Projekti prej 2 milion Euro, i financuar nga BE dhe Gjermania sponsorizon një konferencë për të diskutuar Raportin Analitik të KE-së dhe zhvillimet e mëtejshme
Tiranë, 10 Dhjetor 2010 NOA - Konferenca "Integrimi Evropia – Realitete dhe Perspektiva, në kuadrin e Raportit Analitik të Komisionit Evropian" u zhvillua sot, e sponsorizuar nga një projekt prej 2 milionë euro, financuar nga BE dhe Qeveria Gjermane, me titull "Mbështetje ndaj Ministrisë Shqiptare të Integrimit Evropian (SMEI II)".
Pjesëmarrësit në Konferencë, të cilët përfshinin autoritete qeveritare, Komisionin Parlamentar të Integrimit, organizata të shoqërisë civile dhe ndërkombëtare, diskutuan rezultatet e Raportit Analitik dhe rrugën e mëtejshme lidhur me planifikimin kombëtar për zbatimin e MSA-së dhe përafrimin e legjislacionit, ndërtimin e kapaciteteve për administratën publike në mënyrë që të arrihen sfidat e mbetura dhe rrugën përgatitore për negociatat e aksesimit.
Konferenca organizohet në vijim të publikimit në datë 9 nëntor 2010 të Opinionit të Komisionit Evropian mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE, i cili vlerëson se Shqipëria ka bërë progres të mirë në përgjithësi, por ka ende reforma të rëndësishme për të bërë. Një Raport Analitik i cili bën një analizim të gjendjes aktuale dhe jep drejtime të qarta lidhur me standardet që duhen plotësuar, përpara se Shqipëria të jetë gati të fillojë negociatat e aksesimit, shoqëron Opinionin e Komisionit.
BE-ja ka asistuar prej kohësh Shqipërinë në përgatitjen dhe përcaktimin e kushteve të duhura për aderim në Bashkimin Evropian. Projekti në vazhdim ndërtohet mbi përmirësimet e arritura në mënyrë progresive në të shkuarën dhe mbështet Ministrinë e Integrimit Evropian në mënyrë më të drejtpërdrejtë me objektiva dhe aktivitete, të cilat janë në përputhje me nevojat specifike aktuale të Shqipërisë.
Aktivitetet e projektit gjatë 14 muajve të fundit përfshijnë mbështetjen për përgatitjen e përgjigjeve të Pyetësorit të BE-së; vendosjen dhe konsolidimin e strukturave koordinuese ndër-institucionale që kanë të bëjnë me integrimin në BE; trajnimin e 522 anëtarëve të grupeve të punës ndër-institucionale; prezantimin e një formati të ri për analizimin e mangësive ligjore dhe tabelave të përputhshmërisë për të vlerësuar përshtatjen e legjislacionit aktual Shqiptar me atë të BE-së; prokurimin e një programi profesional lidhur me përkthimet kompjuterike; publikimin e broshurave mbi MSA dhe institucionet e BE-së; këshilla strategjike mbi përgatitjen afat-gjatë të negociatave për anëtarësim në BE; zhvillimin e një plani për trajnim të administratës publike mbi çështjet e BE-së; dhe zhvillimin e aktiviteteve të komunikimit me objektiv procesin e integrimit Evropian të Shqipërisë.
Gjatë Konferencës, I Ngarkuari me Punë i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Z. Luigi Brusa, theksoi natyrën gjithë-përfshirëse të programit të integrimit në BE, duke thënë se "Integrimi në BE nuk është vetëm detyrë e përditshme e Ministrisë së Integrimit Evropian, por është një çështje që i përket të gjithë administratës publike". Ai theksoi se eksperienca nga vendet e tjera aderuese ka treguar se zhvillimi i kapaciteteve institucionale dhe faktori njerëzor kanë qenë elementet kryesorë për progresin, dhe nënvizoi se "Integrimi në BE bëhet një projekt i pamundur nëse nuk ka reforma në administratën publike të cilat të sigurojnë punonjës civil profesionalë, të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm".
Projekti në vazhdim prej 2 Milion Euro do të vijojë të mbështesë kapacitetet e Ministrisë së Integrimit Evropian deri në vitin 2011.
e.r/NOA