English

Përmbytjet në Shkodër, QSUT, vë në punë telemjekësinë

Tiranë, 9 dhjetor, NOA – Shkodra, kryeqendra jo vetëm e veriut të vendit, por edhe e Shqipërisë në këto momente katastrofe humanitare pas përmbytjeve të nëntë ditëve më parë, që e kthyen këtë qark në një liqen të madh, është bërë edhe lajtmotivi i nisjes së Telemjekësisë, kësaj mënyre të re lidhjeje dhe konsultimi mes mjekëve për diagnostikimin e sëmundjeve të ndryshme, e cila u vu në provë për herë të parë sot në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, përmes një komunikimi që drejtuesit e QSUT-së, patën me ministrin e Shëndetësisë Petrit Vasili, i cili ndodhej në Shkodër, pranë zonave të përmbytura. “Është një kënaqësi e veçantë që jam sot këtu në përurimin e kësaj aparature, e cila po na lidh sot me qytetin e Shkodrës, i cili është duke kaluar një situatë të vështirë. Me anë të telemjekësisë ne tashmë do të jemi më afër, për të ofruar ndihmë mjekësore edhe gjatë kësaj periudhe gatishmërie”, pohoi gjatë kësaj lidhjeje, Drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku.

Ivziku tha se ky investim është shumë i rëndësishëm, për trajtimin e rasteve të rënda në QSUT, por edhe ofrimin e ndihmës për mjekët e spitaleve të rretheve.

Nga krahu tjetër i lidhjes, Ministri i Shëndetësisë e cilësoi lidhjen e mjekëve mes telemjekësisë si një nga sukseset me të mëdha në fushën e shërbimit shëndetësor gjatë këtyre viteve.

“Ndihma që kolegët do të marrin përmes njeri-tjetrit për trajtimin e rasteve të rënda është, pikërisht për përcaktimin dhe diagnostifikimin e sëmundjeve të ndryshme të vendit. Ky shërbim tashmë është në 6 qytete të vendit i cili do të mundësojë komunikim si jashtë ashtu edhe jashtë Shqipërisë”, nënvizoi ministri i Shëndetësisë.

Sipas tij, ky shërbim do të sjellë heqjen e transportit të panevojshëm të pacientëve drejt Tiranës si dhe do të ndihmojë për konsultat mes mjekëve të Shkodrës dhe specialistëve të QSUT-së.

Ndërsa, Drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero e cilësoi shërbimin si arritjen më të madhe për vetë faktin, se ai do të mundësojë trajtim dhe ndërhyrje tek pacienti edhe përmes këshillave të emrave më të njohur në botë.

Telemjekësia është projekt në nivel kombëtar dhe do të shtrihet në Vlorë, Kukës, Korçë, Shkodër, Tiranë dhe Durrës.

Ky shërbim rrit aftësinë diagnostifikuese ku diagnozat do të vendosen në kohë rekord dhe pa shpenzime.

mit/NOA
KOMENTE