Prishtinë, 9 Dhjetor 2010 NOA Update - Pas një hetimi disa mujor nga Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, mbi 140 zyrtarë policorë angazhohen në realizimin e planit policor të koduar me emrin “Sim to Sim” duke kontrolluar dhjetëra lokacione në rajone të ndryshme të Republikës së Kosovës.
Pas një hetimi disa mujor të zhvilluar nga Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit (DHKEK) sot në orët e hershme të mëngjesit ka filluar operacioni policor i koduar me emrin “Sim to Sim”.
Me terminimin e trafikut të telefonisë apo siç njihet me “Sim to Sim” dyshohet se deri tani PTK-së i janë shkaktuar dëme në miliona euro.
Në këtë operacion që është në zhvillim e sipër janë angazhuar mbi 140 zyrtarë policorë përfshirë edhe ata nga njësitet e specializuara të PK-së si: Forensika, Teknologjia Informative, Njësitet Speciale Operative etj.
Operacioni që është duke u zhvilluar me urdhëresë nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka shtrirje të gjerë dhe atë në Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan dhe Pejë.
Deri tani janë kontrolluar mbi 30 lokacione të ndryshme në katër rajonet e lartcekura, janë konfiskuar pajisje të ndryshme të teknologjisë informative si dhe gjëra të tjera që dyshohet se janë përdorur për të mundësuar aktivitetin e kundërligjshëm “Sim to Sim”.
Operacioni është në zhvillim e sipër dhe burime zyrtare nga Policia e Kosovës i thanë agjencisë NOA se për detaje të tjera do të ketë informacion pas përfundimit të operacionit.
“Pasiqë operacioni policor Sim to Sim vazhdon gjatë gjithë natës, për shkak të lokacioneve të shumta ku janë duke u zhvilluar akoma bastisje, Policia e Kosovës do të organizojë konferencë për media nesër ku do të prezantohen informacione shtesë dhe disa nga pajisjet që dyshohet se janë përdorur për të mundësuar aktivitetin e kundërligjshëm “Sim to Sim””, - thuhet në komunikimin zyrtar me NOA.
Konferenca do të mbahet në sallën e konferencave në St. Policor Qendra në Prishtinë në ora 11: 30 dhe në panel do të jenë zyrtarë nga Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit.
a.b/NOA