Uashington, 9 Dhjetor 2010 NOA - Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto, në kuadër të vizitës zyrtare tre ditore në SHBA, zhvilloi sot një takim me Sekretaren e Shtetit, znj. Hillari Klinton. Në këtë takim, Sekretarja Klinton pranoi ftesën e ministrit të Jashtëm për të vizituar Shqipërinë.
Pas takimit, në një konferencë për shtyp, znj. Klinton i uroi mirëseardhjen kolegut të saj nga Shqipëria, ministrit të Jashtëm, z. Edmond Haxhinasto.
Znj. Klinton theksoi se në këtë takim, u diskutua në lidhje me shumë çështje të cilat ndajnë Shqipëria dhe SHBA si partnere dhe aleate në NATO. Znj. Klinton e vlerësoi Shqipërinë si një vend mik me të cilën SHBA ka marrëdhënie të shkëlqyera.
Në fjalën e tij, ministri Edmond Haxhinasto, shprehu kënaqësinë e veçantë për këtë takim miqësor me Sekretaren amerikane të Shtetit.
Ai theksoi se SHBA, janë një aleat strategjik i Shqipërisë dhe një partner me të cilin vendi ynë ndan sfidat jo vetëm në kuadër të NATO-s, por gjithashtu edhe për një axhendë dypalëshe.
Haxhinasto nënvizoi se SHBA, ka qenë gjithmonë mbështetëse për të gjitha gjërat e mira që kanë ndodhur në Shqipëri, për konsolidimin e demokracisë në vend si dhe për kontributin e çmuar në rajon.
Ai shprehu dëshirën për një avancim të mëtejshëm të axhendës bilaterale mes dy vendeve tona, duke forcuar lidhjet ekonomike dhe miqësinë ekzistuese.
Në këtë takim, në kuadrin e bashkëpunimit dy palësh, Sekretarja Klinton shprehu mbështetjen e SHBA-ve për projektet e rëndësishme energjitike, rajonale ku përfshihet Shqipëria.
Ajo shprehu gjithashtu një falënderim të veçantë për qëndrimin e Shqipërisë ndaj Kosovës.
e.r/NOA