Shkodër, 9 dhjetor, NOA – Pas mbështetjes financiare me 10 mijë euro pak ditë më parë, për t’i ardhur në ndihmë fëmijëve në zonat e përmbytura të qarkut të Shkodrës, Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” i drejtuar nga zonja e kryeministrit, Liri Berisha ka mbështetur edhe sot me ndihma kryesisht veshmbathje dhe ushqime banorët e qarkut të Shkodrës, që vuajnë ditën e nëntë të përmbytjes së shtëpive dhe zonave ku jetojnë për shkak të reshjeve dhe shkarkimeve nga HEC-et si pasojë e prurjeve të mëdha të ujit. Zonja Liri Berisha me bashkëpunëtorë të Fondacionit ishin sot paradite në Shkodër ku panë nga afër fëmijët dhe familjet e evakuuara nga zonat e përmbytura.
Gjatë takimeve me banorët e përmbytur, zonja Berisha u shpreh se “E gjithë Shqipëria jeton me ju dhe shqetësimet tuaja dhe ne jemi këtu për t'ju ndihmuar në këto ditë të vështira".
Presidentja e fondacionit, Liri berisha ka dëgjuar shqetësimet dhe nevojat e familjarëve duke i garantuar ata se ndihmat që kishte sjellë janë vetëm fillimi, pasi fondacioni do t’u gjendej pranë me të tjera ndihma në vijim për t’ua zbutur sadopak vuajtjet dhe nevojat jetike shkodranëve të mbetur pas përmbytjes edhe pa shtëpi.
Ajo u ka drejtuar thirrje të gjitha nënave shqiptare që të solidarizohen e të grumbullojnë ndihma të ndryshme për familjet shkodrane dhe fëmijët e tyre.
Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” ka dërguar ndihma për qindra familjarë, të evakuuar nga zonat e përmbytura të cilët janë akomoduar në konvikte. Mësohet se ngarkesa e ndihmave përmbante veshmbathje të ndryshme si bluza për fëmijë, tuta dhe pulovra, pantallona, bluza pambuku, shalle, xhupa, batanije, pampers, këpucë, si dhe ushqime, kryesisht kos dhe qumësht për fëmijë, qumësht për të rritur dhe ujë të pijshëm.
Po kështu ky fondacion i ka dhuruar një mjet lundrimi forcave të policisë që të lehtësojnë transportin e fëmijëve.
mit/NOA