English

Një ligj i ri për arsimin parauniversitar

Çfarë vjen pas ligjit të miratuar?

Një ligj i arsimit parauniversitar përbën themelin e sistemit arsimor, por ai bëhet funksional sidomos nëpërmjet akteve nënligjore, udhëzimeve e urdhrave, rregulloreve të funksionimit të institucioneve. Një pjesë e tyre do të përmblidhen në një version të ri të Dispozitave Normative. Do të kemi kështu një paketë të plotë të legjislacionit arsimor, në frymën bashkëkohore dhe të mundshme për t’u zbatuar me korrektesë nga të gjitha palët e përfshira në zhvillimet tona arsimore

Nga Myqerem Tafaj

PROJEKTLIGJI I ARSIMIT PARAUNIVERSITAR
-Ligji i Arsimit të Standardeve Europiane!

Të dashur mësues, nxënës, specialistë të arsimit, të ftuar nga organizatat partnere,
Të nderuar rektorë, dekanë, profesorë,
Zonja dhe zotërinj,

Sot jemi mbledhur për një ngjarje shumë të rëndësishme për sistemin e arsimit parauniversitar shqiptar: hapjen e diskutimit publik të projektligjit “Për Arsimin Parauniversitar”.

Ajo që më gëzon është se kjo ndodh vetëm dy ditë pas shpalljes së rezultateve të Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA 2009), ku vendi ynë u evidentua si një nga tre vendet që ka realizuar progresin më të ndjeshëm krahasuar me rezultatet e arritura në vitin 2000. Kjo është arritje shumë e rëndësishme e nxënnësve dhe mësuesve tanë si dhe e agjencive politikëbërëse dhe manaxhuese të sistemit të APU. Për këtë dëshiroj tu falenderoj dhe të shpreh mirënjohje për çdo nxënës dhe mësues që u përfshi në këtë test. Por, siç e theksova edhe në konferencën time të shtypit, për ne objektiv afatgjatë janë STANDARDET e OECD (më saktë MESATARJA e OECD).

Zonja dhe zotërinj,

Ne jemi ende larg saj dhe na duhet shumë shumë punë. Por ajo që është e rëndësishme, ne jemi në rrugë të drejtë dhe optimist që arritjet e nxënënsve tanë do ti afrohen gjithnjë e më shumë standardeve të OECD dhe të BE.
Shqipëria nuk është një vend i pasur dhe me buxhet të madh të dimensionit të vendeve nordike. Por Shqipëria e ka renditur arsimin në krye të prioriteteve kombëtare dhe, ajo çka është shumë e rëndësishme, familjet shqiptare nuk kursejnë të investojnë për shkollimin cilësor të fëmijëve dhe të të rinjve. Raporti i PISA 2009 sjell dimensione krejt të reja të masës së ndikimit të faktorëve të veçantë në arritjet e nxënësve dhe cilësinë e shkollimit.

Ligji ekzistues, “Për sistemin arsimor parauniversitar”, bashkë me amendimet e tij, luajti një rol parësor në ndryshimet rrënjësore që sistemi arsimor parauniversitar shqiptar realizoi për t’iu përshtatur kërkesave thelbësisht të reja që shtroi për arsimin kalimi nga diktatura në demokraci dhe nga ekonomia tejet e centralizuar në ekonominë e tregut të lirë.

Megjithatë, pas një periudhe të funksionimit të këtij Ligji realitete të reja parashtrojnë nevojën e rishikimit tërësor të tij. Prandaj projekti që po shpallim sot për diskutim publik është një LIGJ i RI, i cili duhet:

- të konsolidojë reformat më të rëndësishme të suksesshme të zbatuara në Shqipëri sidomos gjatë viteve të fundit;
- të krijojë mundësinë për zhvillime të ardhshme arsimore me të njëjtin ritëm me vendet e tjera evropiane. Arsimi i standardeve europiane duhet ti paraprijë Shqipërisë Europiane. Që këtu rrjedh edhe slogani:

Ky p/ligj do të jetë Ligji i Arsimit të Standardeve Europiane!

