English

Av. Idajet Beqiri: Padia në Hagë për “Shqipërinë natyrale”, një papërgjegjshmëri e radhës

Te “Shqipëria natyrale” e Koço Danaj nuk ka një strategji konkrete veprimi. Nuk thuhet në të se çështja kombëtare shqiptare dhe zgjidhja e saj është një proces, se në këtë proces kanë vepruar para “Shqipërisë Natyrale” të Koços edhe shumë e shumë formacione të tjera politiko-kombëtare dhe atdhetare. Cilat kanë qenë të mirat dhe të këqijat në platformat dhe veprimet e tyre, kush ka patur sukses, dhe kush ka dështuar

Nga Av. Idajet Beqiri

“Si kofini pas të vjelave”, Koço Danaj, pasi i kishte “nëmur” për vite me radhë ata që, qysh në janarin e vitit 1991 e në vazhdim gjallëruan dhe punuan për realizimin e idesë së ribashkimit të kombit të ndarë, doli me një term të “ri”, atë të “Shqipërisë Natyrale”! Madje ka bërë edhe një libër për këtë punë. Libri të jep përshtypjen se për herë të parë këtë fushë po e “lëvron” Koçua!

Po mbushen afro dy vjet që kjo “shpikje” që del “në treg për herë të parë”, me emrin “Shqipëria Natyrale”, përmes stërmundimesh të Koço Danaj, po “shpaloset” përmes ndonjë dalje sporadike pompoze në ndonjë ekran televizioni, apo me ndonjë shkrim kryesisht në faqet e internetit, të cilat për hir të së vërtetës, për rrethana të shpjegueshme, lexohen më shumë në diasporistët shqiptare. Ndërsa lexohen pak, për të mos thënë aspak, në Shqipëri, në Kosovë, në Preshevë-Bujanoc-Medvegjë, në IRJM, në Mal të Zi etj. Domethënë këtu ku është “sheshi i betejës” për “Shqipërinë Natyrale” flitet, shkruhet, debatohet, bëhet shumë pak, ose si “hëna për Bajram”! Nejse, kjo është çështje që ka të bëjë me “strategjinë dhe taktikat” personale të Koços”! I rëndësishëm është fakti se si e koncepton dhe si do të shkohet sipas Koços te “Shqipëria natyrale”.

Në libër ka plot sllogane historike, folklorizma gjithfarëshe, afirmime të stërthëna më parë nga institucione të rëndësishme kombëtare shqiptare, nga personalitete të shquara të kombit tonë. Te “Shqipëria natyrale” e Koço Danaj nuk ka një strategji konkrete veprimi. Nuk thuhet në të se çështja kombëtare shqiptare dhe zgjidhja e saj është një proces, se në këtë proces kanë vepruar para “Shqipërisë Natyrale” të Koços edhe shumë e shumë formacione të tjera politiko-kombëtare dhe atdhetare. Cilat kanë qenë të mirat dhe të këqijat në platformat dhe veprimet e tyre, kush ka patur sukses, dhe kush ka dështuar. Në se ka patur arritje, qofshin ato edhe të pjesëshme, cilët faktor kanë ndikuar. Ku konsistojnë gabimet që janë bërë. Në cilën rrugë nuk duhet të ecim më, dhe në cilën rrugë duhet të futemi tani.

Këto që rikonfirmon Koço Danaj në librin e tij “Shqipëria Natyrale”, i kanë thënë e stërthënë historikisht, politikisht, diplomatikisht, folklorisht, ushtarakisht, gjeostrategjikisht, e madje edhe “natyralisht”, Lidhja Shqiptare e Prizërenit dhe organizatorët e saj, të cilët dolën me një Platformë, e cila është shumë aktuale sot. Ajo nuk ka nevojë t’i bëhen “korrektime” të stilit “koçisto-natyraliste”!

