Tiranë, 10 Dhjetor 2010 NOA - Kryeministri Sali Berisha tregon si aderoi në Partinë Komuniste dhe pse e bëri këtë në atë kohë, më 1970, duke besuar siç thotë, se Shqipëria kishte nisur një hapje ndaj Perëndimit. Berisha tregon në intervistën për “Opinion” të Blendi Fevziut në Tv Klan se në Shqipëri filloi një hapje në vitet 1969-1972, vite në të cilat në Shqipëri filluan të jepen filma italianë si filmi “Më fal” apo dhe filma të tjerë. Berisha theksoi se kishte fituar këtë shpresë edhe për faktin se kishte filluar të jepej muzikë që nuk lejohej. Kurse pohon edhe se ishte i vetëdijshëm në atë kohë, se nuk shikonte një përmbysje të regjimit “por mendoja se po shkojmë drejt hapjes”, duke shtuar: “Meqenëse ne kishim dalë nga sfera ruse, mendoja se do të ecnim drejt Perëndimit. Këto filma që shfaqeshin, këto këngë që jepeshin, “Mami blu”, Tom Xhons ose këngëtarë të tjerë.
Më poshtë vijon intervista e plotë:
Zoti Berisha, kanë kaluar pothuajse 20 vjet që nga viti 1990, nga dita që ju vendosët të hiqni dorë nga profesioni i mjekut që e ushtronit prej pothuajse 20-vjetësh, për t’iu kushtuar një pasioni dhe profesioni të ri, politikës. Tani që profesioni i ri është bërë po aq i vjetër sa ai i pari - thuajse 20 vjet, a jeni penduar për këtë ndryshim në jetën tuaj?
Së pari, dua të falënderoj për vendin që përzgjodhe për këtë intervistë. Erdha me emocion të vërtetë, sepse pas 20-vjetësh, rruga për në këtë shesh është e gjatë vite dritë. Sot, pas 20 vjetësh, jam 20 herë i lumtur që përjetova dhe luajta atë rol që munda të luaj në vitin më përcaktues të historisë kombëtare të shqiptarëve, pas pavarësisë së këtij vendi në vitin 1990. Unë kam qenë një studiues, i cili për rastësi dhe për një kompleks rrethanash, kisha filluar studimet dhe kërkimet shkencore dhe në dy vitet e fundit të Fakultetit të Mjekësisë, kisha arritur të botoj në mbarë botën studime origjinale që dhe sot qëndrojnë si referencë.
Si në dy vitet e fundit? Në dy vitet e fundit të fakultetit si student?
Po, si student. Unë kam pasur një profesor të apasionuar shumë pas shkencave, që e rikujtoj çdo ditë pothuajse. Dhe ky ka qenë profesor Bajram Preza, i cili në rrethet shkencore të studentëve, organizonte dhe ishte jashtëzakonisht i përkushtuar. Studentët që gruponte në këto rrethe, i trajtonte absolutisht si anëtarë të familjes së tij, si djemtë e tij, vajzat e tij dhe në mënyrën më serioze punonte bashkë me ta. Ngjallte tek ata dhe tek unë, një dëshirë shumë të madhe për kërkimin shkencor. Dhe unë këtë dëshirë, këtë pasion, këtë metodikë e vazhdova pastaj edhe në fushën që kalova më pas në Kardiologji. Studimet origjinale i kam bërë në fushën e hemodinamikës. Unë isha në 20 e ca vite, në qëmtim të të vërtetave të ndryshme shkencore, diku - diku të parëndësishme, diku - diku origjinale, por ato përbënin një univers timin dhe në fund të fundit përbënin një jetë të tërë në qëmtim të tyre.
Por e braktisët këtë profesion?
