English

Bashkë do të fitojmë!

Më 12 dhjetor, qytetarët e Kosovës nuk do të votojë për politikanët me histori të keqe që e kanë nxjerrë historinë e UÇK-së dhe të kombit prej institucioneve, sepse me 12 dhjetor qytetarët do të votojnë për politikanë me histori të pastër që institucionet e shtetit i bazojnë në historinë kombëtare dhe luftën e lavdishme çlirimtare

Nga Albin Kurti

Mirë se e gjejmë njëri-tjetrin në rrugën e popullit të drejtë këtu përballë ndërtesave të pushtetit të padrejtë.

Me 12 dhjetor, populli i Kosovës do të heq dorë nga Qeveria në dorëheqje dhe nga të gjithë ata që flirtuan me të.

Sepse, me 12 dhjetor, qytetarët e Kosovës nuk do të votojnë për premtimet e rrejshme të politikanëve të regjimit, por do të votojnë për programin e VETËVENDOSJE!-s për shtet pa regjime.

Me 12 dhjetor, qytetarët e Kosovës nuk do të votojnë për ish pushtetarët që e shitën pasurinë e Kosovës për t’u pasuruar vetë, sepse do ta votojnë programin e VETËVENDOSJE!-s që e përqafojnë e përfaqësojnë dhe e mbrojnë njerëz që kurrë nuk shiten.

Me 12 dhjetor, qytetarët e Kosovës nuk do t’i votojnë rrenat e hajnat e politikës së regjimit, sepse do t’i votojë politikanët e ndershëm e të vërtetë të VETËVENDOSJE!-s.

Me 12 dhjetor, qytetarët e Kosovës nuk do t’i votojnë politikanët që i kanë miq tregtarët që sjellin mallra prej Serbisë, sepse do ta votojnë VETËVENDOSJE!-n që do t’i bllokojë mallrat e Serbisë në kufi.

Me 12 dhjetor, populli i Kosovës nuk do t’i votojë politikanët që zgërdhihen me flamurin e kaltër me lara-lara, por do të votojnë për njerëzit krenarë të VETËVENDOSJE!-s me flamurin e kuq e shkabën dykrenare.

Me 12 dhjetor, qytetarët e Kosovës nuk do të votojnë për ish pushtetarët e korruptuar që duan ta frikësojnë popullin, sepse do të votojnë për VETËVENDOSJE!-n e pakorruptueshme që guxon ta duajë popullin.

Me 12 dhjetor, qytetarët e Kosovës nuk do t’i votojnë politikanët që bëjnë pazare me Serbinë për ta copëtuar Kosovën, sepse me 12 dhjetor ata do të votojnë për VETËVENDOSJE!-n që do të bëjë bisedime me Shqipërinë për t’ia bashkuar Kosovën asaj.

Me 12 dhjetor, qytetarët e Kosovës nuk do të votojnë për politikanë me truproja që iu ka ikur mendja, por për politikanët e mençur të VETËVENDOSJE!-s pa truproje.

Me 12 dhjetor, qytetarët e Kosovës nuk do të votojë për politikanët me xhipa të blinduar që i frikësohen popullit dhe duan ta frikësojnë popullin, sepse me 12 dhjetor qytetarët e Kosovës do të votojnë për politikanët e VETËVENDOSJE!-s që e duan dhe i do populli.

Me 12 dhjetor, qytetarët e Kosovës nuk do të votojë për politikanët që e nënshkruan çarmatosjen e UÇK-së dhe shuarjen e TMK-së, sepse do të votojnë për VETËVENDOSJE!-n që do ta shkruajë ligjin që e bën FSK-në ushtri.

Me 12 dhjetor, qytetarët e Kosovës nuk do të votojnë për politikanët e regjimit që i shkëmbejnë votat me asfalt, sepse me 12 dhjetor do të votojnë për politikanët e VETËVENDOSJE!-s që asfaltit duan t’ia shtojnë fabrikat.

