Uashington, 9 Dhjetor 2010 NOA - Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë kontributin e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe e konsiderojnë atë si një aleat të vyer. Mesazhi është dhënë nga sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, në përfundim të takimit me ministrin e Jashtëm shqiptar, Edmond Haxhinasto.
“Diskutuam për një sërë çështjesh. Shqipëria është një partner dhe aleat i rëndësishëm”, ka deklaruar Clinton.
Edhe Haxhinasto, në një intervistë për Zëri i Amerikës, ka deklaruar se në takimin me zonjën Clinton u riafirmuan raportet e ngushta mes dy vendeve.
“Synimi i takimit ishte riafirmimi i miqësisë së jashtëzakonshme mes Shqipërisë dhe SHBA, si dhe diskutimi i axhendës bilaterale për rritjen e volumit të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve”, ka pohuar Haxhinasto.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar rolin e vendit tonë si anëtar i NATO-s në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare.
“Kemi folur për rolin në rritje të Shqipërisë në përballimin e sfidave si anëtar i NATO-s. Është vlerësuar trajnimi që trupat shqiptare po u bëjnë atyre afgane”, ka nënvizuar Haxhinasto.
Ai ka bërë të ditur se temë tjetër e rëndësishme ishte ajo e rajonit të Ballkanit, në veçanti për Kosovën dhe njohjet e mëtejshme të pavarësisë.
“Kemi folur edhe për rajonin, ku është vlerësuar kontributi i Shqipërisë. gjithashtu, është edhe për Kosovën. Me sekretaren Clinton kemi rënë dakord për krijimin e një dinamike të re për rritjen e njohjeve”, ka saktësuar Haxhinasto.
Në emër të qeverisë shqiptare, ai ka shprehur mbështetjen për zhvillimin e një procesi normal zgjedhor, si dhe për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.
I pyetur për publikimet e informacioneve sekrete në faqen Wikileaks, shefi i diplomacisë shqiptare është shprehur:
“Mendoj se është një ngjarje e pakëndshme, pasi mënyra sesi është përftuar ky informacion ka qenë joligjore dhe aspak kontribuuese për marrëdhëniet midis shteteve dhe sigurinë”.
e.r/NOA