshme për investitorët. Dy qeveritë janë të vendosur të thellojnë bashkëpunimin në mënyrë që të krijohen lehtësira për biznesin”. Për këtë arsye, theksoi Pahor, ne vendosëm të ngrinim edhe Këshillin e Biznesit për të dy vendet, të cilët do të bashkëpunojnë ngushtë në nxitjen e investimeve.

Këtë deklaratë kryeministri slloven e bëri në prani të kryeministrit Berisha gjatë pjesëmarrjes në Forumin e përbashkët Ekonomik Shqipëri- Slloveni ku morën pjesë 107 përfaqësues nga të gjithë sektorët e biznesit slloven.

Kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor vlerësoi arritjet e Shqipërisë gjatë viteve të fundit ndërkohë dhe konfirmoi investimet e 20 kompanive sllovene, që do të fillojnë së shpejti aktivitetin në Shqipëri.

Ai tha edhe gjatë konferencës për shtyp se Shqipëria do të jetë destinacioni kryesor në Evropë, në të cilin Sllovenia do të fokusohet për investime.

Ndërsa kryeministri Berisha i bëri thirrje biznesit slloven të investojë në Shqipëri pasi do të gjejnë një vend me barrën fiskale më të ulët në Evropë.

“Unë jam për taksa të ulta, unë besoj në taksat e ulëta. Kështu është historia e karrierës sime, duke ardhur nga një background mjekësor me asnjë njohuri mbi taksat dhe politikat fiskale, idhulli im, frymëzimi im ishte Ronald Revag. Në atë kohë, unë lexoja fjalimet e tij dhe librat e tij, dhe kur bëhet fjalë që unë të marr vendime, kam vendosur barrën më të ulët fiskale në këtë vend. Në vitet 1992-1996 funksionoi në mënyrë të mrekullueshme, ne u bëmë një vend më një rritje dyshifrore dhe ju e dini që ne ishim absolutisht një vend i bunkerizuar më parë. Bunkerët ndodheshin kudo në fusha, në male, kodra dhe brigjet e këtij vendi, por bunkeri më i madh ishte në mendjen e njerëzve, të cilët ishin më të izoluarit. Mbasi u ktheva në pushtet, këtë herë jo si president por si kryeministër, iu ktheva politikave të mia”, theksoi kryeministri Berisha.

Ai u tha investitorëve sllovenë mandej se “Ju jeni të mirë pritur në vendin tim dhe e konsiderojë ketë si një zhvillim mjaft të rëndësishëm. Me kryeministrin Pahor kemi rënë dakord për të punuar shumë dhe për të hapur një kapitull të ri të shkëlqyer bashkëpunimi në marrëdhëniet tona miqësore. Ky kapitull ka nevojë më shumë se çdo gjë tjetër për kontributin dhe pjesëmarrjen tuaj. Unë dua t’ju siguroj juve, pavarësisht se niveli i marrëdhënieve ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare është larg nga potenciali i vet më i madh, mundësitë janë të jashtëzakonshme për një progres mjaft të shpejtë në këtë aspekt. Pothuajse në të gjitha fushat, në Shqipëri, ju mund të gjeni kompani sllovene: kompani sigurimi, ushqimi, ndërtimi dhe në shumë degë të tjera. Të gjithë, kudo që janë përfaqësojnë histori suksesi, dhe siç ju theksuat, fitoret dhe sukseset shkëlqejnë në çdo dimension. Ne politikanët e dimë më mirë këtë fakt dhe e respektojmë këtë gjë”.

Në këtë kontekst, ai i ftoi investitorët sllovenë të investojnë në potencialet e pashtershëm të energjisë.

“Unë ju ftoj që të merrni parasysh seriozisht investimin në vendin tim, për shkak të potencialit të jashtë zakonshëm të Shqipërisë. Ne kemi gjithashtu potenciale të mëdha të energjisë së ujit. Në këtë vend do të ndërtohen 220 hidrocentrale me një kapacitet total prodhimi prej 20 miliard kilovat orë. Qeveria ime me një ligj të jashtëzakonshëm mbi koncesionet, që nuk e lejon qeverisë të negocioj drejtpërdrejtë por parandalon dështimet. Investitorët, shumë të dhënë pas tij, arritën të nënshkruajnë kontrata për ndërtimin e 220 hidrocentraleve në të gjithë vendin dhe midis tyre projektin më të madh në Europë, kaskadën e Devollit, 1 miliard euro, të bërë nga EVN dhe Statgraft i Norvegjisë. Verbund po punon. Kompanitë tuaja kanë marrë kaskadat e lumenjve të alpeve, ka shumë punë për të bërë”, tha shefi i qeverisë.

Sipas tij ky treg i energjisë do të jetë një treg thithës për arsye të zhvillimit të shpejtë të rajonit tonë.

“Një treg thithës sepse fatmirësisht jemi përballë me Italinë dhe Italia është gjithmonë importuesi më i madh i energjisë. Ekziston një potencial i madh ere, ne kemi licensuar më shumë se 3 mijë mega vat, dhe jemi të gatshëm të licensojmë më shumë, pasi ne kemi lartësinë më të madhe mesatare në Europë dhe një bregdet shumë të gjatë, prandaj Shqipëria është shumë e përshtatshme, ka disa prej platformave të erës ndër më të mirat në Europë”, tha zoti Berisha.

Por, ai solli në vëmendje edhe bukuritë natyrore e turistike të Shqipërisë ende të pazbuluara e të paprekura nga këmba e turistëve dhe investimet e gjera.

“Vendi ynë është gati i virgjër kur bëhet fjalë për turizmin. Këtë vit erdhën gati 3.5 milionë turistë,92% e bregut tonë është për t’u zhvilluar. Adriatikut është bredgeti më ranor që mund të gjeni, Joni është shkëmbor, por gjithashtu është me ujin më të mirë që mund të imagjinoni. Vendi është jashtëzakonisht i pasur në trashëgimi kulturore. Në një pjesë të vogël toke, ju keni tre nga objektet e trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO-s, Butrinti, Gjirokastra, Berat. Prandaj të investosh në turizëm në Shqipëri është absolutisht gjithmonë më sukses”, cilësoi kryeministri Berisha.

Për këtë arsye, u shpreh kryeministri, i bëj thirrje biznesit slloven që të investojë në Shqipëri pasi do të ketë edhe përkrahjen e qeverisë.

“Shqipëria vitet e fundit është kthyer në një destinacion të preferuar për investitorët e huaj, pasi ofron potenciale të mëdha zhvillimi dhe siguri për kapitalin që investohet. Shqipëria është një vend, i cili ofron potenciale të mëdha zhvillimi”, tha kryeministri.

Në përfundim të Forumit të përbashkët ekonomik Shqipëri- Slloveni, u nënshkrua protokolli i bashkëpunimit nga Zv/Ministrat e Jashtëm të dy vendeve, Selim Belortaja dhe Vladimir Gaspariç.

Po ashtu u firmos dhe kontrata midis dy kompanive, asaj shqiptare Albsig dhe asaj sllovene Triglav, sipas të cilës kompania sllovene Triglav blen 51% të aksioneve të kompanisë shqiptare Albsig.

mit/NOA
KOMENTE