Tiranë, 10 Dhjetor 2010 NOA - Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana kreu sot pasdreke ekstradimin nga Brukseli i Belgjikës drejt vendit tonë, të shtetasit shqiptar Lefter Yzeiraj, 39 vjeç, lindur në Ballsh, Fier.
Gjykata e Rrethit Kurbin, me vendimin nr. 133, datë 21 tetor 2008, e ka dënuar Yzeirajn me 18 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të femrave për prostitucion“ e kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimit të personit“, parashikuar nga nenet 114/b/2 dhe 109/1, të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Lefter Yzeiraj, akuzohet se në vitin 2002 në bashkëpunim edhe me dy shtetas të tjerë, përkatësisht Edmond Malci dhe Ylli Lushaj, kanë rrëmbyer me qëllim trafikimi për prostitucion shtetasen M. R., e cila ishte e dashura e shtetasit Edmond Malci.
Pasi janë vënë në dijeni të kësaj ngjarje, autoritetet policore në datën 17.02.2002, kanë arritur të arrestojnë Edmond Malci dhe Ylli Lushaj, ndërsa Lefter Yzeiraj ka arritur të largohet.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Brukselin, në datën 19 mars 2010, u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, i shtetasit Lefter Yzeiraj.
Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas Yzeiraj i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, tha Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
e.r/NOA