English

Çelet ambasada sllovene, Berisha: Kartolina për Krishtlindje ka edhe firmën e kryeministrit Pahor

Tiranë, 8 dhjetor, NOA – Ndërkohë që ambasadat e vendeve të BE-së me liberalizimin e vizave për shqiptarët në hapësirën Shengen janë qetësuar nga fluksi i qytetarëve në pragjet e ambasadave në Tiranë, të cilët më parë pritnin me muaj për të marrë një vizë, sot në Tiranë është çelur edhe ambasada e Sllovenisë në Tiranë. Një ndër qëllimet e vizitës njëditore të kryeministrit të Sllovenisë në Tiranë, Borut Pahor, ishte padyshim çelja e ambasadës sllovene në Tiranë, e cila sikundër tha shefi i qeverisë sllovene, do të forcojë bashkëpunimin në interesin më të mirë të të dy popujve.

Hapjen e ambasadës e inauguruan sot pasdite dy kryeministrat Berisha e Pahor.

Hapja e ambasadës sllovene u përshëndet nga Kryeministri Berisha, i cili shprehu kënaqësinë që vizita e suksesshme dhe historike e Kryeministrit Pahor në Shqipëri u kurorëzua me këtë moment shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve.

“Më pak se një muaj, kur në Bruksel u vendos për heqjen e vizave, u thashë shqiptarëve se kjo është kartolina më e bukur që kryetarët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Europian ju dërgoi secilit prej jush, për krishtlindje dhe vitin e ri. Kështu që kur ata ta lexojnë kartolinën, do të lexojnë edhe firmën tuaj. Ndërsa me hapjen e ambasadës këtu, ky është urimi më i bukur që ju i bëni Shqipërisë në prag të krishtlindjeve dhe vitit të ri. Ndaj, zoti Kryeministër, shfrytëzoj rastin për t’ju përcjellë juve personalisht, familjes suaj, qeverisë dhe kombit tuaj urimet më të përzemërta, për festat e fund vitit, krishtlindjen dhe vitin e ri”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Kryeministri slloven Borut Pahor zhvilloi të parën vizitë të tijën në shqipëri me ftesë të kryeministrit Berisha, ku u zotua maksimalisht se qeveria e tij do të mbështesë popullin shqiptar në kapërcimin e katastrofës humanitare të përmbytjeve që kanë përfshirë qarkun e Shkodrës.

mit/NOA
KOMENTE