English

Jakup Krasniqi: Në bisedimet Prishtinë-Beograd, jo për çështje politike

Prishtinë, 9 dhjetor, DW- Në bisedë me “DW” presidenti në detyrë i Kosovës. Jakup Krasniqi flet për fushatën aktuale zgjedhore, për subjektet politike serbe, për dialogun Prishtinë-Beograd.

“Konsideroj që pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet e kaluara për pushtetin lokal dhe tashmë çertifikimi i tetë subjekteve politike serbe për të garuar në zgjedhjet e përgjithshme, tregojnë në radhë të parë se komuniteti serbënë Kosovë po bëhet pjesë e proceseve demokratike dhe institucioneve kosovare, kjo padyshim që do t'i ndihmojë ata”, pohon ai.


Zoti president, jemi në mes të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme, cili është vlerësimi juaj për ecurinë e fushatës?

Po fushata ka filluar dhe mund të them se fillimet e saj janë mjaft të mira edhe pse jemi në fazën kur institucionet janë ose në dorëheqje ose në detyrë. Situata politike dhe e sigurisë është mjaft stabile, partitë politike në përgjithësi janë duke e bërë një garë korrekte, nganjëherë edhe më një gjuhë të ashpër të partive opozitare, në ndonjë rast edhe e paargumentuar, por edhe kjo është pjesë e fushatës dhe pjesë e proceseve demokratike nëpër të cilat po kalon Kosova. E rëndësishme është që nga këto zgjedhje do të dalin institucionet e reja mbi bazën e vullnetit të shprehur nga qytetarët e Kosovës.

Gjuha që po përdoret në fushatë nga partitë politike, është konform kodit të sjelljes ku partitë politike e nënshkruan këtë kod në praninë tuaj?

Realisht jo të gjitha subjektet politike janë duke e respektuar kodin e sjelljes për faktin që kodi i sjelljes më tepër preferon që gjuha e subjekteve politike në fushatë të jetë një gjuhë me e kulturuar, të ketë një mirësjellje dhe të jetë gjuhë e argumentuar. Jo vetëm partitë që e kanë nënshkruar kodin, por ka edhe disa parti të cilat herë pas here dalin jashtë këtij kodi.

Ka një numër shumë të madh të vëzhguesve që janë akredituar për këto zgjedhje, numri më i madh krahasuar me të gjitha zgjedhjet e shkuara. Shumë analistë thonë se kjo është një shfaqje e frikës për manipulim të zgjedhjeve?

Kjo është e vërtetë që ka një numër të madh vëzhguesish të subjekteve politike që janë akredituar dhe kjo ndoshta e ka edhe një anë pozitive, sepse partitë politike dëshirojnë të jenë të sigurta që vota e qytetarëve të shkojë aty ku është vullneti i tyre. Nëse është kjo arsyeja, ndoshta është mirë që ka shumë vëzhgues, në mënyrë që pas zgjedhjeve asnjë subjekt politik të mos ketë ankesa dhe asnjë subjekt politik të mos ketë arsye për ta kontestuar rezultatin e zgjedhjeve edhe pse prania e shumë vëzhguesve në qendrat e votimit dhe në vendvotime ndoshta krijon huti dhe vështirësi për zgjedhësit të cilët dalin për ta hedhur votën e tyre.

Serbët e kanë kuptuar se e ardhmja e tyre është në institucionet e Kosovës

Zoti president, një pjesë e serbëve do të marrin pjesë në zgjedhje, tashmë kemi tetë subjekte politike serbe të çertifikuara, mirëpo, kemi pjesën veriore të Kosovës ku disa përfaqësues të serbëve kanë thënë se nuk do të lejojnë hapjen e qendrave të votimit, cfarë u thoni serbëve?

