English

Edhe pas zgjedhjeve, dyshime për ndryshime

Fushata, përjashtuar fjalorit injorant në disa raste ka shkuar mirë. Premtimet që joshin janë garant për rritjen e votave. Nuk ka kandidat që garon, në asnjë vend të botës , qoftë ai edhe me një demokraci përrallore e që do të kërkon votën duke e treguar krejt të vërtetën. Nëse dikush ka të drejtë ta sulmojë pozitën për mosrealizimin e premtimeve ata janë vetëm dy subjektet e reja garuese, FER dhe Vetëvendosje! Vetëm këto dy subjekte garuese nuk i kanë rënë bakllavasë sepse nuk kanë pasur rastin!

Nga Bexhet Shala*

Një historik i shkurtër: Për të gjithë ata që nuk e dinë apo nuk duan ta dinë, më duhet t’u përkujtoj se Kosova është një shtet që ende është duke i bërë hapat e parë në ndërtimin e shtetësisë. Ka një “mbikqyrje” të fortë ndërkombëtare e cila është ambalazhuar si monitoruese , këshillëdhënëse dhe lehtësuese duke i ruajtur disa të drejta për vendimmarrje të faktorit ndërkombëtar. E vërteta është se faktori ndërkombëtar e ka votën deliberative (përcaktuese) për çdo gjë në Kosovë, përjashtuar këtu përgjegjësinë e cila adresohet kryesisht te institucionet e shtetit njomëzak të Kosovës!

Politikanët e Kosovës nuk ushtrojnë sovranitet as mbi institucionet që i drejtojnë e lëre më në tërë territorin e Kosovës. Sovraniteti në Kosovë është i barasvlefshëm me përmbajtjen e pavarësisë së shtetit! Kufijtë shtetërorë janë kryesisht kufij administrativë me përjashtim kufiri me Maqedoninë, i cili u bë shtetëror vetëm pasi paguam një çmim të caktuar duke humbur një pjesë të territorit gjatë procesit të demarkacionit të kufijve! Edhe kufiri me Malin e Zi do të bëhet shtetëror pas demarkacionit, i cili gjithashtu do ta gjymtojë territorin e Kosovës duke i marrë edhe më shumë territor se Maqedonia!

Me Shqipërinë duket se nuk do të kemi probleme të kësaj natyre shkaku se Shqipëria nuk po tregon asnjë interesim për t’i marrë territor Kosovës.

Në rrethana normale, Shqipëria do të duhej të tregonte interesim për tërë territorin e Kosovës, si pjesë e shkëputur padrejtësisht nga trungu i saj! Tash na ka mbetur kufiri me Serbinë, fqinjin tonë i cili po sillet si të ishte zot shtëpie në Kosovë! Serbia në Kosovë po e luan lojën e cic-micit politik duke e bërë shylevek në tërë kufirin e saj. Serbia po përpiqet që kufirin me Kosovën ta konservojë si administrativ e që ka arritur deri më sot ndërsa si alternativë më të “keqe” për të e ka ruajtur mundësinë “merr sa të duash nga territori i Kosovës”.

Ky është realiteti në Kosovë dhe duket edhe çështja për të cilën do të bisedohet me Serbinë. Nga kjo del se Veriu i Kosovës është i ndarë dhe se komunat e decentralizuara kanë krijuar një homogjenitet etnik dhe politik! Prandaj, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e kësaj çështjeve të gjitha subjektet garuese premtojnë bashkimin e Mitrovicës ndonëse e dinë se nuk mund të bëjnë asnjë lëvizje në këtë drejtim dhe se çdo kërcënim për ribashkim të dhunshëm vetëm sa e shpejton edhe ndarjen faktike!

Në rastin konkret përdorimi i fjalëve të forta është retorikë për një përdorim i cili nuk prodhon asnjë efekt pozitiv! Ata që realisht kanë mundësi ta bëjnë ribashkimin e kësaj pjese të Kosovës nuk e bëjnë por këtë çështje e kanë shndërruar në një konflikt të ngrirë i cili e bënë Kosovën si një fotokopje të shëmtuar të Federatës së Bosnjë dhe Hercegovinës! Vetëvendosja që për herë të parë po garon në zgjedhje ka qenë e pakompromis në qëndrimin e saj për rikthimin e sovranitetit në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe bashkimin me Shqipërinë. Asnjëherë nuk ka lëvizur nga ky pozicion. Edhe disa partiza që nuk e kanë kaluar as 0.5% të votave janë angazhuar për bashkimin me Shqipërinë e që në fakt nuk kanë pasur asnjë ndikim!