Ligji është hartuar me një pjesëmarrje të gjerë të ekspertëve të MASH, agjencive të saj, DAR/ZA në bashkëpunim me një ekspert të huaj. Për hartimin e tij janë studiuar modele dhe ligje analoge të viteve të fundit të disa shteteve me ngjashmëri në të kaluarën politike dhe në vizionin për të ardhmen si legjislacioni arsimor i Sllovenisë, Çekisë, Hungarisë, Sllovakisë, Lituanisë si dhe i disa vendeve perëndimore si Austria e disa Lande të RFGJ-së.

Më lejoni në vijim të përqendrohem në disa karakteristika thelbësore të projektligjit:

1. Pasqyron qartë standardet e parashikuara në Kushtetutën tonë dhe në konventat ndërkombëtare për sa i takon të drejtës për arsim, barazisë për arsimim për të gjithë pa asnjë lloj diskriminimi, për shkak të origjinës sociale, përkatësisë fetare, kombësisë, gjinisë, ngjyrës, gjendjes shëndetësore ose ndonjë shkak tjetër.
Në këtë kontekst, duhet të theksuar detyrimi që i vë ligji i ri qeverisë për organizimin e mësimit të gjuhës amtare dhe kulturës shqiptare për fëmijët e qytetarëve shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës, në përputhje me standardet që parashikojnë konventat ndërkombëtare ku vendi ynë ka aderuar.
Një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm janë përcaktimet që parashikon ligji për mbështetjen e nxënësve me nevoja të veçanta për të mënjanuar disfavorizimin e tyre në procesin e të nxënit për shkak të aftësive fizike të kufizuara.
Ndërkohë ligji konsolidon standardet e ligjit aktual për shkollimin e fëmijëve të pakicave kombëtare.
2. Përputhet tërësisht me objektivat e Strategjisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar si dhe dokumentet strategjike të BE për zhvillimin e APU. Në këtë kontekst, ky ligj mund të konsiderohet si ligji i integrimit të APU shqiptar në Hapësirën Europiane të Arsimit. Pra p/ligji mbështet objektivin që kemi shpallur, sipas të cilit arsimi shqiptar i paraprin Shqipërisë Europiane.

3. Krijon hapësirë reale për rritje të cilësisë dhe transparencës së politikëbërjes në arsimin parauniversitar.
Në këtë projektligj sanksionohet qartë roli i Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, në të cilin bëjnë pjesë figura të njohura publike për arsimin. P/ligji kërkon që MASH dhe Këshilli i Ministrave të këshillohen me KKAP për çështje themelore të politikave arsimore, si kurrikula, programet mësimore, tekstet, buxheti, rajonizimi i shkollave, kriteret e hapjes së shkollave publike dhe private, politikat e formimit universitar dhe kualifikimit të vazhduar të drejtorëve e mësuesve, mbrojtjen e të dhënave të nxënësve dhe disa aspekte të tjera.
Nga ana tjetër, për zbatimin e Strategjisë dhe Politikave të Arsimit Parauniversitar në nivel Qarku, ngrihet një Këshill Ekspertësh që fuksionon pranë Prefektit.

4. Zgjeron më tej politikën tonë konstante të decentralizimit dhe dekoncentrimit në sistemin e APU dhe, në këtë drejtim, ai realizon standarde të përparuara të afërta me ato europiane. P/ligji parashikon një rritje të theksuar të rolit të Pushtetit Vendor në zhvillimin e APU dhe precizon kompetencat dhe përgjegjësit e njësive të qeverisjes vendore (Bashki/komuna) si dhe të Njësive Arsimore Vendore (DAR/ZA). Përmes këtij ligji fuqizohet roli politikëbërës i MASH dhe delegohen gjithnjë e më shumë përgjegjësitë dhe kompetencat e administrimit në bashki, komuna dhe DAR/ZA.

