Tiranë, 8 Dhjetor 2010 NOA - Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të kontribuojë edhe financiarisht për të ndihmuar banorët e prekur nga përmbytjet e jashtëzakonshme në zonën e Shkodrës.
Çdo deputet demokrat do të derdhë 50 mijë lekë të rinj nga paga e tij në fondin e ndihmave për zonat përmbytura.
Vendimi u mor sot në një mbledhje të kryesisë së grupit, për shkak se shumica e ministrave dhe deputetëve janë shpërndarë në zonën e Shkodrës dhe të rrethinave të saj, ku po ndjekin nga afër operacionet e ndihmës dhe shpëtimit.
Kjo është hera e dytë që Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ndërmerr një nismë të tillë. Edhe në përmbytjet e janarit të këtij viti deputetët e mazhorancës dhanë një pjesë të pagës së tyre si ndihmë për banorët e prekur nga fatkeqësia.
Ndërkohë deputetët dhe drejtues të tjerë të Partisë Demokratike janë vënë në krye të një fushate sensibilizuese për mbledhjen e ndihmave të solidaritetit për Shkodrën edhe në rrethe dhe qytete të tjera të vendit.
e.r/NOA