Tiranë, 8 Dhjetor 2010 NOA - Delegacioni me rreth 100 përfaqësues të bizneseve Sllovene vizitoi sot rrjetin e Supermarketeve Mercator tek qendra tregtare “City Park” për të nisur vizitën e tyre në Shqipëri me në krye Kryeministrin e Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor.
Kjo vizitë synon afrimin e investitorëve Sllovenë në Shqipëri. Pikërisht Mercator është rezultat i një investimi prej më shumë se 7 milionë euro që shteti dhe biznesi Slloven kanë realizuar në vendin tonë gjatë vitit të fundit, duke i sjellë konsumatorit shqiptar larminë dhe cilësinë e produkteve të saj.
Përveç produkteve Sllovene, Mercator aplikon politika të favorshme edhe për prodhuesit vendas, duke i inkurajuar të rrisin cilësinë e produkteve të tyre drejt standardeve Europiane. Mercator synon që të paktën 50% e produkteve të tregtuara në supermarketet e rrjetit do kenë prejardhjen nga prodhuesit vendas, duke bërë të mundur që disa prej këtyre prodhimeve lokale të eksportohen edhe në rrjetet Mercator të pranishme në tregjet e tjera të Europës Juglindore.
Mercator është një nga kompanitë më të mëdha në Europën Juglindore, si dhe kompania më e madhe Sllovene, me mbi 1,500 dyqane dhe 22,000 punonjës në shtatë vende. Gjithashtu është lider në fushën e Supermarketeve në Slloveni dhe Mal të Zi, dhe mban vendin e dyte ne tregjet e Serbisë dhe Kroacisë. Gjatë vitit 2009, Mercator arriti të ardhura prej 2.6 miliardë Euro. Përveç supermarketit në “City Park”, në Shqipëri Mercator operon edhe dy dyqane të tjera, përkatësisht në rrugën “Komuna e Parisit” në Tiranë dhe tek qendra tregtare “FlagShip Center” ne Durrës.
Pas vizitës në Mercator, delegacioni Slloven vijon me takimet e parashikuara nga Dhoma e Tregtisë e Sllovenisë dhe Shoqatës së Biznesit Shqipëri Slloveni, me synimin e firmosjes së protokolleve dhe marrëveshjeve për nxitjen e bashkëpunimeve mes dy shteteve në fushën e ekonomisë dhe tregtisë.
e.r/NOA
Në fotot: Nga vizita e delegacionit slloven