Kemi në duar Platformën e Konferences së Bujanit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kemi Platformat shkencore të hartuar nga Akademia e Shkencave të Republikës së Shqipërisë të vitit 1998. Kjo Platformë u hartua pas një pune dhe veprimtarie intensive 8 vjeçare prej Komitetit Për Organizimin e Kuvendit të Pajtimit dhe të Bashkimit Kombëtar, në krye të të cilit ishte Akademiku Rexhep Qosje. Kjo Platformë e Akademisë u hartua dhe u miratua pas Tryezave të mëdha dhe gjithë përfshirëse politiko-kombëtare të udhëhequra dhe organizuara nga forca politike serioze në të gjitha hapsirat shqiptare, me emërtimet “Tetova 1”, “Tetova 2”. E më pas u organizua Mbledhja Parakuvendore e Tiranës në vitin 1993. E më tej akoma pasuan Kuvendet Për Bashkimin Kombëtar që u organizuan në të gjitha qëndrat e rëndësishme administrative dhe historike të hapsirave shqiptare gjate viteve 1993-1995. Të gjitha këto çuan në mbajtjen e Kuvendit Historik të Intelektualëve Shqiptar të vitit 1995, i cili zhvilloi punimet e tij për 3 ditë me radhë në Stamboll, të Turqisë. Atje u miratua “Platforma Për Zgjidhjen e Çështjes Shqiptare”, pamfleti historik “Amaneti i Shqiptarëve” dhe u nxitën shkëndijat që çuan më pas në zjarrin e madh që bëri UÇK-ja, faktori i rëndësishëm kombëtar që solli Pavarësinë e Kosovës.

E më pas kemi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të hartuar në vitin 1998, në të cilën për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, në një dokument nga më të rëndësishmit siç është ligji themeltar i shtetit, Kushtetuta, ju hap rruga politike, diplomatike, juridike dhe mjeteve të tjera për bashkimin kombëtar shqiptar.

Pas këtyre evenimenteve dhe akteve madhore kombëtare, politike dhe juridike, dolën në dritë formacione të rëndësishme politiko-ushtarake si UÇK, UÇPMB, UÇK2, FBKSH, AKSH etje, të cilat kush më shumë, e kush më pak, bënë realitet një pjesë të ëndrrës shekullore të shqiptarëve, por bënë edhe sensiblizimin e opinionit mbarshqiptar dhe ndërkombëtar për dëshirën, vullnetin e pamposhtur dhe gatishmërinë për sakrifica të mëdha të shqiptarëve për të bërë unifikimin e kombit të tyre të ndarë padrejtësisht nga Fuqitë e Mëdha, domethënë për ribashkimin e të gjitha trojeve etnike shqiptare në Ballkan në një shtet të vetëm kombëtar dhe demokratik shqiptar.

Parimi i rëndësishëm i “vetvendosjes” i sanksjonuar në aktin më të rëndësishëm juridik ndërkombëtar, sikurse është “Karta e Kombeve të Bashkuara”, parashihet që Shteti duhet të përputhet me kombin, ngase kombi është shoqëri natyrore e njerëzve me territor origjine, zakone dhe gjuhe të përbashkët, që formojnë një bashkësi jetësore dhe koshiencën sociale.

Nisur sa sipër, “Shqipëria Natyrale” e Koço Danaj, së paku për “modesti” duhet t’i përmëndëte si evenimente të mëdha historike që kanë mbajtur gjallë frymën kombëtare, që kanë hedhur themelet e Shqipërisë së Bashkuar, por dhe që kanë filluar t’i ngren themelet e këtij bashkimi. Ndryshe, të bësh përpjekje për t’i “bindur” shqiptarët se ribashkimi i kombit do vij “nga shqipaëria natyrale që shpika unë”, sikurse bënë “de fakto” Koço Danaj, jo vetëm që është një aventurizëm e papërgjegjshmëri e rëndë, por është edhe një sabotim i hapur që i bëhet Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, e cila kurrë nuk ka rreshtur së menduari, së vepruari, së punuari, së sakrifikuari për realizimin e shtetit kombëtar shqiptar, me të gjitha trojet etnike dhe popullin shqiptar në Ballkan brënda tij.

