Fushë-Krujë, 9 dhjetor, NOA – Dy persona ende të paarrestuar akuzohen në mungesë për një vrasje të mbetur në tentativë të kryer një ditë më parë. Dy autorët, që po procedohen në mungesë janë dy vëllezërit, 36 vjeçari Altin Isuf Gjoka banues në Fushë-Krujë dhe 32 vjeçari Artur Isuf Gjoka, punonjës policie në Burgun e Fushë-Krujës.
Procedimi penal ndaj tyre nisi për shkak se dje rreth orës 17.00, në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë tentuar të vrasin me pistoletë për motive të dobëta 20 vjeçarin me iniciale E.D.
Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme në Fushë-Krujë, dhe sipas policisë rezultoi se punonjësi i burgut Artur Gjoka, pas një debati të çastit me shtetasin E.D., ka qëlluar me pistoletë në drejtim të tij duke e plagosur në dorën e djathtë.
I dëmtuari është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut per jetën.
Policia po vijon operacionin për kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje, të cilët janë shpallur në kërkim.
mit/NOA