Tiranë, 10 dhjetor, NOA – Kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza të ashpra ndaj kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama në lidhje me debatin për menaxhimin e situatës së përmbytjeve në Shkodër. Berisha u shpreh se zhvillimi më pozitiv në gjithë operacionet ka të bëjë me mos pasjen e asnjë jete të humbur.
Berisha u shpreh se është i papranueshëm reagimi i kreut të PS-së që nuk vlerëson këto operacione dhe nuk e quan sukses mos humbjen e asnjë jete njerëzore.
“Vlerësimi i operacioneve bëhet me jetët e shpëtuara në çdo vend. Të zemërohesh se qenka thënë se, fatmirësisht nuk kemi jetë të humbura, dëshmon se je i aftë të hedhësh valle mbi kufoma. Kjo është makabritet, si mund të nxjerrësh fjalë të tilla. Është fat i madh që nuk patëm humbje në njerëz. Për shoqërinë s’ka asgjë më të çmuar se jeta”, tha sot në mbledhjen e qeverisë kryeministri Sali Berisha.
Berisha ju referua deklaratave të kreut të PS-së, ku ky i fundit u shpreh se qeveria duhet të bëjë me shumë dhe të mos mjaftohet vetëm me shpëtimin e njerëzve.
“Dëgjova dje z. Rama që përsëriste se pse kam deklaruar se nuk kemi humbje jetësh njerëzore. Nuk më besohej. Ajo që ke deklaruar është më e paimagjinueshme, të nxjerr ty 10 herë më keq sesa ke dalë në plazhe dikur. Ata burra dhe gra rrezikuan me dhjetëra e qindra herë për të shpëtuar jetë njerëzish. E para dhe mbi të gjitha është shpëtimi i jetës së njerëzve”, tha Berisha.
Kreu i qeverisë u ndal dhe në shkrimet e botuara në media gjatë ditës së sotme. Ai tha se mediat e kontrolluara nga Rama po përpiqen të dekurajojnë njerëzit në Shkodër.
“Mësoje z. Rama se Shkodrës kurrë nuk ja ka prerë kush shpresën, as ati yt shpirtëror”, tha Berisha.
a.k/NOA