Tiranë, 9 dhjetor, NOA – Ndërkohë që kryesocialisti Edi Rama bëri sot fajtor për përmbytjet në Shkodër dhe situatën e emergjencës atje, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e energjitikës, Ilir Meta në një kundërpërgjigje zëvendësministri i Energjitikës dhe anëtar i LSI-së, Sokol Dervishaj e cilësoi qesharak komunikimin e edi Ramës, i cili sikundër tha Dervishaj, u shfaq i dëshpëruar jo për situatën e emergjencës në zonën e përmbytjeve, por për shkak të organizimit dhe mobilizimit të jashtëzakonshëm të gjithë shtetit për përballimin e situatës dhe normalizimin sa më të shpejtë të saj. Zëvendësministri Dervishaj nënvizoi se edi Rama në fakt dëshmoi se është i dëshpëruar pasi kontributi dhe angazhimi maksimal i shtetit në përballimin e kësaj emergjence humanitare në Shkodër është lëvduar edhe nga partnerët e BE-së dhe NATO-s.
Në një konferencë për shtyp, Dervishaj tha se “Kryetari i Partisë Socialiste u rishfaq i dëshpëruar, por jo për situatën e emergjencës natyrore në veri të vendit dhe normalizimin e saj sa më të shpejtë dhe për ndihmën e jashtëzakonshme që po u jepet qytetarëve të Shkodrës dhe zonave përreth, por për për mbështetjen e madhe dhe solidaritetin ndërkombëtar, që Shqipëria po merr nga partnerët e saj kryesorë të NATO-s dhe BE-së, të cilët po kontribuojnë dhe koordinojnë së bashku me strukturat e specializuara të Shtetit Shqiptar në një operacion të pashembullt evakuimi nga uji, toka dhe ajri, si dhe nëpërmjet ndihmave materiale, mjekësore e ushqimore për banorët që vuajnë këtë fatkeqësi natyrore”, tha zoti Dervishaj.
Ai tha ndër të tjera se Rama dukej edhe më fatkeq sot kur shqiptarët janë solidarizuar me banorët që vuajnë pasojat e kësaj situatë të paprecedent, ndërkohë qe ai nuk ka se kë të mbledhë në protestat e tij butaforike, e dje gjeti kohë t’i fuste dhe në sherr anëtarët e përmbytur të partisë së tij në Shkodër.
E në këtë kontekst ai i rikujtoi kryebashkiakut Rama se si nuk pyeti fare për ata banorë të Tiranës që u përmbytën pak vite më parë kur hapi portat e digës së Liqenit Artificial, dëme për të cilat ende nuk ka kërkuar falje publike.
Sipas Dervishaj, Rama shfaqi përsëri dëshpërimin e tij të thellë që nuk ka mundësi të shfaqë papërgjegjshmërinë e radhës në Kuvend, sepse deputetët janë pranë banorëve të përmbytur e nuk kanë mundësi të marrin pjesë në shfaqjen e absurditetit, që Rama ishte përgatitur t’u ofronte shqiptarëve.
Dervishaj nënvizoi se deklarata e Ramës shfaqi dëshpërimin edhe për vendimin e ERE-s për të mos rritur çmimin e energjisë për konsumatorët duke i djegur kështu një kartë të rëndësishme në mendjen e tij për mitingjet e protestat.
E në këtë kontekst, Dervishaj e akuzoi Ramën se sot iu turr KESH-it për shkak se KESH-i prodhon sot energji më shumë se më parë, duke garantuar furnizimin me energji elektrike të konsumatorit të brendshëm.
“Në situata të tilla emergjence, kur rreshjet nuk mund të kontrollohen, kur prurjet e lumenjve kanë thyer rekordet e tyre historike, zoti Rama po thyen një rekord negativ të shpërdorimit të fatkeqësisë dhe përhapjes së panikut dhe mezi u kujtua gjatë një turi turistik në Shkodër të çonte dhe një kamionçinë me disa shishe ujë të molepsur”, ironizoi zëvendësministri i Energjitikës, Sokol dervishaj fushatën e ndihmave të ndërmarrë nga kreu i PS-së.
mit/NOA