Po. E braktisa sepse gradualisht tek unë, u konsolidua një vetëdije e thellë se të vërtetat për të cilat unë sakrifikoja, qëmtoja, që i përkushtoja jo më pak se 16 deri 18 orë në ditë, ishin në një rend më depror se sa disa të vërteta të tjera të mëdha. Dhe këto të drejta të vërteta të mëdha, ishin liritë dhe të drejtat e mia, ishin liritë dhe të drejtat e individit të cilat përbënin në vetvete thelbin e dinjitetit që mungonte. Ky ka qenë shkaku themelor pse unë vendosa para viteve ’90, që t’u përkushtohem këtyre të vërtetave të tjera që ishin më eprore, më të rëndësishme. Të bëja atë që nuk kisha bërë, të dilja nga konformizmi im intelektual.
Kur ndodhi kjo ndjesi tek ju? Ju ishit komunist në atë kohë. Kur u anëtarësuat në Partinë Komuniste?
Unë jam anëtarësuar në Partinë Komuniste, në vitin 1970. Ka pasur dy arsye. Arsyeja e parë, është sepse u ndikova në mënyrë shumë thelbësore nga pushtimi i Çekisë. E përjetova atë me një dhimbje dhe një emocion të paimagjinueshëm, sepse Dubçeku ngjalli shpresë në të gjithë botën komuniste. Ajo që u quajt pranvera e Pragës. Një natë, një ushtri prej 300. 000 trupash, tanke e të gjitha mjetet, pushtoi një vend që tentoi të dilte në liri ose të paktën kështu besonim. Ishte shumë e përhapur ideja, se pas Çekisë do të ishte Shqipëria. Gjë për të cilën unë isha shumë i vendosur si qytetar të qëndroja në atë pozicion që duhet të qëndrojë çdo qytetar në rastin e një pushtimi kombëtar. Së dyti, e vërteta është, që në Shqipëri filloi një hapje.
Në cilin vit?
Kanë qenë besoj vitet 1969-1972, vite në të cilat në Shqipëri filluan të jepen filma italianë si filmi “Më fal” apo dhe filma të tjerë.
Ju patët shpresë se do të ndryshonte?
Po, shumë shpresë, unë mjaft njëherë. Kisha shpresë se kishte filluar të jepej muzikë që nuk lejohej.
Pra ju menduat një liberalizim i Partisë së Punës që ishte në pushtet, apo një përmbysje e saj?
Jo, një përmbysje në asnjë mënyrë, por mendoja se po shkojmë drejt hapjes. Meqenëse ne kishim dalë nga sfera ruse, mendoja se do të ecnim drejt Perëndimit. Këto filma që shfaqeshin, këto këngë që jepeshin, “Mami blu”, Tom Xhons ose këngëtarë të tjerë.
Tom Xhons kishte filluar të jepej në atë kohë në Shqipëri?
Denis Rusos po një herë, me “Mami blu”. Pra, mendova se ne po ecim tashmë drejt perëndimit. Në të vërtetë, ne shkuam edhe më mbrapa. Filluan plenumet, me radhë, ekzekutimet, spastrimet masive, ecja drejt revolucionit kulturor kinez, u shfaqën me të gjithë shëmtinë e tij format e këtij revolucioni në Shqipëri dhe ky ishte fundi i besimit tim se do të mund të kishim ndryshime.
Po ju në atë kohë keni qenë Sekretar Partie dhe vazhduat të jeni deri në vitet 1990, apo jo zoti Berisha?
Sekretar Partie kam qenë gjithsej absolutisht jo më shumë se 3-5 muaj, me sa mbaj mend.
Në cilin vit?
Në vitin 1978 nga fundi dhe fillimi i vitit 1979. Detyrë nga e cila më shkarkuan në mungesë.
Është thënë se keni qenë deri në vitin 1990 Sekretar Partie?
Absolutisht jo. Kjo është një gënjeshtër. Janë thënë shumë gjëra, se kam qenë shumë vite, se kam kuruar Enver Hoxhën....
Po në fakt, keni qenë apo jo pjesë e grupit që kuronin drejtuesit komunistë të kohës?
Unë kam qenë çdo ditë dhe çdo vit, pedagog në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Nuk kam qenë, asnjë ditë, mjek i emëruar në klinikën e udhëheqjes. Kam qenë konsulent për të gjitha kategoritë e njerëzve, përveç Enver Hoxhës, duke përfshirë nga të burgosurit, politikë apo ordinerë në spitalin e burgut kur kishte nevojë, deri tek anëtarët e Byrosë Politike. Dua të theksoj se nuk kam qenë mjek i emëruar i Byrosë Politike sepse nuk kam pranuar.