Eshtë e vërtetë që një pjesë e madhe e komunitetit serb ka filluar ta kuptojë se perspektiva dhe e ardhmja e tyrë është në institucionet e Kosovës dhe të jenë pjesë intergruese e proceseve që po zhvillohen në Kosovë. Ne na vjen keq që disa politikanë serbë në Beograd u kanë bërë thirrje serbëve që mos të dalin në zgjedhje, por ka edhe të atillë që janë pajtuar me realitetin që është krijuar në Kosovë dhe u kanë bërë thirrje serbëve që të dalin në zgjedhje. Realisht gjendje më e pakuptimtë për serbët është pjesa veriore e Kosovës ku nuk ka sundim të rendit dhe ligjit. Megjithatë ne shpresojmë që edhe në pjesën veriore të Kosovës do të ketë qytetarë serbë që dëshirojnë të jenë pjesë e ndryshimeve demokratike që kanë ndodhur dhe pritet të ndodhin edhe në këtë pjesë të Kosovës.

Pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje, mund ta lehtësojë dialogun e ardhshëm, Prishtinë-Beograd?

Konsideroj që pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet e kaluara për pushtetin lokal dhe tashmë çertifikimi i tetë subjekteve politike serbe për të garuar në zgjedhjet e përgjithshme, tregojnë në radhë të parë se komuniteti serbënë Kosovë po bëhet pjesë e proceseve demokratike dhe institucioneve kosovare, kjo padyshim që do t'i ndihmojë ata. Por, serbët kanë edhe një arsye tjetër, që me Kushtetutën e Kosovës dhe me dokumentin gjithëpërfshirës të Marti Ahtisarit, serbëve u është bërë një ofertë e mirë që një shtet mund t'i bëjë një komuniteti pakicë dhe ne presim që serbët e Kosovës t'i shfrytëzojnë këto të drejta që ua ofron Kushtetuta e Kosovës dhe që më parë u ka ofruar dokumentit gjithëpërfshirës i presidentit Ahtisari.

Dialogu shqiptaro-serb nuk zhvillohet për çështje politike

Zoti president, kur do të fillojë dialogu Prishtinë Beograd?

Dialogu për disa çështje sië është të zhdukurit, dokumentacioni kadastral dhe eksponatet kulturore të antikës që i ka plaçkitur Beogradi janë zhvilluar edhe në të kaluarën. Tash në jemi në fushatën zgjedhore dhe presim që në muajin janar të krijohen institucionet që do të dalin nga zgjedhjet e 12 dhjetorit dhe me krijimin e institucioneve të reja unë mendojë se Kosova i ka të gjitha predispozitat që të fillojë dialogun për çështje që janë të interes të përbashkët për çështje që e ngrisin kualitetin e jetës. Ne e dimë që Kosova me Serbinë tani nuk bisedon për çështje politike, por bisedon për ndryshimin e kualitetit të jetës së qytetarëve të të dyja vendeve dhe këta qytetarë gjenden në të dyja shtetet tona. Janë shqiptarët në jug të Serbisë të cilët nuk e kanë jetën e mire, kanë vështirësi për të qarkulluar lirshëm në të dyja anët e kufirit. Ndërsa, në anën tjetër ne jemi të interesuar që edhe serbët e Kosovës të jenë pjesë e Kosovës dhe mos të kenë pengesa për të lëvizur lirshëm në drejtim të Serbisë. Por, në fund të fundit duhet të bisedohet edhe për dokumentat e Kosovës që nuk i pranon Serbia, pastaj tu mundësohet qytetarëve të Kosovës dhe mallrave kosovare që ta shfrytëzojnë territorin e Serbisë për të kaluar në vendet e ndryshme të Evropës.

Zoti president, e përmendët çështjen e shqiptarëve në jug të Serbisë. Do të jetë kjo një nga pikat e platformës së Prishtinës zyrtare në bisedimet me Serbinë?

Unë gjithmonë po i referohem rezolutës së fundit të OKB për bisedimet Prishtinë - Beograd dhe që i referohet kualitetit të jetës së qytetarëve. Realisht ne nuk mund të flasim me Serbinë vetëm për serbët e Kosovës të cilët e kanë një ofertë shumë serioze siç është pakoja e Marti Ahtisarit. Pra, unë konsideroj se pozita e serbëve në Kosovë është shumë më e mirë sesa që është pozita e shqiptarëve në Serbi, pra është e drejtë dhe obligim i yni që të kërkojmë një kualitet më të mirë të jetës së shqiptarëve në Serbi.

