English

Përmbytjet, tërhiqet uji nga disa zona të Shkodrës, por reshjet pritet të rikthehen

Shkodër, 8 dhjetor, NOA – Në ditën e tetë të përmbytjeve pasi qarku i Shkodrës dhe lagje të qytetit iu dorëzuan prurjeve të mëdha të ujit dhe reshjeve, që shënuan një nga përmbytjet më të rënda të saj me plot 14 mijë ha tokë që përfunduan nën ujë dhe 2561 shtëpi të përmbytura e plot 14 mijë banorë të evakuuar nga banesat e tyre, duket se pas tri ditëve me mot të mirë edhe uji është tërhequr nga zonat e përmbytura me mëse 30 centimetra. Por, situata sipas shtabit të emergjencës vijon të jetë nën monitorim, dhe me tërheqjen e ujit, tashmë është zvogëluar disi sipërfaqja e tokës së përmbytur, duke mbërritur në 13 mijë ha tokë.

Në zonën e Shkodrës operacionet e ndihmës vijojnë për banorët e përmbytur.

Niveli i ujit ka rënë në komunën Kuç, në fshatin Ashtë të komunës Bushat, si dhe në hyrje të qytetit të Shkodrës, në lagjet Bahçallëk të qytetit, në Harkun e Bërdicës, që është bërë e kalueshme tashmë, ndërkohë që edhe pse më i ulët niveli i ujit mbetet rishtas shqetësues në lagjen Xhabije, Kiras Tophan, ku kalimi nga aty për në zonat e tjera bëhet vetëm me varka.

Tashmë ende nën ujë ndodhet lagja Livadhe në Shkodër, e cila ishte edhe më e përmbytura gjatë këtyre ditëve.

Po kështu sikundër edhe më parë komunat nën ujë mbetetn Dajçi, Ana e malit, Bushati e Velipoja, dhe ndërkohë që moti pritet të ndryshojë, me rikthimin e reshjeve situata në Shkodër mund të ndryshojë, edhe pse autoritetet shpresojnë që ajo të mos arrijë më vështirësitë e ditëve të para.

Por, përmbytjet kanë shkaktuar dëme të rënda nëpër shumë shkolla, andaj pritet për rikthimin e procesit mësimor të ndërprerë për shkak të përmbytjeve një vendim i ri nga MASH-i.

mit/NOA
KOMENTE