English

Një karrige bosh për Nobelin e Paqes në Norvegji

Oslo, (Norvegji), 10 dhjetor, NOA – Në ceremoninë madhështore të ndarjes së çmimit Nobel për Paqe do të jetë një karrige bosh. Kjo është mënyra sesi organizuesit e çmimit kanë vendosur t’i përgjigjen reagimit të Kinës për mos lejimin e të afërmve të aktivistit kinez për të drejtat e njeriut, Liu Xiaobo, që të tërheqin çmimin.

Kjo është hera e dytë në historinë e Nobelit për Paqe kur fituesi nuk paraqitet dhe në sallë qëndron një karrige bosh. Për herë të parë është bërë në vitin 1935, ku nazistët ndaluan që të merrej çmimi nga një përfaqësues intelektual i vendit.

Liu Xiaobo, nderohet sot në mungesë me çmimin Nobel të paqes në kryeqytetin e Norvegjisë Oslo.

54-vjeçari është arrestuar në Kinë në dhjetor 2008 dhe para një viti u dënua me njëmbëdhjetë vjet burg për dëmtim të pushtetit shtetëror. Bashkëshortja e Liu-t gjendet në arrest shtëpie.

Për herë të parë që prej periudhës naziste tani sërish çmimi nuk merret në dorëzim personalisht as nga laureati dhe as nga të afërmit e tij. Qeveria komuniste në Pekin e konsideron Liu-n kriminel dhe ka nisur një fushatë kundër nderimit të tij me çmimin Nobel. Si koautor i manifestit demokratik "Charta 08" Liu numërohet si një ndër disidentët më të njohur në Kinë.

a.k/NOA

KOMENTE