“Shpikja” e Koço Danaj me të ashtuquajturën “Shqipëri natyrale”, në fund të fundit është një mohim i hapur i gjithë asaj veprimtarie të paimagjinueshme mendore, politike, diplomatike, juridike, luftarake, i gjithë gjakut të derdhur, i gjithë sakrificave ekonomike, që janë bërë së paku për mbi 130 vjet prej shqiptarëve.

Në çështjet e pazgjidhura kombëtare, A-ja që duhet të mbahet parasysh, është vazhdimësia. Në se i ndryshon emërtimet nisur nga motivet e sëmura “për t’u dukur” dhe për të bindur veten dhe ndonjë naiv që për hirë të idealit që ka në shpirt, të vjen nga pas se “historia e kombit fillon me shpikjen tënde të “Shqipërisë natyrale”, në se edhe mëndje të tjera të sëmura do të vuanin nga sindromi i gjetjes mot pas moti nga një emërtim që të tingëllojë “bukur”, në se çdo vit shpalos një platforëm “të re”, në një kohë që ajo është plagjiature e kopjuar keq dhe e deformuar nga Lidhja e Prizërenit, dhe të tjerave që e kanë pasuruar atë më pas, veprime të tilla janë shumë dëmësjellëse dhe të dënushme. Së paku, kundërshtarët e Bashkimit Kombëtar Shqiptar do të kishin një armë të fortë në dorë, atë të mos serjozitetit të shqiptarëve në hapat që hedhin për të realizuar zgjidhjen e çështjes së tyre kombëtare.

E vetmja gjë e “re” që shpiku në “Shqipërinë Natyrale” Koço Danaj është “ideja” e tij për të ngritur një padi në muiajin janar 2011 në Gjykatën e Hagës kundër marrëveshjes së Londrës në 1913-tën. Këtë “ide” Koço Danaj është munduar t’a spjegoi në një intervistë që i ka dhënë gazetarit Habjon Hasani në gazetën “MAPO” të datës 06-12-2010.

Mjafton të lexosh pyetjet e gazetarit të “MAPO”, për të nxjerrë sarkazmën e tij për folklorizmat e papërgjegjëshme të Koço Danaj, si dhe për mungesën e plotë të serjozitetit të tij në ato që deklaron.

Koço Danaj para se të hedhi “në treg” mbroçkulla të tilla, duhet të pyes specialistë të së drejtës ndërkombëtare për të mësuar se si bëhet zgjidhja e mosmarrëveshjeve midis shteteve me mjete paqësore, me mjete diplomatike dhe me mjete gjyqësore. Duhet të mësojë se çdo të thotë juridiksion gjyqësor për Gjykatën e Hagës, çdo të thotë afat parashkrimi dhe çdo të thotë që kjo Gjykatë Arbitrazhi i zgjidh mosmarrëveshjet midis shteteve kur palët bien vet dakord për të zgjidhur mosmarrëveshjen. Pra të zgjidhësh mosmarrëveshjet territoriale që ne shqiptarët kemi me Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Greqinë, kjo bëhet po të jenë dakord të gjitha palët. Po të mos ekzistojë pajtimi i palëve, nuk mund të bëhet kompetente Gjykata e Hagës për të shqyrtuar dhe për të detyruar shtetet e tjera të vinë në gjyq. Pra padia të kthehet pa veprim.

Me të vërtetë beson Koço Danaj se është në gjendje që deri në muajin janar 2011 do të lidh marrëveshje speciale me Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Greqinë, duke i bindur ato që të shkojnë vullnetarisht në Gjykatën e Arbitrazhit në Hagë dhe të pranojnë që zgjidhjen e pretendimeve territoriale të Shqipërisë t’ia besojnë arbitrave të kësaj gjykate?!