5. Krijon kornizën ligjore që garanton rritjen e CILËSISË së APU, e cila është deklaruar si objektivi madhor dhe motoja e gjithë sistemit tonë arsimor.

Ku duket kjo:

a) Konsolidon strukturën e sistemit tonë të APU, ku, për herë të parë, p/ligji shprehet për bërjen gati të detyrueshëm të klasës parapërgatitore të arsimit fillor (çdo fëmijë 5-vjeçar duhet të vijojë së paku 1 vit arsim parashkollor përpara regjistrimit në klasën e parë);

b) Vendos standarde të përparuara në formimin universitar të mësuesve të rinj dhe kualifikimin e vazhduar të mësuesve në detyrë (profesion i rregulluar; master i shkencave në edukim për të tre nivelet e APU sipas modelit të Finlandës, kualifikimi i vazhduar sipas modeleve të përparuara);
P/ligji institucionalizon plotësisht statusin e mësuesit dhe drejtuesit të shkollës në kuptimin e të drejtave, detyrave si dhe procedurave të konkurrimit për emërimin në punë.

c) Sanksionon një strukturë dhe standarde kurrikulare moderne – të mbështetura në përvojën e vendeve më të suksesshme në arsim. Në këtë këndvështrim ligji mbështet tërësisht thellimin e reformës së kurriculës në arsimin parashkollor, të detyruar dhe atij të mesëm.

d) Institucionalizon reformën e altertekstit si garanci për rritjen e cilësisë së teksteve dhe zhvillimit të sektorit privat në fushën e botimeve.

e) Vendos në standarde evropiane vetëvlerësimin e shkollës si dhe Vlerësimin i jashtëm të saj përmes: sondazheve (kampionimit) statistikisht të mbështetura gjatë vitit per klasat e ndërmjetme si dhe provimeve përfundimtare kombëtare, Provimit te Lirimit dhe Matura Shtetërore e finalizuar me Diplomë.

f) Parashikon masa konkrete për mbështetjen e nxënësve me prirje të veçanta (talentet).Përveç kurrikulës me zgjedhje që diferencon prirjet dhe interesat e fëmijëve, Ligji shkon më tej dhe e zgjeron detyrimin e shtetit për nxënësit me aspirata të veçanta, duke i shtuar shkollave të ashtuquajtura social-kulturore për muzikën, artet dhe sportet, edhe shkollat për shkencat dhe teknologjinë duke filluar nga cikli i lartë i arsimit bazë. Ky është një hap kah kultivimi i hershëm i nxënësve me prirje të spikatura.

6. Mbështetet në standarde të përparuara dhe fokusohet në menaxhimin mbi bazën e performancës.

Ai nxit një zhvendosje të ndjeshme kah parimet dhe praktikat e menaxhimit që karakterizojnë sistemet arsimore të vendeve të zhvilluara:

- duke vendosur në qendër të drejtimit dhe menaxhimit performancën e institucioneve dhe të individëve të përshkruara me objektiva të matshme;
- duke bërë rezultatet e të nxënit qëllimin e vetëm të të gjitha veprimtarive të institucioneve dhe punonjësve arsimorë;
- duke e kthyer vlerësimin e institucioneve dhe punonjësve arsimorë në një normë rutinore pune;
- duke e kthyer raportimin periodik të institucioneve dhe punonjësve arsimorë në një normë rutinore pune.

Ligji siguron me këtë mënyrë një hop:

- të transparencës së veprimtarive të institucioneve dhe punonjësve arsimorë te përfituesit e shërbimit arsimor (nxënësit, prindërit, shoqëria civile);
- të krijimit të mekanizmave me anën e të cilave përfituesit e shërbimit arsimor marrin pjesë në realizimin këtij shërbimi.