Nuk keni pranuar, apo nuk ju është ofruar?
Nuk kam pranuar.
Përse nuk keni pranuar?
Nuk kam pranuar, sepse unë kam dashur shumë profesionin e mjekut dhe ajo ishte një transformim tjetër. Unë kisha shokët e mi, të cilët punonin aty dhe ata në disa aspekte humbisnin shumë.
Ju është ofruar të ishit mjek në klinikën speciale apo mjek personal i Enver Hoxhës?
Nuk më është ofruar kurrë të jem mjek personal i Enver Hoxhës, nuk më është kërkuar kurrë që të vizitoj Enver Hoxhën dhe as të kontribuoj në problematikën e tij shëndetësore. Ka pasur kritere shumë strikte Enver Hoxha në ata që përzgjidhte, dhe unë nuk përfshihesha, nuk plotësoja kriteret.
Çfarë kriteri nuk plotësonit?
Kriteret që më pengonin, ishin komplekse në fakt. Kishin të bënin me disa standarde të tij në lidhje me jashtë, ose me pozicionin gjeografik të shtëpisë sime, në Tropojë. Por unë kisha miq, pothuajse të gjithë ekipin që e trajtonte atë. Pra unë refuzova që të isha mjek në organikën e tij speciale. Nuk pësova asgjë ç’është e vërteta, bëra shpjegimet e mia se nuk dua pasi jam shumë i lidhur me shërbimin tim në spital. Kam qenë pesë muaj, kështu Sekretar Partie dhe u shkarkova në mungesë. Isha në Paris kur më zëvendësuan. Është e njohur kjo, është me procesverbal. Një berber përpara se të nisem, i ra me grusht portretit të Enver Hoxhës të vendosur nën një xham. Kjo u mor vesh. U kërkua që të bëhej mbledhja. Bëmë një mbledhje së bashku me të tjerët që drejtonin, vendosëm të themi se ky e bëri këtë akt, sepse i kishte syzet +11 dhe nuk pa se kë kishte nën xham. Kjo nuk u pëlqye, me sa duket. Nëse nuk do të ishte ky motiv ai do të pësonte perkusione. Në fakt ai nuk pësoi probleme, por mua më zëvendësuan.
Ka pasur komente se gjatë kësaj kohe, ose pas kësaj kohe, ju keni ndikuar në largimin ose internimin e disa kolegëve tuaj?
Në mënyrën më kategorike, kurrë. Asnjëherë s’kam ndikuar, asnjëherë nuk më është kërkuar dhe nuk kam dhënë kurrë mendim. Kjo është një shpifje e mirëfilltë sepse nuk kanë guxuar kurrë të thonë një emër dhe e di pse nuk guxojnë, se është zero.
Rikthehemi tek zhvillimet e para viteve ‘90. Ju keni deklaruar në një intervistë në 2004-ën, që në vitin 1989, ju kishit vendosur t’i përkushtoheni asaj që mund të quhet disidenca antikomuniste. Si mund ta bënit këtë? Sepse në Shqipëri nuk kishte disidentë dhe nuk lejohej disidenca?
Në Shqipëri nuk lejohej disidenca. Kisha vendosur të ecja në rrugën time i sigurt që unë do të shkoja drejt veprimeve të diktaturës ndaj meje. Por doja të bëja sa më evident qëndrimet e mia.
I dinit konsekuencat e diktaturës ndaj jush?
Absolutisht.
Ku do t’i bënit këto qëndrime evidente?
Do t’i bëja publike në media. Kisha filluar në mbledhje të Bashkimeve Profesionale por edhe në mbledhje të tjera që unë të shprehja mendimet e mia. Nuk është se ishin gjëra shumë të mëdha, por edhe ato i censuruan. Por vendimi im ishte përfundimtar, unë do të bëja atë që s’kisha bërë.
Ju e kishit njohur Ramiz Alinë në atë kohë?
