Shkodër, 9 Dhjetor 2010 NOA - Komuniteti Mysliman i Shqipërisë bën konkretizimin e fushatës së shpallur para pak ditësh për solidarizimin dhe ndihmën për banorët e dëmtuar nga përmbytjet e fundit në pjesën më të madhe të vendit e sidomos në zonën e Shkodrës.
Kështu sot ka nisur të dërgohet kontingjenti i parë i ndihmave në rrethin e Shkodrës.
Ky kontingjent përbëhet nga 700 paketa me ushqime me një peshë rreth 8 tonë dhe do të dërgohet me dy kamionë dhe do të dorëzohen rreth orës 11.00 pranë magazinave qendrore të shtabit të emergjencës në zonën e Gjadrit.
Gjithashtu ditën e sotme, Kryetari i Komunitetit Mysliman H. Selim Muça, i shoqëruar nga anëtarë të tjerë të kryesisë, do të bëjë një vizitë në shtabin e emergjencës në prefekturën e Shkodrës në orën 12.00, ku do të njihen nga afër me situatën e krijuar nga përmbytjet në këtë zonë.
e.r/NOA