English

Shpërthen pakënaqësia e nxënësve shqiptarë në Manastir

Manastir, (Maqedoni), 9 dhjetor, NOA - Një grup i prindërve të nxënësve shqiptar të shkollës fillore “Goce Dellçev” në Manastir, zhvilluan sot një protestë ku kërkuan kushte më të mira mësimi për fëmijët e tyre.

“Fëmijët tanë mësojnë në kushte katastrofale, në një klasë që është e ndërtuar në shekullin 19. Aty ka hapësirë për 25 nxënës, ndërsa aktualisht mësojnë 34 nxënës”, deklaruan prindit.

Të njëjtin shqetësim ndanë edhe Alejdin Bajrami, njëri nga prindërit që kërkojnë të ndalojë diskriminimi i nxënësve shqiptar në Maqedoni.

Rreth 70 nxënës nga dy paralelet shqiptare, njëra e klasës së dytë dhe tjetra e klasës së pestë të shkollës “Goce Dellçev”, tashmë një javë bojkotojnë mësimin, shkaku i mungesës së kushteve elementare në ambientet ku janë vendosur tani.

Përfaqësuesi i prindërve, Sedat Demiri tha se, institucionet e shtetit janë të shurdhëra ndaj kërkesave të tyre.

“Ne jemi të vetëdijshëm se bojkotimin i mësimit është i dëmshëm për fëmijët. Por, megjithatë, qëllimi ynë është që të pranohen kërkesat tona. Institucionet e shtetit të mos qëndrojnë shurdhër ndaj kërkesa tona për kushte më të mira mësimi”, deklaroi Demiri.

Drejtuesit e shkollës thonë se, janë të vetëdijshëm se hapësira ku mësojnë nxënësi shqiptar nuk është e përshtatshme dhe se këtë çështje e kanë paraqitur para organeve kompetente prej të cilave presin instruksione.

NOA/INA

KOMENTE