Po.
Personalisht?
Po, personalisht.
Kishit shpresa se pas vdekjes së Enver Hoxhës, ai do të ndryshonte?
Fillimisht pas vdekjes së Hoxhës kisha iluzione. Vdekja e tij është pritur me gëzim në tërësi. Mos shih histerizmin që u ngjall nga vdekja. Por kam bindjen më të thellë, se qytetarët shqiptarë e pritën me gëzim vdekjen e Enver Hoxhës. Sigurisht që unë besova se Ramiz Alia, do të ndërmerrte një kurs ndryshimesh. Por ama, kam qenë nga të parët që hoqa dorë përfundimisht nga ky vendim, për dy arsye. Së pari, një mikun tim Spiro Deden, e ngarkuan që të shkruante biografinë e Enverit. Një libër, për biografinë e Enverit. Spiro ishte publicist, punonte në Institutin e Studimeve Marksiste Leniniste dhe mjaft i afërt me Enver Hoxhën, në redaktimin e veprave të tij dhe kështu që filloi punën. Por, me Spiron unë flisja hapur dhe kur vdiq Enver Hoxha, agjencitë e huaja kanë mbajtur qëndrimin më të shkëlqyer. Dmth, e damkosën, përdorën të gjithë epitetet që ai meritonte. Spiro u trondit nga këto komente. Megjithatë i ngarkuan të bënte biografinë. Pas disa kohësh, e takoj dhe i them, Spiro si po të ecën? Jo tha, iku nuk e kam më unë. Kush e ka? E mori shoku Ramiz tha ai, që ta shkruajë vetë. Epo thashë me vete, ky paska ndryshuar. Në njëvjetorin, që ishte fundi i iluzionit tim, shoh Ramiz Alinë tek varri i Enver Hoxhës, të ulet dhe të puthë mermerin. Unë kisha një mik timin, Mehmet Elezin dhe i them Mehmet, ky është totalisht në kontroll. Se qarkullonte një ide se ishte tërësisht në kontrollin e Nexhije Hoxhës. Ismail Kadare e zhvillonte edhe më tej këtë ide, që ishte në kontrollin e Nexhmijes dhe se Nexhmija i kishte një kasetë. Unë pas atij momenti, kam hequr çdo lloj besimi se Ramiz Alia, do të mund të bënte qoftë dhe ndryshimet më minimale.
Përpara takimit tuaj shumë të diskutuar dhe komentuar të 9 dhjetorit 1990, kur e kishit takuar për herë të parë Ramiz Alinë, dhe a kishit biseduar me të?
Ramiz Alinë, nuk e kisha takuar ndonjëherë në takime pune, por gjatë vizitave mjekësore, kur kishe raste të sëmurësh të tjerë, në spital apo klinikë dhe e njihja.
Dhe cila ishte përshtypja që kishit krijuar për të nga takimet?
Takimet i pata para asaj ngjarjes, që pashë se puthi varrin e Enver Hoxhës dhe krijova përshtypjen e një gënjeshtari. Ky Ramiz Alia, në karrierën e tij politike, kishte mbijetuar nëpërmjet makinacionit dhe gënjeshtrës.
Ai ishte numri një i regjimit, përse duhet të gënjente?
Numri një ishte Nexhmija, nuk ishte ai. Problemi është se ai ishte vendosur në numrin një.
Është reale kjo, apo një legjendë?