Befasitë e mundshme të këtyre zgjedhjeve:

Kemi sondazhet e rezultateve të mundshme të këtyre zgjedhjeve, të pavarura, të subjekteve garuese, të ambasadave dhe të shërbimeve informative dhe kundër-informative! Sondazhi i fundit i Klubit për Politikë të Jashtme shkaktoi tërmet te shumica e subjekteve politike të cilat, duke shfaqur mospajtim të thellë me këto rezultate bënin përpjekje ta diskreditonin KPJ dhe ta vënë në pikëpyetje besueshmërinë e këtij sondazhi ndonëse askush nuk pretendon se këto rezultate vërtet do të jenë të tilla! Subjektet politike, në sondazhet që i bëjnë me porosi, rezultatet e tyre i përshtatin me dëshirat duke injoruar realitetin! Duket se këtu ka punë për psikologjinë!

Nëse rezultatet e sondazheve parazgjedhore përputhen me dëshirat e subjekteve garuese atëherë ato subjekte thirren pikërisht në rezultatet e organizatave që i kanë bërë ato sondazhe dhe që e kanë “ kredibilitetin” e dyshimtë! Më kanë bërë përshtypje debatet parazgjedhore në mediet elektronike të përfaqësuesve të subjekteve garuese dhe analistëve të pavarur! Në fakt, përjashtuar disa raste këto debate kanë qenë jashtë çdo konteksti, të paartikuluara, debate ku analistët u janë lëbyrur politikanëve dhe në të cilat është përdorur një fjalor rrugaçësh. Po, njeriu flet aq sa di ose, kur është fjala te analistët e pavarur, aq sa kanë interes material apo ndonjë interes tjetër. Faktori ndërkombëtar ka bërë disa ndërhyrje flagrante, me qëllim që të ndikojë në rezultatet e zgjedhjeve. Ambasadori i një shteti të fuqishëm ka dalë haptazi në përkrahje të një subjekti politik ndërsa e ka satanizuar një subjekt tjetër politik (Vetëvendosjen)! E që nuk është aspak në mandatin e tij. Rasti i dytë është kur z.Fejth në Bruksel deklaron se Kosovës pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit i duhet një qeveri me duar të pastra duke aluduar haptazi se kjo qeveri (koalicioni PDK-LDK) i ka duart e përlyera.

Dhe këtë e thotë në fazën më kritike të procesit zgjedhor, në fazën e fushatës! Deklarimin e tij për një qeveri me duar të pastra e përkrahu edhe ambasadori i një shteti të fuqishëm dhe i cili në të njëjtën kohë është edhe kryetar i Komisionit Qendror Zgjedhor si dhe sugjeruesi kryesor se për kë duhet të votohet! Edhe i pari, edhe i dyti po të donin kanë pasur mundësi t’ua pastrojnë duart atyre për të cilët kanë aluduar se i kanë duart e pista por nuk e kanë bërë këtë. Madje, ua kanë siguruar dorashkat që të mos lënë gjurmë! Pastaj, në shumë raste ndërkombëtarët i kanë duart edhe më të pista se vendorët sepse duart e tyre ndoten me miliona euro nga tenderët njëburimorë, privatizimi dhe kontratat me firmat fitimprurëse!

Fushata, përjashtuar fjalorit injorant në disa raste ka shkuar mirë. Premtimet që joshin janë garant për rritjen e votave. Nuk ka kandidat që garon, në asnjë vend të botës , qoftë ai edhe me një demokraci përrallore e që do të kërkon votën duke e treguar krejt të vërtetën. Nëse dikush ka të drejtë ta sulmojë pozitën për mosrealizimin e premtimeve ata janë vetëm dy subjektet e reja garuese, FER dhe Vetëvendosje! Vetëm këto dy subjekte garuese nuk i kanë rënë bakllavasë sepse nuk kanë pasur rastin!

Opozita, kur ka qenë pozitë edhe vet i ka lagur mustaqet në sherbetin e bakllavasë duke e lënë tepsinë krejtësisht të zbrazët. Fatmirësisht, tepsia ka mbetur! Prandaj, këto premtime të të gjitha subjekteve garuese nuk ngjallin shpresën se në Kosovë do të ketë ndryshime përmbajtjesore. Mund të ketë ndryshime kozmetike dhe këtu përfundon tregimi ose përralla. Për faktorin ndërkombëtar me rëndësi janë bisedimet me Serbinë apo dialogu teknik siç po e quajnë ata dhe në mënyrë refleksive, mbase për shkak të frikës po e përsërisim edhe ne! Dialogu me Serbinë, pa plotësimin e disa parakushteve të domosdoshme përfundimisht do ta rehabilitojë Serbinë ndërsa Kosovën do ta shtyjë në vartësi edhe më të madhe dhe në inferioritet të skajshëm përballë Serbisë.

