English

PS shpërndan ndihma për banorët e Shkodrës

Shkodër, 9 dhjetor, NOA - Deputetët socialistë Ilir Beqja dhe Astrit Beci kanë shpërndarë ndihma për familjet e dëmtuara nga përmbytjet në zonën e Shkodrës. Ndihmat që përmblidhnin ushqime, ujë të pijshëm dhe batanije ishin mbledhur nga strukturat e Partisë Socialiste. Deputeti i PS-së, Ilir Beqja në një prononcim për mediat tha se ky është një tjetër aksion për shpërndarje ndihmash për banorët e përmbytur. Me vullnetarët e PS-së dhe me strukturat që kanë vetë banorët po bëjmë shpërndarje ndihmash dhe do vazhdojmë edhe në ditët që vijojnë”, theksoi ai.

Kjo përpjekje e Partisë Socialiste ka pasur në fokus zonat e dëmtuara më rëndë nga përmbytjet ku lëvizja e mjeteve është ende e pamundur dhe ku vështirësitë në furnizimin e banorëve me mjetet bazë të jetesës janë ende tejet të rënda.

Edhe kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së sotme në mbrëmje të Shtabit të Emergjencës në Shkodër i falënderoi deputetët e PS-së si dhe strukturat e saj në rrethe për ndihmat e ofruara për banorët e Shkodrës.

Deputeti i PS-së, Andis Harasani ka vendosur të japë tri rroga të tij për t’u ardhur në ndihmë banorëve të qarkut të Shkodrës.

Ndihma financiare për Shkodrën kanë dhënë edhe deputetë të mazhorancës.

mit/NOA
KOMENTE