E dyta dhe kryesorja, sipas nenit 34 Statutit te Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, vetëm shtetet mund të jenë palë për të paraqitur padi dhe për t’u paraqitur si palë në gjyq përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Mbi ç’bazë ligjore do e bëjë “padinë” Koço Danaj dhe kush do e qas atë në derën e Gjykatës Ndërkombëtare?!

Në se bëhet ky aventurizëm, a nuk kanë të drejtë palët të cilat n’a kanë borxhe të mëdha, sepse n’a kanë vjedhur trojet etnike, e që janë Serbia, IRJM, Mali i Zi dhe Greqia, të justifikohen para miqve dhe armiqve të kombit shqiptar, por dhe të tyre, me këto veprime aventureske, të pambështetura në ligjet ndërkombëtare të “natyralistëve” të Koços?!

Kemi bindjen se edhe vet Koço Danaj nuk u beson këtyre dritshkurtësive.

Koçua , duke i hedhur fjalët “si lopa bajgën” thotë në Gazetën “Mapo” se : “…i vetmi që kupton “lojën” dhe kontekstin se ku po lëvizin fijet në rajonin e Ballkanit, është kryeministri Berisha. Mendoj se Berisha është i vetmi faktor politik në Shqipëri, i kthjellët dhe që ka kuptuar zhvillimet që ndodhin përreth Shqipërisë. Unë mendoj se ky është lajm i mirë, pavarësisht se e dua apo nuk e dua Berishën…”(!)

Mjafton ky citim për të nxjerrë konkluzionin se “nisma” e Koços për “Shqipërinë natyrale” është dashakeqëse dhe vrastare për çështjen e pa zgjidhur kombëtare. Ka arsye të shumta, objektive dhe subjektive, që Berisha, ashtu sikurse ka qenë, do të mbetet kundërshtari i hapur i bashkimit të shqiptarëve dhe trojeve të tyre në një shtet të vetëm kombëtar.

Në se Berisha e paska kuptuar “lojën”, dhe se ky person sot është Kryeministri i vendit, ashtu sikurse ishte në vitet 1992-1997 Presidenti i vendit, ç’na duhen “simbolikat” me çifteli dhe dyjare të Koço Danaj?! Kujt do i hynte në punë “Lista” e tij me “shqiptarë natyralistë”, apo me zgjidhje të çështjes me “padi në Gjykatën e Hagës” të bërë nga Koçua ?!

Të punosh, të veprosh, të sakrifikosh për çështjen kombëtare, është detyrë atdhetare për cilindo që është me të vërtetë shqiptar, dhe jo “shqipfolës”. Sepse shqip flet edhe ambasadori i Serbisë në Shqipëri! Por të punosh mbrapsht, të përpiqesh të vësh në gjumë një popull dhe një komb të tërë, duke e monopolizuar çështjen te shpikja famëkeqe “Shqipëria natyrale”, të cilën Koço Danaj do e realizojë me AMS e tij, apo me disa tekahytë të tjerë, të cilët “atdhe dhe komb” kanë vetëm “kacidhet” që duan të përfitojnë nga diaspora e vobektë shqiptare, t’u thuash shqiptarëve që bashkimin kombëtar do e bëjmë me “një të rënë të shkopit” në janar 2011 me padinë e Koços, të përpiqesh të sfumosh ato forca të shumta kombëtare në të gjitha hapësirat shqiptare, të cilat kanë ditur dhe dinë t’i kombinojnë të gjitha mjetet e luftës politiko-diplomatike, nuk është thjesht “donkishotizëm”, por edhe një përpjekje e hapur për të sabotuar zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare.

Shënim: Qëndrimet e shprehura nuk përfaqësojnë domosdoshnërisht qëndrimin editorial të NOA

KOMENTE