Absolutisht reale. Ai zhduku, të gjithë zonën e parë operative me ndihmën e Nexhmijes, sepse Enveri ishte debilosur. Nuk mund të them se Enveri kishte kapacitete intelektuale që të merrte vendime. Zhdukjen, për të cilën nuk kisha asnjë lloj keqardhje, sepse nuk mund të kishte keqardhje për zhdukjen e Mehmet Shehut, për atë qëndrim mizor. Përkundrazi ndjeje një lehtësim sepse po rrallohej oborri i tyre. Por në këtë kontekst Ramiz Alia, ishte një mashtrues ordiner në çdo gjë. Ai pati një betejë të brendshme me të gjithë, me Mehmet Shehun, me Kadri Azbiun e të tjerë, që të gjithë u likuiduan. Vetëm e vetëm, për t’i hapur oborrin. Po kështu u veprua edhe me Llambi Ziçishtin, që për hir të vërtetës ishte një intelektual pozitiv, unë e kam pasur edhe dekan edhe ministër. Ai në asnjë rast, nuk dëshmoi malinjitet ndaj nesh të atë periudhë, por u përpoq që të mund të punonim në kushte optimale. Ramizi e ekzekutoi me akuzën më monstruoze, se ishte agjent i CIA-s sepse takoi një profesor të Skënder Shehut në plazh. Ramiz Alia, ishte për mua një njeri që po ekzekutonte njerëz për të cilët unë personalisht nuk kisha asnjë lloj keqardhje, përveç Llambi Ziçishtin.
A është e vërtetë që Ramiz Alia, ashtu si ju, vinte nga Tropoja?
Ramizi është një person që ka frikë të thotë origjinën e tij. Kur po shkonte afër majës, Nexhijes, se Nexhmija ishte maja, u përpoq të gjente origjinën. Shkoi në Tropojë, mirëpo fshati i tij është karshi shtëpisë sime. Shkonte në Kasaj në lagjen Aliaj, se është një lagje aty. Njerëzit e mi, më thanë se këta u shpërngulën nga Kasaj, më duket për arsye gjaku, për në Gjakovë, e nga aty shkuan në Shkodër. Ky guxoi më së fundi të kërkojë rrënjët e tij, që nuk i gjeti. Ndaj unë nuk mund të them, nëse është nga Kasaj apo nga Shkodra.
Në vitet ‘90 ndërkohë që kishin ndodhur ndryshimet në të gjithë Evropën Lindore, edhe në Shqipëri kishin filluar akte konkrete, që nuk ishin guxuar të ndërmerreshin deri në atë kohë kundër regjimit. Demonstrata e 14 janarit për të rrëzuar bustin e Stalinit në Shkodër, demonstrata në mars në Kavajë, demonstrata e 28 janarit e heshtjes në Tiranë, një seri lëvizjesh në momentin dhe vetë Partia e Punës kishte marrë disa masa liberalizuese si heqja e nenit agjitacion dhe propagandë. Por ndërkohë ju keni botuar tre artikuj, një në gazetën “Drita”, një tek “Bashkimi”, dhe më pas në “Zërin e Popullit”, ku shfaqeni çuditërisht së bashku me Fatos Nanon në një intervistë të përbashkët. Përse i shkruajtët artikujt në dy gazetat e para? Kush ju shtyu?
Vetja ime. Mbrojta pikëpamjet e mia. Vite më parë, unë kisha vendosur të ecja në rrugën time, të bëja atë që nuk kisha bërë. Në këtë kontekst, shumë i vëmendshëm i zhvillimeve në botën ish-komuniste dhe ndiqja të gjithë evolucionin. I bindur se kurrë ndonjëherë nuk do të shoh një ditë liri. Nga ana tjetër, i vendosur që kurrë të mos largohem nga ky vend edhe pse kisha shumë mundësi. Në shkrimin tim të parë, kërkoja dhe sulmoja të parin izolimin. Deklaroja aty, se izolimi u shërben pseudopatriotëve për të ruajtur privilegjet, kurse për kombi, izolimi çon drejt shkretëtimit dhe psikozës. Ngrihem kundër izolimit. Së dyti, po në atë shkrim, më poshtë theksoj se lokomotivë e debatit duhet të jetë liria e mendimit. Ajo është e drejta dhe elementi më elementar i lirive dhe të drejtave të njeriut. Së treti, ngre zërin për informimin. E drejta për informimin, është e drejtë për të vërtetën. Dhe e katërta, analizoj pasojat e autocensurës, e sekretimit të mendimit, nga intelektualë. Shkrimi im ka një bosht, trajton këto katër çështje dhe shpreh një apel për këto intelektualë. Duke u thënë intelektualëve, miqve të mi dhe pedagogëve, se kanë profesionin, por thelbi i tij nuk është ky, por universi i dijeve tërësisht të ndryshme që i japin atij funksionin social. Në këtë kontekst, unë ngrihem kundër censurës, vendosjes në fondin rezervë të të gjitha burimeve që hynin në Shqipëri. I tërë shkrimi i parë, ishte apel kundër për të dalë nga izolimi, për lirinë e mendimit, për intelektualët dhe për të drejtën e informimit. Ky ishe morali i shkrimit tim të parë.
