“Ju u shfaqët atë natë dhjetori të ftohtë, para nesh, njerëzve më të shtypur të planetit, si misionarë, si qenie mbitokësore, ndaj edhe ne nuk gjetëm, nuk kishim fjalë apo emër tjetër për ju, përveçse Engjëj të lirisë sonë”
Në një deklarim të posaçëm për median, me rastin e 8 dhjetorit, Ditës së rinisë, Kryeministri Berisha i përcolli sot, përshëndetjet me të përzemërta të rinjve dhe të gjithë shqiptarëve, për këtë ditë të shënuar në historinë e Shqipërisë, që 20 vjet më parë, në 8 dhjetor 1990, shënoi fillimin e lëvizjes studentore për liritë dhe dinjiteti e çdo shqiptari.
Nga Sali Berisha
Me këtë mesazh, me rastin e 8 dhjetorit, në 20 vjetorin e demonstrimit të studentëve të Universitetit të Tiranës, përballjen e tyre epike në rrugët e kryeqytetit me diktaturën më të egër, më barbare që Europa ka njohur ndonjëherë, dua t’u përshëndes përzemërsisht ju të gjithëve, kudo që ndodheni,
Gëzuar festen e lirive tona, festën e dinjitetit tonë njerëzor, 8 dhjetorin!
Sot, për mua dhe secilin prej jush, të dashur qytetare e qytetarë shqiptarë, është rast të përulemi me nderimin më të madh, mirënjohjen më të thellë, para veprës së atyre qindra studentëve që natën e 8 dhjetorit 1990, në Shqipërinë bunker, vendin e burgjeve, kampeve të përqendrimit, gulageve të pafund, vendin e terrorit shtetëror, vendin më të izoluar të planetit, do të ngriheshin nën udhëheqjen e tribunit legjendar të lirisë së shqiptarëve, Azem Hajdari dhe do të ndiznin në shpirtrat dhe zemrat tona të ndrydhura, të shkretuara rrezen e shpresës, dritën e lirisë. Duke huazuar nga Ëinston Churchill një frazë, dua të theksoj se “kurrë në historinë e këtij kombi, një grup i vogël të rinjsh, prej disa qindra studente dhe studentë nuk ka bërë sa ç’bëtë ju për lirinë dhe dinjitetin tonë njerëzor”. Ju u shfaqët atë natë dhjetori të ftohtë, para nesh, njerëzve më të shtypur të planetit, si misionarë, si qenie mbitokësore, ndaj edhe ne nuk gjetëm, nuk kishim fjalë apo emër tjetër për ju, përveçse Engjëj të lirisë sonë. Me fuqi pothuajse hyjnore, do të pushtonit rrufeshëm shpirtin dhe zemrat tona dhe do të shndërroheshit në dritën e vërtetë, energjinë, entuziazmin që do të bënte të mundur fitoren përfundimtare mbi regjimin më tiranik, që planeti kishte njohur ndonjëherë.
Sot, pas 20 vjetësh, vepra juaj që bëri vitin 1990, vitin më të rëndësishëm në historinë kombëtare të Shqipërisë, pas pavarësisë, është qindra herë më e madhe, shndrit qindra herë më shumë, se në dhjetorin e ftohtë të vitit 90.
Çdo shqiptare dhe shqiptar që lindi para 8 dhjetorit të vitit 1990 ju detyron ju, studentë dhe liberatorë të atyre ditëve, ditëlindjen e tij të dytë, ditëlindjen e lirive dhe dinjitetit të tij njerëzor. Por edhe të gjithë ata, qindra e mijëra djem dhe vajza që lindën pas 8 dhjetorit të vitit 90, ju detyrojnë ju, engjëjve të demokracisë, fatin e madh, fatin e bardhë të atij dhe atyre që lindin dhe rriten të lire, në një vend të lirë.
Kombi shqiptar dhe Shqipëria ju detyrohet ju sot, studentëve dhe studenteve të 8 dhjetorit ‘90, prijësit tuaj të përjetshëm Azem Hajdari, Shqipërinë anëtare të NATO-s, lëvizjen e lirë në mbarë Europën.
Edhe unë, ju detyrohem ju lirinë dhe dinjitetin tim të munguar, por edhe fatin e madh që u njoha me ju, që u takova me ju, frymëzimin dhe energjinë e pashtershme që së bashku me ju, së bashku me qindra e mijëra të rinj shqiptarë të shndërrojmë në realitet ëndrrat tuaja më të bukura, më fisnike, ëndrrën tuaj europiane.
Zoti ju bekoftë ju, kudo që ndodheni sonte, familjet tuaja! Zoti i bekoftë shqiptarët, liritë e dinjitetin e tyre!