Besianë, 10 Dhjetor 2010 NOA - Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti tubimin e radhës me qytetarët e Besianës. Para mijëra llapjanëve tubimin e hapi kandidatja për deputete, Zanita Halimi e cila pasi përshëndeti llapjanët ftoi kandidatin për deputet, Glauk Konjufca që t’u drejtohet të pranishmëve.
I përcjellur me brohoritje të shumta “VETËVENDOSJE!, VETËVENDOSJE!”, Konjufca gjatë fjalimit të tij ndër të tjera tha se “Sot të gjitha rrugët në Kosovë të çojnë në VETËVENDOSJE!.
Populli po bashkohet dhe organizimi po forcohet. Qytetari po ngritet dhe vullneti po kalitet. Kombi po rritet dhe pushteti i korrupsionit po i numëron ditët e tij të fundit”. Konjufca shprehu bindjen se qytetarët do të zgjedhin atë që ndjejnë në zemrën e tyre “Më 12 dhjetor do të votohet për dy flamuj. Ose për flamurin e Ahtisaarit ose për flamurin e Adem Jasharit. Ose për negociata me Serbinë, ose për bashkim me Shqipërinë. Ne e dimë se populli i Kosovës do ta zgjedh amanetin e Zahir Pajazitit. Ai do ta zgjedh zemrën e vet, vullnetin e vet”. Konjifca ftoi qytetarët që të bashkohen në tubimin përmbyllës të fushatës së Lëvizjës VETËVENDOSJE!, si dhe që më 12 dhjetor së bashku ta heqim pushtetin i kaluar. “Më 10 dhjetor në Prishtinë, pushteti i deritashëm do të dridhet. Më 12 dhjetor ky pushtet do të hiqet”.
Pas Konjufcës, para qytetarëve folën edhe kandidatët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për deputetë, Ali Lahu, Majlinda Zhitia-Xhela, Fadil Fazliu, Berat Lahu, Sylejman Pireva, Miliam Kadriu, Xhelal Sveçla dhe Liburn Aliu.
Ata prezantuan pikat programore të Lëvizjes VETËVENDOSJE! si dhe ftuan qytetarët që të bashkohen në Lëvizje për ta ndërruar pushtetin që e harruan amanetin e Zahir Pajazitit, të Ilir Konushefcit si dhe të të gjithë dëshmorëve të kombit që ranë për liri e bashkim kombëtar.
Llapjanëve iu drejtua edhe kandidati, Rexhep Selimi i cili kritikoi ish-pushtetarët që e kanë sjellur vendin deri në këtë gjendje të rëndë shoqërore e politike. Selimi i ftoi qytetarët që ta mbështesin konceptin dhe programin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! i cili do ta nxjerrë Kosovën nga kriza ekonomike drejt bashkimit me Shqipërinë.
Ambasadori William Walker para qytetarëve të Besianës tha se duke qenë i pranishëm në tubimet madheshtore të Lëvizjes VETËVENDOSJE! tashmë është bërë aktivist i Lëvizjes. Walker kritikoi edhe mediat, për të cilat tha se nuk po e mbulojnë sa duhet aktivitetin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Ai i ftoi qytetarët që të mos frikësohen më 12 dhjetor nga ata që po tentojnë të paraqiten si trashëgimia e vetme e UÇK-se, por të bashkohen e të votojnë Lëvizjen VETËVENDOSJE! e cila në gjirin e saj ka ish-ushtarë e udhëheqës të luftës çlirimtare.
Me duartrokitje e brohoritje të shumta u prit edhe lideri i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti. Kurti potencoi që gjatë shekullit të kaluar trojet shqiptare janë përgjysmuar dhe po vazhdojnë të rrudhen.
Ai potencoi se presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka deklaruar para disa ditëve se nuk do të negocioi me Prishtinën, nëse ndërron situata në teren. Ai theksoi se ish-pushtetarët janë të gatshëm të negociojnë me Serbinë dhe se Tadiqi kur ka thënë se nuk do të hyjë në negociata nëse ndërron situata në terren, e ka pasur fjalën nëse fiton Lëvizja VETËVENDOSJE!, “e Lëvizja VETËVENDOSJE! do të fitojë për të mos negociuar me Serbinë për rrudhje të mëtejme të tokave shqiptare, por për të negociuar me Shqipërinë për bashkim”.
Albin Kurti e përmbylli tubimin duke i ftuar qytetarët që më 12 dhjetor të bashkuar të votojnë për ta ndërruar pushtetin dhe karakterin e shtetit duke votuar Lëvizjen VETËVENDOSJE!.
a.b/NOA