Kishte shumë komente në fakt për shkrimet në atë kohë, se ishin të shtyra nga drejtuesit komunistë të kohës, për të matur pulsin se deri ku shkonte angazhimi i intelektualëve. Keni pasur ju kërkesë nga ndonjë strukturë për të bërë shkrime të tilla?
Kurrë dhe në asnjë rast.
Si u lejuan të botohen atëherë?
Në qoftë se ka pasur porosi për shkrime, unë këtë nuk e di dhe nuk mund të them. Por tek unë, në mënyrë kategorike dhe absolutisht nuk ka pasur kërkesë asnjë njeri. Në këto 20 vite, do e kishin nxjerrë 20 herë, po të kishte porosinë më të vogël. Shkrimi im, është i kristaltë dhe lëviz në këto teza. Nuk e di, mund të ketë pasur edhe porosi, se shkrime ka pasur edhe Hamit Beqja dhe ai ishte, në mos gaboj, anëtar forumesh. Por dua të theksoj, edhe ato të cilat, përfliten për porosi, edhe ato kanë luajtur një rol shumë të madh pozitiv. Në këtë kontekst, ato kanë bërë një shërbim të madh, hapjes së vendit. Ato mbushnin një hapësirë tërësisht të vdekur, ku edhe klithma më e vogël, shihej me lupë po ushtonte gjerësisht në shoqëri.
Një prej korrespondentëve të huaj më të famshëm që mbërriti në atë kohë në Shqipëri, ishte Misha Gleni i BBC-së. Një gazetar i madh që kishte parashikuar dhe luftën e Bosnjës në atë kohë. Në të njëjtën kohë, në nëntor të 1990, ju dhe Fatos Nano ishit ftuar të bënit një shkrim apo një intervistë të përbashkët në gazetën Zëri i Popullit. Misha Gleni ka deklaruar se në korrik 1990, ju ka intervistuar juve në një intervistë që ka mbetur ende e panjohur. Po ashtu Elez Biberaj, tha se tentoi të kontaktonte me ju por nuk pati mundësi, se ju nuk kishit telefon në shtëpi në atë kohë. A ishit përzgjedhur ju, në mënyrë befasuese për të qenë një lider i ardhshëm në Shqipëri?
Pasi botova shkrimin e parë tek “Drita”që pati jehonë të jashtëzakonshme, brenda dhe jashtë vendit, shkrimi u botua nga radio “Evropa e Lirë” dhe “Le Monde” me shumë vlerësime, natyrisht, emri im u bë i njohur. Në qershor, në një takim që u organizua, për revistën “Shkenca dhe jeta”, ku isha anëtar bordi, Petrit Skëndi, kryetar bordi dhe ku drejtor ekzekutiv ishte Liljana Hoxha, unë në atë takim, i them Petritit, nëse vi unë do të shpreh pikëpamjet e mia. Ai më thotë, mirë se të vish dhe shprehi ato. Në atë takim, unë mbajta një fjalë, nuk kemi qenë shumë, ishim nga 60-70 vetë. Sapo unë citova pluralizmin, Liljana dhe 2-3 të tjerë u ngritën dhe braktisën sallën. Gjë e cila ishte shumë e pazakontë, sepse në tërësi ajo ishte njeri i sjellshëm, miqësor. Më revoltoi akti i saj, por vazhdova fjalën por kjo fjalë bëri jehonë aty. Misha Glen, mos gaboj e kam takuar nëpërmjet Gramoz Pashkos me të cilin pija kafe.
Që kur njiheshit me Pashkon?
