English

Topalli-Pahor: Vizita juaj përkon me 20 vjetorin e rënies së komunizmit në Shqipëri

Tiranë, 8 dhjetor, NOA – Kryeparlamentarja Jozefina Topalli në takimin e saj me kryeministrin e Sllovenisë Borut Pahor, i cili është i pari qeveritar slloven që viziton Shqipërinë, hoqi një paralele me përvjetorin e 20 të lëvizjes studentore që solli rënien e komunizmit, duke i thënë kreut të qeverisë sllovene, se vizita e tij sot, përkon me një datë historike për Shqipërinë, 20 Vjetorin e rrëzimit të komunizmit dhe fillimit të lëvizjes së lirë të shqiptarëve, pa viza në Evropë. Dhe përgjigjia e kryeministrit të Sllovenisë, një personalitet me karrierë të gjatë politike në institucionet e BE-së, ishte se “ndihej i mrekulluar, në këtë vizitë të tij të parë, historike, në Shqipëri”.

Kryetarja e Kuvendit duke falenderuar Kryeministrin slloven për vizitën, shprehu konsideratat e veçanta për mbështetjen e jashtëzakonshme, që vendi i tij ka dhënë për heqjen e vizave dhe proceset integruese të Shqipërisë, kur dihet se ishte eurodeputetja socialiste, sllovene, Tanja Fajon që paraqiti propozimin për heqjen e vizave për Shqipërinë në hapësirën Shengen, një verdikt ky i dhënë vetëm një muaj më parë, në 8 nëntor, e që pritet të hyjë në fuqi përpara krishtlindjeve.

Njëkohësisht, Kryeparlamentarja Topalli vlerësoi kontributin e veçantë të homologëve të saj parlamentarë sllovenë, aktualë dhe parardhës, në këtë mbështetje ndaj vendit tonë.

Kryeministri Pahor, duke theksuar se prej kohësh planifikonte këtë vizitë në Shqipëri, e shtyrë për impenjime pune, tashmë po e realizonte, me një ndjenjë shumë të veçantë miqësie.

“Shqipëria ka të ardhme. Ju përgëzoj për arritjet e jashtëzakonshme që keni bërë dhe që kanë transformuar këtë vend”, u shpreh kryeministri Pahor.

Ai i uroi shqiptarët për heqjen e vizave si një vendim të merituar dhe që shënon një hap të madh, për historinë e vendit tonë.

Kryetarja e Kuvendit gjithashtu i shprehu Kryeministrit slloven, vlerësimin për mbështetjen e që po jep qeveria sllovene, në përballimin e situatës së emergjencës ne Qarkun e Shkodrës.

Më tej biseda u përqendrua në investimet e pritshme sllovene në Shqipëri, ku zonja Jozefina Topalli theksoi se, Shqipëria ka një rritje ekonomike pozitive pavarësisht krizës globale financiare dhe një klimë të favorshme biznesi, veçanërisht në sektorin fiskal.

mit/NOA
KOMENTE