English

Pahor: Do t’ju mbështesim financiarisht për kapërcimin e katastrofës së përmbytjeve

Tiranë, 7 dhjetor, NOA, Update – Kur Shqipëria veriore gjendet në kushtet e një katastrofe humanitare, duke mbërritur për një vizitë njëditore në Shqipëri i thirrur nga kryeministri Berisha, kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor iu drejtua jo vetëm homologut të tij, po edhe shqiptarëve që po përjetojnë ditë tejet të vështira nën ujë, duke garantuar mbështetjen e tij dhe shtetit mik slloven për përballimin e kësaj katastrofike të përmbytjeve dhe vërshimeve, sikundër e cilësoi Pahor. “Nesër në mbledhjen e qeverisë ne do të marrim një vendim për t’i dhënë mbështetje financiare qeverisë tuaj, me qëllim kapërcimin e këtyre krizave në të cilat gjendeni, si dhe për t’ju ndihmuar në rrugëtimin tuaj për t’i përballuar ato sa më lehtë”, siguroi kryeministri slloven në konferencën e përbashkët me kryeministrin Berisha.

Sipas tij, në natyrë dhe ligjet e saj mund të ndikojmë shumë pak, por në marrëdhëniet mes dy shteteve mund të veprojmë dhe të ndikojmë në mënyrë të pamatë.

“Në pikëpamjen bilaterale ne do të bëjmë çmos që t’i kapërcejmë dhe t’i forcojmë këto marrëdhënie të mira që kemi, ndërsa në pikëpamjet rajonale dhe në rajon do të bëjmë çmos që me anë të paqes dhe mirësisë të kapërcejmë të gjitha ato çështje që do të dalin si të pakapërcyeshme, për t’i realizuar vetitë dhe dëshirat e mira, për të vënë qetësinë dhe paqen aty ku duhet të jenë”, theksoi kryeministri i Sllovenisë.

Pas ceremonisë zyrtare të mirëseardhjes, të dy kryeministrat zhvilluan një takim kokë më kokë, i cili vijoi me takimin mes dy delegacioneve, shqiptar dhe atij slloven, të përbërë nga ministra dhe këshilltarë të kabineteve përkatëse.

Gjatë takimit, Kryeministri Berisha i shprehu, Kryeministrit slloven, në emër të qeverisë shqiptare dhe të tijin personal, mirënjohjen më të thellë për mbështetjen shumë të rëndësishme dhe të çmuar që Kryeministri Pahor, qeveria sllovene dhe kombi slloven i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë, në të gjitha përpjekjet e saj për integrimin në NATO, dhe në BE.

mit/NOA
KOMENTE