Shkodër, 9 Dhjetor 2010 NOA - Kryeministri Sali Berisha vizitoi sërish sot në mbrëmje Shkodrën, ku dhe mori pjesë në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile që po menaxhon situatën e përmbytjeve të krijuar si pasojë e reshjeve të shumta dhe prurjeve të mëdha të lumenjve në këtë qark.
“Shkarkimet nga kaskada janë të barazuara me prurjet dhe mund të informoj qytetarët e Shkodrës se kaskadat janë në kontroll të plotë dhe nuk paraqesin një kërcenim apo rrezik për situatën”, - tha kreu i qeverisë.
Kryeministri informoi qytetarët se shkarkimet nga kaskada janë të barazuara me prurjet, janë në kontroll të plotë dhe nuk paraqesin një kërcënim apo rrezik për situatën.
Nga ana tjetër, Berisha shprehu mirënjohje për të gjithë ata qytetarë, familje, kompani private, fondacione, njësi të pushtetit vendor dhe shtete të ndryshme që u solidarizuan dhe kontribuuan për Shkodrën dhe zonat përreth saj.
“Dua të them se është kontributi i madh i qytetarëve që ka bërë që të kemi një situatë jo vetëm nën kontroll, por edhe cilësisht shumë më të favorshme, më të mirë në shpërndarjen e ndihmave, në përgjigjet ndaj rasteve urgjente, në kontrollin e plotë të situatës”, - tha Berisha.
Më tej Kryeministri falënderoi edhe njësitë e Forcave të Armatosura, të Policisë së Shtetit, punonjësit e rezervave të shtetit, për mënyrën dinjitoze me të cilën janë përballur deri më sot me këtë situatë kritike.
Në vijim Berisha vuri në dukje faktin se këto ditë është shprehur një shkallë e jashtëzakonshme solidariteti për Shkodrën dhe zonat e përmbytura përreth saj.
“Pra janë një seri shtetesh, Turqia, Greqia, Çekia, Italia dhe disa rajone të saj si Toskana dhe Puglia, është Sllovenia, Austria, Oxfami i Britanisë së Madhe, Kosova, Kryqi i Kuq spanjoll, si dhe vende të tjera që kanë ofruar ndihma të konsiderueshme. Në krye të tyre qëndron ndihma bujare e Republikës së Kosovës me 1 milionë euro dhe me një njësi të shkëlqyer të Forcave të Sigurisë së Kosovës që po operojnë së bashku me forcat tona me një eficencë të madhe. Ne u jemi shumë mirënjohës këtyre vendeve për ndihmën bujare që kanë ofruar. Ndihmë kanë ofruar edhe disa komuna të Kosovës, Gjakova dhe komuna të tjera, të cilave u shprehin mirënjohjen më të thellë”, - tha kryeministri.
Ai theksoi edhe se një solidaritet i madh ekziston brenda vendit. Fondacione, organizata, shoqata, biznesmenë, kanë sjellë dhe vazhdojnë të sjellin me dhjetëra tonë furnizime për Shkodrën dhe zonat e përmbytura.
e.r/NOA