English

KMDLNJ dënon vrasjen e Shefko Sallkoviq dhe plagosjen e Edin Islamoviq

Prishtinë, 9 Dhjetor 2010 NOA - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut dënoi sot krimin e ndodhur dje më 8 dhjetor, ku në një pritë të organizuar në fshatin Postenje të Leposaviqit është vrarë Shefko Sallkoviq dhe është plagosur rëndë Edin Islamoviq.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut tha se dënon me forcë vrasjen e Shefko Sallkoviqit dhe plagosjen e Edin Islamoviqit.

Sipas KMDLNJ kjo vrasje është një sulm që ka për qëllim përhapjen e frikës për të gjithë ata që tentojnë të bëhen pjesë e procesit të integrimit të veriut në Institucionet e Kosovës. “Ky rast tregon se sa serioze është situate e sigurisë në atë pjesë të Kosovës dhe sa është e rrezikuar jeta e qytetarëve atje nga strukturat kriminale. Ky rast ka ndodhur pikërisht në ditën kur strukturat paralele serbe kanë filluar fushatën kundër marrjes pjesë të serbëve në zgjedhjet e Kosovës”, - vë në dukje KMDLNJ

Organizata thotë se kërkon nga organet përgjegjëse që të ndërmarrin masat e nevojshme për identifikimin e autorëve të krimit dhe vënien e tyre para drejtësisë.

KMDLNJ kërkon me ngulm që institucionet e Kosovës të zbardhin rastin e vrasjes dhe plagosjes, në të njëjtën kohë së bashku me EULEX dhe KFOR duhet të marrin masa për të mbrojtur jetët e qytetarëve të kësaj pjese të Kosovës

Moszbardhja e këtij rasti dhe rasteve të tjera është një sinjal i keq për sigurinë dhe rendin në Kosovë. Krimet e pandriçuara në pjesën veriore kanë krijuar një oazë për kriminelët dhe strukturat kriminale atje.

a.b/NOA

KOMENTE