Tiranë, 8 dhjetor, NOA – Deputetët e Partisë Demokratike do të japin 50 mijë lekë të reja nga paga e tyre për t'u ardhur në ndihmë banorëve të zonave të përmbytura në Shkodër. Vendimi është marrë sot nga mbledhja e Kryesisë së Grupit Parlamentar.
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të kontribuojë edhe financiarisht për të ndihmuar banorët e prekur nga përmbytjet e jashtëzakonshme në zonën e Shkodrës. Çdo deputet demokrat do të derdhë 50 mijë lekë nga paga e tij në fondin e ndihmave për zonat përmbytura”, thuhet në njoftimin e Grupit Parlamentar të PD-së.
Vendimi është marrë nga Kryesia, për shkak se shumica e ministrave dhe deputetëve janë shpërndarë në zonën e Shkodrës dhe të rrethinave të saj, ku po ndjekin nga afër operacionet e ndihmës dhe shpëtimit.“Kjo është hera e dytë që Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ndërmerr një nismë të tillë. Edhe në përmbytjet e janarit të këtij viti deputetët e mazhorancës dhanë një pjesë të pagës së tyre si ndihmë për banorët e prekur nga fatkeqësia”, thekson njoftimi i Grupit të PD-së.
Ndërkohë deputetët dhe drejtues të tjerë të Partisë Demokratike janë vënë në krye të një fushate sensibilizuese për mbledhjen e ndihmave të solidaritetit për Shkodrën edhe në rrethe dhe qytete të tjera të vendit.
a.k/NOA