Ky është hap shumë i madh për këtë demokraci të re dhe të gjithë ne në Amerikë duhet që, me mburrje, ta mirëpresim Kosovën përsëri në bashkësinë globale të shteteve të lira dhe demokratike
Nga Connie Mack
Më 12 dhjetor, Kosova do të mbajë zgjedhjet e para të lira që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008. Në krye të garës për zgjedhjet e lira është kryeministri aktual Hashim Thaçi, figurë kyçe i cili është quajtur “Xhorxh Washington” i Kosovës.
Thaçi ka udhëhequr një qeveri të koalicionit në një vend me jo më pak se 15 parti politike. Për shkak të veprimeve jokushtetutese të ish presidentit Fatmir Sejdiu, parlamenti është shpërndarë ndërsa Thaçi ka bërë të qartë dëshirën e tij për të zbatuar Kushtetutën drejt zgjedhjeve paqësore – pa armë, pa shpata, por me tranzicion paqësor të pushtetit në një vend i cili jo më larg se një dekadë më parë ishte i kapluar nga lufta.
Lidershipi i Thaçit në Kosovë do t’i kontribuojë shumë anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe raporteve efektive me Perëndimin në përgjithësi. Ky është hap shumë i madh për këtë demokraci të re dhe të gjithë ne në Amerikë duhet që, me mburrje, ta mirëpresim Kosovën përsëri në bashkësinë globale të shteteve të lira dhe demokratike.
Shkatërrimi i ish Bashkimit Sovjetik çoi në konflikt të armatosur në tërë Ballkanin, duke përshirë, natyrisht, Kosovën dhe Serbinë. Nën udhëheqjen e Thaçit, një proces zgjedhor i lirë, i përcjellur me hapa për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duhet të shihet si progres shumë i madh. Kësaj here pa atenate mbi arkiduka dhe pa tmerret e spastrimit etnik. Zhurma që mezi dëgjohet e hedhjes se fletëvotimit në kuti do të ketë jehonë shumë më të madhe për brezat që do të vijnë.
Ky rajon nuk ka njohur paqe për më shumë se 100 vjet, që nga fillimi i Luftës së Parë Botërore. Gjatë shekullit të kaluar, shumë njerëz, i kanë përlloqur duart në konfliktet thuajse të panumërta për mbijetesë, duke përshirë Thaçin, lider në luftën e Kosovës për pavarësi. I dalur nga ky rajon me konflikte po shfaqet një demokraci e re, paqësore, evropiane.
Kosova, një shtet shumëkulturor dhe shumëetnik, ka përjetuar trazime politike dhe jostabilitet. Sot, ajo është demokraci në shpejtim. Kosova duhet të shërbej si rikujtim për të gjithë ne se demokracia merr kohë.
Ajo që do të ndodh në Kosovë më 12 dhjetor është me rëndësi kritike. Kam besim se Kosova do ta kalojë me pjekuri tranzicionin paqësor të pushtetit dhe me këtë do të shërbejë si shembull që demokracia funksion dhe liria ka peshë.
Autori është anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve dhe anëtar i Komitetit për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve