English

Topi-Pahor: Mirënjohje për mbështetjen në këto ditë emergjence dhe përkrahjen për integrimin në BE

Tiranë, 8 dhjetor, NOA - Ne e çmojmë pa masë ndihmesën dhe mbështetjen e të gjitha vendeve dhe shteteve mike në këto ditë të emergjencës civile, i tha sot Presidenti i republikës, Bamir Topi, kryeministrit të Sllovenisë, Borut Pahor, i cili ndodhet në Tiranë në këto ditë që Shqipëria u përfshi nga gjendja e emergjencës civile për shkak të përmbytjes së zonave të tëra në qarkun e Shkodrës por edhe të disa lagjeve të saj. Duke iu referuar situatës së rënduar të krijuar në veriperëndim të vendit për shkak të përmbytjeve, Kryeministri slloven Pahor shprehu solidaritetin institucional dhe keqardhjen e thellë për dëmet e kësaj fatkeqësie natyrore, që sikundër edhe mund të merret me mend ende nuk kanë nisur të përllogariten pasi pritet njëherë tërheqja tërësisht e ujit nga tokat e përmbytura.

Kryeministri slloven, Borut Pahor që në fillim të bisedës i shprehu Kryetarit të Shtetit mbështetjen e palës sllovene për shtetin shqiptar dhe qytetarët e këtij vendi, që po përballen me situatën tejet të vështirë të krijuar në veriperëndim të Shqipërisë nga përmbytjet duke ofruar ndihmë financiare dhe teknike.

Gjatë takimit me kryeministrin e Sllovenisë, Borut Pahor, si Presidenti edhe shefi i qeverisë sllovene vlerësuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Sllovenisë, diskutuan për bashkëpunimin e frytshëm e miqësinë mes dy vendeve e popujve tanë si dhe theksuan vullnetin e përbashkët për t'i thelluar ato si në nivelin politik, ekonomik, por edhe në fusha të tjera me interes të ndërsjellë.

Në këtë kontekst, Presidenti Topi vuri në dukje klimën e përshtatshme dhe mundësitë e gjera dhe konkrete që Shqipëria ofron për investitorët e huaj në vendin tonë për të zhvilluar veprimtarinë e tyre cilësore.
Në vijim të bisedës, Kryetari i Shtetit bëri një panoramë të shkurtër të zhvillimeve më pozitive në Shqipëri në kuadër të aspiratave të shtetit dhe popullit shqiptar për integrimin në Bashkimin Evropian.

Zoti Topi vuri në dukje “gjithë angazhimin dhe vullnetin e duhur për të përballuar sfidat dhe detyrimet në rrugën tonë drejt familjes së madhe evropiane, duke theksuar se liberalizimi i vizave me BE-në për qytetarët shqiptarë i kontribuon këtij synimi kombëtar, ashtu sikundër zhvillimit, prosperitetit dhe një të ardhmeje evropiane për Shqipërinë”.

Në këtë pikë Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi përkrahjen e vazhdueshme të Sllovenisë dhënë vendit tonë në rrugëtimin e vet integrues, veçanërisht ndihmesën institucionale lidhur me liberalizimin e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë.

Sipas presidentit rritja e bashkëpunimit dy dhe shumëpalësh mes të gjitha vendeve të rajonit është garancia e duhur për një stabilitet dhe zhvillimi të qëndrueshëm rajonal, si dhe për realizimin e synimeve të përbashkëta strategjike për të qenë pjesë dinjitoze e NATO-s dhe e familjes evropiane.

Në këtë suazë, kreu i Shtetit vuri në dukje se realiteti i ri ballkanik pas krijimit të shtetit të pavarur dhe shumëetnik të Kosovës ka forcuar dhe konsoliduar ndjeshëm qëndrueshmërinë në rajon dhe në këtë pikë këtë aspekt, Kryetari i Shtetit shqiptar theksoi rëndësinë e dialogut Kosovë – Serbi si dy shtete të pavarura dhe sovrane për çështje teknike me interes të përbashkët.

Kryeministri slloven vlerësoi lart marrëdhëniet dypalëshe duke theksuar rëndësinë e hapjes së ambasadës sllovene në Tiranë për zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të tyre, sidomos marrëdhënieve ekonomike dhe bashkëpunimit të efektshëm në këtë drejtim.

mit/NOA
KOMENTE