Veçanërisht në vitet 1990, kur Gramozi u bë një zëri më i vërtetë në Universitet, ndër ato që përpiqeshin të ngriheshin në atë kohë kundër regjimit. Ka pasur dhe të tjerë, po Gramozi ishte më konsistent nga të gjithë. Unë e takova Misha Glenin me të. Me Elez Biberaj, nuk lidhesha dot se nuk kisha telefon, kisha një të lidhur me centralin e spitalit. Kështu nuk ishte shumë e thjeshtë. Pavarësisht nga kjo, unë vazhdoja me persistencën absolute, në qëndrimet e mia i vendosur për të bërë atë që nuk kisha bërë. Erdhën ambasadat, që ishte një moment tjetër deçiziv. Cili ishte pozicioni im në atë kohë? Nuk isha nga ata që do të hyja në ambasada, unë isha i vendosur që nuk do të largohesha kurrë nga Shqipëria. Kam vuajtur gjithnjë nga malli për vendin tim. Por u bënë përpjekje të jashtëzakonshme që të më merrnin një deklaratë kundër. Unë jo vetëm që se dhashë, por u vura kusht që unë ju jap deklaratë me kusht që ta nxirrni siç e them unë. Kusht i cili nuk e pranuan dhe unë nuk dhashë asnjë deklaratë. Janë të shumtë intelektualët që refuzuan të dënojnë refugjatët që u larguan. Të flisnin kundër tyre.
Pak më parë thatë se në një mbledhje të “Shkenca dhe Jeta” folët për pluralizmin. Ndërkohë në takimin me intelektualët që u zhvillua në 10 gusht të vitit 1990, Ramiz Alia, ka deklaruar që kur ju ka pyetur në mënyrë eksplicite për pluralizmin, jeni shprehur që jam për pluralizmin e mendimit, jo për pluralizmin politik. . .
Absolutisht është një mashtrim. Pas rivendosjes së Murit të Berlinit, pasi nisi me anije ata mijëra djem dhe vajza, që ishin më guximtarët e shoqërisë, regjimi dhe Ramiz Alia, mendoi se do të mund të bllokonte proceset demokratike dhe konsideroi se akti i largimi të tyre u legjitimua dhe nga perëndimi. Madje mendoj se bëri edhe një vlerësim, se bëri një largim të butë siç bëri Gjyla Horn me gjermanët lindorë, që i lejoi të kalonin nëpërmjet territorit të Hungarisë dhe gjykoi se u forcua pozita e tij. Pas kësaj, kishin mbetur intelektualët që kishin bërë shkrime. Të tjerët i kishte në burgje. Ai në mënyrë tërësisht qëllimkeqe, organizon takimin me intelektualët. Me qëllimin e vetëm që ti mposhte ata që kishin mbetur pas largimit të protestuesve. Zërat e vetëm dhe pastaj Muri i Berlinit në Tiranë, do të ishte i pacënueshëm. Në këtë takim të mbajtur në mos gaboj në 12 gusht, unë jam ftuar një ditë më parë nga Gëzim Halili, që ishte Instruktor i Komitetit të Partisë. Ai më jep një letër dhe më thotë se je i ftuar në këtë takim, ku do të ketë 40 intelektualë.
Ftesa vinte nga Komiteti i Partisë apo nga Ramiz Alia direkt?
Jo nga Ramizi. Nga Komiteti i Partisë.
Lista ishte konsultuar me të sipas jush?
Absolutisht. Përzgjedhja ishte e tij. Unë kam qenë, pak mbrapa dhe takova Besnik Mustafën me Ismail Kadarenë tek Hotel Tirana. U thashë që kështu ka ndodhur një ftesë. Ismail Kadare më tha, edhe unë kam marrë ftesë. U ndava me ta, shkova në shtëpi, u ula dhe mendova se ky është rasti më i shkëlqyer për mua për t’ia thënë në fytyrë të gjitha.
Po nuk ja thatë sipas tij?