Më 12 dhjetor, qytetarët e Kosovës nuk do të votojë për politikanët me histori të keqe që e kanë nxjerrë historinë e UÇK-së dhe të kombit prej institucioneve, sepse me 12 dhjetor qytetarët do të votojnë për politikanë me histori të pastër që institucionet e shtetit i bazojnë në historinë kombëtare dhe luftën e lavdishme çlirimtare.

Të dashur qytetarë të Kosovës,

A e doni pavarësinë me sovranitet? (Masa e qytetarëve përgjigjet: PO!)

A e doni ekonominë të bazuar në prodhim? (Masa e qytetarëve përgjigjet: PO!)

A e doni bukën e tokës së Kosovës? (Masa e qytetarëve përgjigjet: PO!)

A doni që FSK-në ta bëjmë ushtri moderne? (Masa e qytetarëve përgjigjet: PO!)

A e doni bashkimin e Mitrovicës? (Masa e qytetarëve përgjigjet: PO!)

A e doni flamurin shqiptar? (Masa e qytetarëve përgjigjet: PO!)

A e doni bashkimin kombëtar? (Masa e qytetarëve përgjigjet: PO!)

Atëherë me 12 dhjetor do ta ndërrojmë këtë pushet që ta ndërtojmë këtë shtet. Me VETËVENDOSJE!-n bëhemi një sepse jemi një.

Qytetarë të dashur të Kosovës,

Kur ne presim që punët tona t’i bëjnë të tjerët atëherë çdo gjë duket e pamundshme. Kur vendosim që punët tona t’i bëjmë vetë ne, atëherë po u bëmë bashkë, gjithçka bëhet e mundshme. Të tjerët na ndihmojnë pasi që ne të fillojmë. Ndihma nga jashtë i shtohet angazhimit tonë brenda dhe nuk mund ta zëvendësojë atë.

Evropianët dhe amerikanët çdo herë kanë qenë dhe gjithmonë do të jenë me neve atëherë kur ne jemi me veten tonë. Dhe, ne jemi me veten tonë atëherë kur vendosim vetë dhe kur vendosim për veten.

Me Lëvizjen VETËVENDOSJE! të gjithë njerëzit pa dallim kombësie, feje a gjinie, do të integrohen në një shoqëri të përbashkët përmes barazisë para ligjit të drejtë dhe zhvillimit ekonomik të bazuar në prodhim.

Përgjatë gjithë shekullit XX, çdokush që ka dashur të kontribuojë për çlirim nga shteti i Serbisë është dashur ta rrezikojë veten dhe familjen e tij. Sot, për t’u çliruar nga ky pushtet që e ka uzurpuar shtetin e Kosovës, nevojitet vetëm një orë kohë të dielen dhe një laps me vete.

Dilni në zgjedhjet parlamentare me 12 dhjetor dhe vetëm për një orë kohë e me një laps në dorë ndryshojeni përgjithmonë Kosovën. Vetëm për një orë e me një laps në dorë çlirojeni shtetin e Kosovës nga pushteti i korruptuar. Vetëm për një orë dhe me një laps në dorë vendosni për veten tuaj, vendosni shenjën te numri 40 dhe mandej përzgjedhni pesë persona nga 110 kandidatët e shkëlqyeshëm të VETËVENDOSJE!-s, zgjedhni pesë persona nga këta 110 kandidatë që kanë guxim qytetar, që kanë aftësi profesionale dhe që kanë kontribuar shumë për shoqërinë e kombin.

Me 12 dhjetor votoni për Prishtinën, votoni për Kosovën, votoni për shqiptarinë, vendosni për veten, votojeni vetëvendosjen, votojeni numrin 40.

Sot, e treguam dhe e dëshmuam, si asnjëherë më parë, se bashkë është e mundshme. Pasnesër, si asnjëherë më parë, do ta tregojmë e dëshmojmë që bashkë do të fitojmë.

(*) Fjalimi i Albin Kurtit në tubimin e madh në Prishtinë në ditën e fundit të fushatës zgjedhore, 10 dhjetor 2010

KOMENTE