English

Topalli-Arvizu: Parlamenti rol fondamental për integrimin

Tiranë, 9 dhjetor, NOA – Ndërkohë që raport-progresi i Komisionit Europian, vetëm një muaj më parë përmbante kritika për mosfunksionimin e parlamentit e për pasojë edhe brishtësinë e demokracisë në Shqipëri, kritika që sollën refuzimin nga BE për dhënien e statusit kandidat Shqipërisë edhe këtë vit, Kuvendit, Jozefina Topalli në takimin e saj të mirëseardhjes me ambasadorin e ri amerikan, Aleksadër Arvizu duke folur për punën e parlamentit gjatë kësaj kohe theksoi se Parlamenti ka luajtur sikundër edhe po luan një rol fondamental në reformat për zhvillimin dhe proceset integruese të Shqipërisë, dhe se përtej vështirësive artificiale, që deklarohen nga opozita, ajo tha se vetëm në këtë periudhë janë miratuar 300 ligje, vendime dhe rezoluta jetike për vendin. Duke i uruar mirëseardhjen në Shqipëri, kryeparlamentarja Topalli e siguroi ambasadorin Arvizu se shqiptarët janë populli më pro amerikan dhe se i janë shumë mirënjohës SHBA-ve për mbështetjen në shpalljen e pavarësisë, në krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës, në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe gjatë gjithë historisë së pluralizmit demokratik.

“Ne kemi bashkëpunim shumë të mirë me ju, do të dëshiroja shkëmbime edhe më të shpeshta me Kongresin Amerikan për të mundësuar shkëmbimin e eksperiencave me anëtarë të Kongresit si dhe njohjen më nga afër të Shqipërisë nga ana e tyre”, tha zonja Topalli.

Nga ana e tij, Ambasadori Arvizu duke shprehur konsideratën për kryeparlamentaren shqiptare dhe karrierën e saj gati 20 vjeçare politike, u shpreh se është e rëndësishme që bashkëpunimi mes tyre të jetë interaktiv dhe sa ai do të japë kontributin e tij në këtë drejtim.

Në faqen zyrtare të parlamentit bëhet me dije se dy autoritetet janë ndalur edhe në diskutimet për zhvillimet politike, pikë për të cilën ambasadori amerikan theksoi se respektimi i shtetit ligjor është shumë i rëndësishëm dhe SHBA-të i përmbahen fort vlerave dhe parimeve themelore të demokracisë.
Në këtë kontekst, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi shumë mbështetjen e Administratës Amerikane, që i jepet Shqipërisë përmes USAID-it në mënyrë të veçantë të projekteve të Sfidave të Mijëvjeçarit të Ri, si ato në luftën kundër korrupsionit, transparencës së institucioneve, dixhitalizimit të sistemit të bizneseve, taksave dhe doganave, etj.
Ambasadori amerikan shprehu mbështetjen e plotë të SHBA-ve për përballimin e situatës së përmbytjeve në Qarkun e Shkodrës, çka u vlerësua shumë nga Kryetarja e Kuvendit.

mit/NOA
KOMENTE