Uashington, 9 dhjetor, NOA – Gjatë vizitës që po zhvillon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ministri i Jashtëm Haxhinasto, është takuar me kongresmenët e njohur amerikanë Eliot Engel, si edhe Gary Peters; njohës të mirë të çështjes shqiptare.
Gjatë këtyre takimeve, u diskutua mbi progresin e arritjet e Shqipërisë, rolin dhe kontributin e saj si anëtare e NATO-s në stabilitetin e rajonit, por edhe Kosova dhe procesi i njohjeve të reja të pavarësisë së saj, ishte një nga pikat kryesore të këtyre bisedave.
Para Engelit, Haxhinasto vlerësoi lart rolin dhe kontributin e veçantë që ai ka dhënë për Shqipërinë dhe shqiptarët, si dhe për njohjen e shtetit të ri të Kosovës.
Nga ana a tij, kongresmeni Engel vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në këto vitet e fundit dhe rikonfirmoi angazhimin e tij për çuarjen më tej të procesit të njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Ndërsa para kongresmenit Peters, Haxhinasto bëri një prezantim të reformave dhe arritjeve të qeverisë shqiptare në këtë drejtim, si dhe prezantoi arritjet në fushën ekonomike.
Gjatë takimit u bisedua mbi rolin e rëndësishëm që Shqipëria ka luajtur dhe vazhdon të luajë në stabilitetin e Ballkanit dhe prosperitetin e rajonit.
Duke iu referuar faktit se në Shtetin e Miciganit ka një prani të konsiderueshme të diasporës shqiptare, nga ana e tij, kongresmeni Peters shprehu gatishmërinë për të ndihmuar në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve.
Ai u shpreh se komuniteti shqiptar është një komunitet dinamik dhe mjaft mirë i integruar në jetën e biznesit amerikan dhe shtoi se do të mbetet një mik i Shqipërisë dhe i të gjithë shqiptarëve