English

SHBA: Përparimi i Shqipërisë është dëmtuar nga korrupsioni dhe mosmarrëveshjet politike

Uashington, 9 Dhjetor 2010 / Zamira Edwards - Komisioni për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë i Kongresit Amerikan, që njihet edhe si Komisioni amerikan i Helsinkit, zhvilloi dje një seancë dëgjimore, për të diskutuar rreth përparimit që është bërë në 7 vende të Ballkanit Perëndimor dhe sfidat me të cilat përballen këto vende në të ardhmen.

Zv. ndihmës sekretari i Shtetit për çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, Tom Kantrimen, fillimisht vlerësoi se Shqipëria vazhdon të bëjë përparim të mirë drejt integrimit të plotë në institucionet euro-atlantike, duke shtuar se sfidat mbeten të shumta.

“Por ky përparim i Shqipërisë është dëmtuar nga korrupsioni dhe mosmarrëveshjet politike, përfshirë bojkotimin e parlamentit nga opozita. Mosmarrëveshje të tilla nuk i shërbejnë interesave të popullit shqiptar dhe duhet të marrin fund”, tha ai.

Zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit theksoi se pikërisht këto mosmarrëveshje politike ishin një prej arsyeve, të cituara nga Bashkimi Evropian, që Shqipërisë iu mohua muajin e kaluar dhënia e statusit kandidat për në BE.

Mbërthimi në këtë ngërç politik e ka penguar Shqipërinë të zbatojë reforma të rëndësishme në një numër fushash kyçe për procesin e anëtarësimit, citohet z.Kantrimen nga radio Zëri i Amerikës.

Kantrimen tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin qëndrimin e BE-së, që këto reforma të zbatohen, madje do ta ndihmojnë qeverinë shqiptare jo vetëm për ta ndihmuar Shqipërinë të anëtarësohet në BE, por sepse ato janë qenësore për mbarëvajtjen afat gjatë të demokracisë në vend.

Si zv.ndihmës sekretari i Shtetit Kantrimen edhe anëtarë të kongresit amerikan theksuan nevojën e vazhdimit të mbështetjes amerikane për avancimin e demokracisë në 7 vendet në fjalë të Ballkanit Perëndimor.

Nga ana tjetër, z.Kantrimen tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara për përparimin e këtyre vendeve, por në fund të fundit, theksoi ai, përgjegjësia për zgjidhjen e sfidave të mbetura bie mbi secilin nga këto vende dhe udhëheqësit e tyre.

Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Kroacia dhe Bosnje-Hercegovina kanë shënuar përparim drejt integrimeve euro-atlantike.

Sipas folësve në seancë, perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, është një prej motiveve më të forta të mundshme për t’i dhënë shtytje përparimit të deritanishëm në Ballkan.

Zv.ndihmës sekretari i Shtetit Tom Kantrimen tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin pranimin në BE të të gjitha vendeve të rajonit. Ai vuri në dukje se gjatë 10 vjetëve të fundit janë vërë re shenja inkurajuese në zhvillimin politik dhe ekonomik në rajon. Megjithë përparimin e bërë, tha Kantrimen, ende ekzistojnë sfida serioze.

Çështja më e rëndësishme për këto 7 vende, theksoi ai, që ndikon në anëtarësimin e tyre në institucionet euro-atlantike është përkushtimi për vendosjen e shtetit juridik.

Lidhur me Kosovën, në dëshminë e tij vetëm pak ditë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme të së dielës, zv.ndihmës sekretari i Shtetit Kantrimen shprehu shqetësim rreth mundësisë së dhunës gjatë zgjedhjeve.

“Fatkeqësisht, duket se janë vetëm serbët që po përdorin dhunën për të parandaluar serbët e tjerë që të marrin pjesë në zgjedhje.

Komuniteti ndërkombëtar dhe qeveria e Kosovës, tha ai, po bëjnë të gjitha përpjekjet për të bërë të mundur pjesëmarrjen e lirë të serbëve në këto zgjedhje.

Ai përsëriti qëndrimin e Shteteve të Bashkuara se statusi i Kosovës është përcaktuar një herë e përgjithmonë, duke cituar vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Zoti Kantrimen tha se ka ardhur koha që pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar të pranojë këtë fakt dhe të përpiqet për nxitjen e zhvillimit të Kosovës dhe integrimin e saj si partnere e përgjegjshme.

Kjo është në interes të popullit të Kosovës dhe gjithë rajonit. Fakti që 5 vende të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ka dobësuar ndikimin e bashkimit në Kosovë dhe në rajon, tha ai.

Megjithëse BE-ja është shumë aktive në Kosovë, ajo nuk ka krijuar besueshmëri në përpjekjet e saj për një të ardhme të Kosovës në radhët e saj. Sidoqoftë, shtoi ai, bashkëpunimi mes Shteteve të Bashkuara, NATO-s dhe vendeve evropiane është i ngushtë dhe i fortë.

Shtetet e Bashkuara mbështesin ofertën e BE-së për të ndërmjetësuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, i cili nxit bashkëpunimin e mirë mes fqinjëve lidhur me çështje praktike, përmirëson jetën e njerëzve dhe shanset e të dy vendeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ai shprehu besimin se BE-ja do të ndërmjetësojë këtë dialog në forma produktive, ndërkohë që pavarësia, sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës nuk janë çështje për t’u diskutuar.

e.r/NOA

KOMENTE