English

PS akuzon policinë: Tirana bastion i krimit, 40 % e krimit këtë vit në kryeqytet

Tiranë, 9 dhjetor, NOA – Pas analizës së sotme të Policisë së Shtetit ku flitej për arritjet e uniformave blu në sigurimin e jetës së qytetarëve dhe të pronës, Partia Socialiste ka akuzuar pasdite policinë e shtetit se fuqia zbuluese e policisë ndaj krimit dhe kriminelëve është ulur ndjeshëm, duke bërë që gjatë vitit 2010 krimi në kryeqytet të njohë një rritje dramatike krahasuar me një vit më parë. Deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Lutaj në një reagim për mediat theksoi në këtë suazë se është rritur numri i vrasjeve, gjë që sipas tij konfirmon shqetësimin e madh të qytetarëve të Tiranës sa i përket sigurisë së jetës. Ai numëroi në këtë kontekst 23 vrasje të ndodhura në kryeqytet gjatë vitit, afërsisht rreth 2 vrasje në muaj, nga të cilat Lutaj tha se janë zbuluar vetëm 17.

“Po tu referohemi shifrave që janë paraqitur sot mund të themi se Tirana është kthyer tanimë në një bastion të krimit, pasi rreth 40 përqind e të gjitha krimeve që kryhen në shkallë vendi, ndodhin pikërisht në Tiranë”, tha deputeti Lutaj.

Ai nënvizoi në këtë kontekst rritjen e numrit të ngjarjeve kriminale nëpër shkollat e kryeqytetit, ku vetëm muajin e fundit janë shënuar dy ngjarje të rënda, ajo në gjimnazin “Sami Frashëri” dhe në atë “Eqerem Çabej”, ku u plagosën përkatësisht 6 gjimnazistë.

Po kështu Lutaj shprehu shqetësimin se edhe përdorimi i drogës dhe shtimi i ndjeshëm i përdoruesve dhe i krimeve që lidhen me këtë dramë sociale është kthyer po ashtu në një plagë të madhe për qytetarët e Tiranës.

Vjedhjet e bankave dhe institucioneve private financiare janë bërë tashmë karakteristikë të kriminalitetit në Tiranë, informoi deputeti socialist, duke theksuar se vetëm në muajin nëntor në mes të Tiranës, u plagos gjatë vjedhjes me armë punonjësja e arkës së Postës.

Por, deputeti Lutaj është ndalur edhe tek vjedhjet me maska, të banesave, të makinave, të çantave e varëseve, të papasqyruara nga policia në raportin e vitit, frekuenca e të cilave është rritur me plot 291 raste të tilla, nga të cilat vetëm 31, janë zbuluar.

“Fshehja e kriminalitetit nga vetë organet ligjzbatuese: mosregjistrimi i kallëzimeve, sorrollatja e qytetarëve sa nga njëri komisariat në tjetrin dhe pengesat burokratike gjithfarësh, synojnë fshehjen e numrit të krimeve”, tha Lutaj, duke argumentuar se treguesit e rritjes së kriminalitetit flasin për paaftësinë dhe dështimin e kësaj qeverie, të Ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha dhe të vetë kryeministrit Sali Berisha, të cilët sikundër tha ai, “në vend që të adresojnë veprimtarine e tyre në mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve e kanë mendjen të bëjnë batuta e të hedhin baltë mbi opozitën”.

mit/NOA
KOMENTE