Mund të ketë Prishtina zyrtare një plan të ngjashëm për shqiptarët në Serbi siç kishte një plan të Ahtisarit për serbët në Kosovë?

Krasniqi: Ne synojmë integrimin në Bashkimin Evropian dhe Bashkimi Evropian ka vendosur standard për komunitetet pakicë. Nëse komuniteti serb ka standarde të ngritura në Kosovë, pse mos t'i ketë komuniteti shqiptar në Serbi.

Ndërkombëtarët vetëm lehtësues të dialogut Prishtinë - Beograd

Zoti president së fundi kemi paralajmërime nga shefi i UNMIK-ut në Kosovë Lamberto Zannieri se ai mund të ndihmojë në lehtësimin e dialogut Prishtinë - Beograd, madje ai thotë se në këtë pikë e ka mbështetjen e Ban Ki Mun-it. E mbështesni ju këtë angazhim të UNMIK-ut?

Pala kosovare gjithmonë ka pasur një respekt për prezencën e UNMIK-ut në Kosovë, tash jemi të vetëdijshëm që UNMIK-u është në fazën përfundimtare të misionit dhe së voni kryesisht ka qenë i përqendruar vetëm në pjesën veriore të Kosovës. Ne e vlerësojmë kontributin që ka dhënë zoti Zannieri dhe OKB-ja për pjesën veriore të Kosovës, ndonëse nuk ka qenë i mjaftueshëm. Tash Kosova është shtet i pavarur dhe sovran i njohur nga 72 vende të botës, i anëtarësuar në FMN dhe në Bankën Botërore dhe mendoj se tani jemi në fazën kur bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të bëhen pa ndonjë ndërmjetësim të madh ndërkombëtar. Për t'i lehtsuar bisedimet Prishtinë Beograd, mund të angazhohet edhe shefi i UNMIK-ut edhe Bashkimi Evropian, mund të jenë edhe përfaqësuesit e misionit EULEX, por gjithnjë duke theksuar se pala ndërkombëtare mund të jetë gjithnjë vetëm si lehtësues i dialogut Prishtinë-Beograd.

Zoti President, veriu i Kosovës është pjesa më problematike që mund të jetë në bisedimet Prishtinë Beograd, do të bisedohet për ndonjë status të veçante në kuadër të Kosovës per veriun e saj i banuar më shumicë serbe?

Deri tani në asnjë nivel politik nuk është shtruar çështja që të bisedohet për diçka që është drejt hapjes së planit të Marti Ahtisarit. Ne mendojmë se krejt ajo çfarë mund të bisedohet është që duhet të kërkohet që Beogradi të mos përzihet në jetën politike dhe në atë të sigurisë, si dhe në jetën institucionale në Kosovë. Pala kosovare ka të drejtë të kërkojë ndërprerjen e këtyre ndërhyrjeve të Serbisë në atë pjesë të Kosovës dhe pastaj të fillojnë bisedat në kushte të barabarta dhe me qëllimin që jo vetëm ta lehtësojmë komunikimin e serbëve të asaj pjese me Serbinë por për të lehtësuar komunikimin në përgjithësi të Kosovës me Serbinë. Nëse hapen bisedimet që janë jashtë pakos së Marti Ahtisarit, atëherë ato nuk janë bisedime për të ndryshuar kualitetin e jetës së qytetarëve, por ato do të merrnin karakter politik dhe Kosova nuk është e përgatitur për këtë lloj bisedimesh.

Zoti president, këtë që e thoni, është kusht i Prishtinës zyrtare që dialogu me Beogradin mund të fillojë vetëm atëherë kur Beogradi nuk ndërhynë në veriun e Kosovës?

Për kushtet dhe pikat e bisedave me Serbinë do të vendosin institucionet që dalin nga zgjedhjet e përgjithshme. Por, unë mendoj se ky kusht nuk do të duhej të ishte kusht i vetëm i Prishtinës por edhe i Bashkimit Evropian ku Serbia tenton të bëhet pjesë integruese në BE, që Serbia të hiqte dorë nga të gjitha llojet e ndërhyrjeve brenda kufijve të shtetit të Kosovës.

DW

KOMENTE