Tiranë, 10 Dhjetor, NOA - Gazetat shqiptare kanë si argument kryesor të ditës së sotme intervistën e dhënë nga kryeministri Berisha mbi ngjarjet e dhjetorit ’90, me detajet përkatëse mbi Ramiz Alinë dhe studentët.
Ato trajtojnë gjithashtu edhe përmbytjet në veri të vendit, duke dhënë detaje të reja mbi evakuimet, ndërhyrjen e policisë dhe ushtrisë etj. Ato paraqesin edhe kundërvënien e grupit parlamentar socialist mbi shtyrjen e punimeve të seancës plenare.
E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Berisha: Pse u bëra komunist”, i cili citon një intervistë të dhënë nga kryeministri Berisha, duke pohuar se ka qenë vetëm 5 muaj sekretar partie, pastaj e pushuan.
“Ramiz Alia me pasaportë diplomatike”, është një artikull që citon edhe numrin e saktë të pasaportës së ish-presidentit të vendit.
“Vëllai i Topallit/ Konsull në Milano” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.
Ndërkaq, në rubrikën ‘intervista” në këtë të përditshme do të gjeni artikullin me titullin “Spartak Ngjela: Në punë dhe në luftë, nuk ka të majtë dhe të djathtë”.
Gazeta “Panorama” publikon si artikullin e saj kryesor ditën e sotme atë me titullin “Gati ekstradimi/ Pastrimi i parave, bien akuzat për Prudentinon”, i cili tregon detajet e vendimit të marrë nga gjykata e Vlorës kundër italianit të akuzuar për lidhje me trafikun e drogës dhe pastrim parash.
Një artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Berisha: Elozhet me Ramizin në ’90, për të fituar kohë dhe shmangur dhunën”.
Artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Shtyrja e Kuvendit, përplasje Rama-Topalli”.
“Gazeta Shqiptare” ka si titull kryesor të saj “Dhuna/ Mësuesve u vjedhin 100 mijë lekë për Shkodrën”, i cili tregon sesi arsimtarët detyrohen që ta dhurojnë shpërblimin e fundvitit për të përmbyturit e Shkodrës.
“Assagne/ Media Shqiptare: Na mësoi lirinë”, është një artikull tjetër i kësaj të përditshmeje, referuar publikimeve të faqes Uikileaks.
Ndërsa në një artikull tjetër të veçantë në këtë të përditshme, do të lexoni edhe atë me titull “Plehrat nga Shqipëria, ndotin Malin e Zi”.
Gazeta “Shqip” hapet me titullin kryesor “Selami: Refuzova Bashkinë e Tiranës”, i cili tregon detaje nga takimi i djeshëm i eksponentit historik të PD-së, Eduard Selami, me presidentin Bamir Topi.
Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin “Krimi në Tiranë, mashtrim me shifrat”.
Ndërsa çështja e punimeve të Kuvendit, mbërrin në numrin e sotëm të kësaj gazete përmes artikullit “Shtyrja e seancës, zbardhen debatet Topalli-Dokle”.
“Nga Mitro Çela/ Ditët e vrullshme që vendosën themelet e demokracisë” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.
E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin kryesor “SHBA: Opozita dëmtoi progresin e Shqipërisë”, i cili i referohet debatit të bërë dje në mbledhjen e Komitetit Amerikan të Helsinkit.
Artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Intervista për dhjetorin ‘90/ Sali Berisha: Ju rrëfej puçin presidencial që bëri Ramiz Alia”.
Një artikull i veçantë i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Klinton pret Haxhinaston: SHBA, aleat kyç për Shqipërinë
Ndërsa artikulli “Studentët: Paguajmë 30 euro për provim” mbyll titujt e kësaj gazete.
Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Premte, 10 Dhjetor 2010. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht.
Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.
n.e/NOA