7. Projektligji përmirëson dukshëm kuadrin e menaxhimit financiar të APU.
Ai legjitimon modelin e financimit të arsimit parauniversitar publik të mbështetur në formulën“për nxënës” duke hapur mundësinë e përllogaritjeve më të sakta mbi bazën e një bashkësie të zgjeruar treguesish. Shtimi i treguesve që merren parasysh gjatë zbatimit të formulës “për nxënës” do të bëjë të mundur që planifikimi i fondeve në bazë shkolle të jetë më afër specifikave të secilës shkollë. Me këtë mënyrë, duke hedhur hapat drejt autonomisë shkollore, ecet përpara drejt
- transparencës së përdorimit të fondeve financiare;
- shtimit të përgjegjësisë së personelit shkollor në përdorimin e mirë të mjeteve dhe shërbimeve që sigurohen nga këto fonde.
Ligji përfshin për herë të parë në skemën fininanciare metodën e granteve për shkollat publike me qëllimin për të nxitur zhvillimin e shkollave.

8. Sanksionon për herë të parë dhe sipas praktikave të vendeve të BE, të drejtat dhe detyrimet e nxënësve dhe prindërve si dhe raportet mësues-nxënës-prind, shkollë – prind. Bashkëpunimi shkollë-prindër zë një vend shumë të rëndësishëm në p/ligj.

9. Për herë të parë Projektligji parashikon mbrojtjen e të dhënave të nxënësve dhe punonjësve arsimorë sipas standardeve të përparuara.

10. Projektligji nxit zhvillimin e arsimit privat cilësor përmes:

-vendosjes së standardeve të njëjta të curriculare dhe të kualifikimit të mësimdhënësve me atë publik
-rritjes së rolit mbikëqyrës të MASH dhe DAR/ZA ndaj politikave të personelit, drejtues dhe mësimdhënës, në shkollat private
-vlerësimit të jashtëm të cilësisë përmes inspektimit, kampionimit dhe provimeve kombëtare
mbështetjes financiare për nxënësit, mësuesit dhe infrastrukturën mësimore për shkollat jofitimprurëse që janë klasifikuar ndër shkollat më të mira të vendit.

Roadmap: çfarë do të ndodhë pas këtij takimi?

Një debat i gjerë nga të gjithë derisa një ligj arsimor është për të gjithë.
Instancat shtetërore, punonjësit arsimorë, në radhë të parë mësuesit, gjithashtu specialistët, organizatat joqeveritare, madje më gjerë prindër dhe përfaqësues të shoqërisë civile në përgjithësi.

Ne kemi dy synime të njëhershme kur dëshirojmë dhe do të organizojmë një debat të gjerë e të gjithanshëm;
Ta përmirësojmë sa më shumë këtë projektligj dhe të ndërgjegjësojmë sa më mirë grupet e interesit arsimor për filozofinë e këtij ligji dhe arsyet e risive të tij.

Çfarë vjen pas ligjit të miratuar?

Një ligj i arsimit parauniversitar përbën themelin e sistemit arsimor, por ai bëhet funksional sidomos nëpërmjet akteve nënligjore, udhëzimeve e urdhrave, rregulloreve të funksionimit të institucioneve. Një pjesë e tyre do të përmblidhen në një version të ri të Dispozitave Normative. Do të kemi kështu një paketë të plotë të legjislacionit arsimor, në frymën bashkëkohore dhe të mundshme për t’u zbatuar me korrektesë nga të gjitha palët e përfshira në zhvillimet tona arsimore.

***Ky p/ligj, i kthyer në ligj, do të filloj të zbatohet në vitin 2011. Ai do të jetë baza e zhvillimit të arsimit tonë drejt standardeve europiane për t’i praprirë integrimit të Shqipërisë në BE. Si i tillë, edhe njëherë, dëshiroj të nënvizoj se ky është në fakt ligji i Arsimit Shqiptar të Standardeve Europiane.
Unë ju ftoj të merrni pjesë gjerësisht në diskutimin e projektit në mënyrë që të plotësohet çdo mangësi dhe ligji ta meritoj plotësisht emrin me të cilin e pagëzuam: Ligji i Arsimit shqiptar të Standardeve Europiane.

KOMENTE