Duke mos injoruar sondazhet, edhe unë e kam bërë një matematikë për rezultatet e mundshme të këtyre zgjedhjeve. Nuk po dalë me shifra sepse nuk dua të paragjykoj apo të ndikoj në rezultatet e zgjedhjeve duke favorizuar një subjekt të caktuar apo duke e dëmtuar subjektin tjetër! Mirëpo, mendoj se “ lufta” midis PDK dhe LDK për të dalë i pari do të jetë luftë dhëmbë për dhëmb (votë për votë) dhe se dallimi përfundimtar nuk do të jetë i madh! Befasia më e madhe e këtyre zgjedhjeve do të jetë Vetëvendosja me një kusht, që të jetë në gjendje ta mbrojë votën e fituar. Në këtë rast , së paku do të radhitet si forca e tretë politike ndërsa nëse nuk e mbron votën e saj do ta ketë problem të mbijetojë apo do të jetë një parti parlamentare , me pak deputetë! Edhe subjektet që do t’i fitojnë zgjedhjet do ta kenë shumë problem ta kalojnë 26%-in. AAK do të jetë forca e katërt politike apo e treta në rast se Vetëvendosjes i “ avullohen” votat! LDD, FER dhe AKR do të ecin nëpër tehun e shpatës nëse do ta kalojnë pragun zgjedhor apo jo! Por, për demokracinë do të ishte shumë e shëndetshme nëse edhe këto tri subjekte do ta kalonin pragun zgjedhor dhe në këtë mënyrë do të imponohej një koalicion që do të garantonte stabilitet sepse kështu, do të kishim edhe një opozitë të fuqishme!

Koalicionet e mundshme: Mos u besoni deklaratave të politikanëve se :” për së gjalli dhe nën asnjë kusht nuk do të bëjnë koalicion me këtë apo atë subjekt politik”! Interesi personal te ne është para interesit partiak e lëre më interesit të shtetit! Politikanët tanë, për një plesht e kallin jorganin ! Kështu bëri Fatmir Sejdiu, kështu do të bëjnë edhe të tjerët! Unë nuk e përjashtoj asnjë koalicion! Pastaj, koalicionet e ardhshme do të dizajnohen nga ndërkombëtarët sepse na pret dialogu “ teknik” me Serbinë andaj duhet një ekip për bisedime sa më gjithëpërfshirës që do të bisedonte por edhe që do të garantonte se rezultatet e këtyre bisedimeve “teknike” do të zbatohen.

Në formimin e koalicioneve do të ketë ndikim të fuqishëm edhe Ramush Haradinaj i cili mori të drejtën e shfrytëzimit të pushimit të lehonisë nga Tribunali i Hagës.

Sfida kryesore pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit: Nuk e besoj se do të kontestohen rezultatet e zgjedhjeve. Këtë ua bëri me dije eurodeputetja Doris Pak subjekteve garuese. Si shembull të keq e mori Shqipërinë! Shqiptarët të mësojnë nga shqiptarët! PDK e dha provimin me rastin e balotazhit në Rahovec. Prania e më shumë se 32.000 vëzhguesve, ndërkombëtar dhe vendor do të duhej të ishte një garanci se procesi zgjedhor do të jetë i rregullt. Unë më tepër shpresoj se monitoruesit vendor të “ Demokracisë në Veprim” të cilët tashmë e kanë një përvojë do të përkujdesen që të mos ketë manipulime në këto zgjedhje dhe se do të jenë gardianë të rregullsisë së këtij procesi! Sinqerisht uroj të ndodhë kështu!

Mirëpo sfida kryesore pas zgjedhjeve në Kosovë do të jetë sundimi i ligjit. Nëse e përballojmë këtë sfidë atëherë kemi të drejtë të llogarisim se do ta ndërtojmë një shtet normal. Ndryshe do të bëhemi si Kolumbia e Pablo Eskobarit apo Çikago e Al Kapones. Tash jemi vetëm Banana Republikë! Nëse e kalojmë sfidën e sundimit të ligjit atëherë do ta zgjidhim enigmën se si një pushtetar në moshë shumë të re për 3 apo 4 vjet të mandatit ka bërë pasuri përrallore! Atëherë do t’i kemi do lista të tjera për deputetë dhe nuk do të ketë nevojë të na i lajnë duart ata që higjienën e duarve të tyre nuk e kanë për t’u lavdëruar.


*Autori është lider i Komitetit për Mbrojtjen e Lirisë dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë

KOMENTE