Tiranë, 8 dhjetor, NOA - Ambasada e Spanjës në Shqipëri ka dhuruar sot 150 mijë euro ndihma për situatën e krijuar nga përmbytjet në Shkodër.
Ambasada e Spanjës në Tiranë njofton se ndihma ka ardhur si përgjigje e kërkesës së Qeverisë Shqiptare për të ndihmuar në situatën e vështirë të krijuar nga përmbytjet në zonën e Shkodrës.
Vendimi është marrë nga Qeveria Spanjolle, e cila ka dhuruar shumën e parave për t’u shpenzuar në favor të banorëve.
Ambasada njofton se ndihma do të jepet nga Agjencia Spanjolle për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (AECID), nëpërmjet një marrëveshje që kjo e fundit ka me Kryqin e Kuq për dhënie të ndihmave në situata emergjente dhe do të shpërndahet nga Kryqi i Kuq Shqiptar në përputhje me nevojat dhe përparësitë e përcaktuara nga Qeveria Shqiptare.
“Ambasada e Spanjës dëshiron me këtë rast t´i përcjellë popullit shqiptar solidaritetin e popullit spanjoll në këtë situatë të vështirë shkaktuar nga përmbytjet dhe të shprehë angazhimin e saj për të ndihmuar në kapërcimin e kësaj situate”, thuhet në njoftimin për donacionin e Spanjës për zonën e Shkodrës.
a.k/NOA