Ia thashë të gjitha. Çdo gjë. U ula dhe u përgatita për variantin më të keq. Për variantin që ai nuk do të na jepte fjalën dhe unë do të ngrihesha t’i lexoja një deklaratë 7 faqe me shkrim dore. E kam ende deklaratën. Në këtë deklaratë, unë do të kërkoja informacionin si të drejtën për të vërtetën. Do të dënoja me ashpërsinë më të madhe, dhunën që u ushtrua kundër demonstruesve, dhunën policore, do të kërkoja komision hetimor qytetar në frymën dhe stilin që kishin bërë polakët, për vrasjet që kishte kryer regjimi. Por mbi të gjitha, do të kërkoja heqjen nga Kushtetuta e Shqipërisë, të nenit 3, nen i cili sanksiononte hegjemoninë e PPSH-së, si forcë politike udhëheqje në vend. Pse ishte kjo për mua gjëja më kapitale? Sepse, ishte ky nen ku bazohej e gjithë diktatura. Ky nen bënte që Polonia pluraliste në parti, sepse Polonia kishte dhe Parti Agrare, që Kina pluraliste në parti, se Kina kishte edhe nga 7-8 parti të tjera të regjistruara. Në Poloni, ulej Partia Fshatare në krah të Partisë Komuniste, në Kinë, ishin disa parti që uleshin në krah të Partisë Komuniste, por roli hegjemon i bënte ato thjesht kukulla të regjimit. Nga e kisha marrë unë këtë, do të thuash ti? Unë këtë e kisha marrë nga Andrey Saharov. E ndiqja Saharovin më shumë se çdo njeri tjetër, disident. Njëlloj si ai, unë nuk vija nga Shkencat politike Ekonomike, as ai nuk vinte nga këto shkenca, por nga Fizika Bërthamore. Së dyti, Saharovi nuk largohej nga vendi i tij. Këto dy aspekte e bënin atë idhullin tim. Në një nga deklaratat e tij, ai i kërkon Gorbaçovit, të heqë nga Kushtetuta, nenin 6 që e bënte Partinë Socialiste, hegjemone në këtë hapësirë. Unë pa heqjen e këtij neni, si kushtin themelor të pluralizmit politik, konsideroja heqjen e hegjemonisë së Partisë së Punës në Shqipëri. Në të kundërt, nuk do të kishim pluralizëm. Unë i kërkoj Ramiz Alisë, të hiqej ky nen.
Po ai ju ka pyetur, jeni për pluralizëm dhe ju keni thënë, jo nuk e them këtë. . .
Shumë e vërtetë, sepse në qoftë se shpallej pluralizmi pa u hequr ky nen, ajo ishte gjëma jonë. Këta kishin filluar tendencën të ecnin në këtë rrugë. Këta filluan të shpallin, tu japim një autonomi më të madhe këtyre organizatave të rinisë, gruas, etj. Filloi kjo rrymë.
Pse nuk ju përgjigjët: Po jemi për pluralizëm?
Jo, sepse pa e hequr këtë, nuk kishte vlerë. Duhet të hiqej kjo, roli i udhëheqjes qe të gjitha partitë të ishin të barabarta. Po të shkojmë tek plenumi, çfarë bëri plenumi? Këtë bëri, hoqi rolin e udhëheqjes. Sepse e vetmja gjë që dëshmonte, pluralizmin politik. Ndaj unë isha për këtë sepse po të thoshte Ramiz Alia po dakord, krijoni parti. Çfarë lloj partie të krijoje pa hequr atë nen. Të krijoje parti me rol hegjemon të PPSH-së. Ndaj ajo ishte kërkesa më thelbësore që u bë në atë takim. Takimin e thirri Ramizin për ta mposhtur.
Ismail Kadare thotë se Ramiz Alia ka qenë shumë i ashpër në atë takim?
45 minuta fjalë që mbajti ai në atë takim, ishte nga më agresivet. E bëri që të thotë se çdo gjë tjetër, jashtë këtij konteksti është në armiqësi të hapur me interesat kombëtare me socializmin. Pastaj bëri një pushim. Unë isha me Qemal Sakajevën, një mik timin të përhershëm. I them Qemal, ky na paska thirrur për të na bërë gjyqin ne këtu, po unë do ta lexoj deklaratën se e kam në çantë. U bë një pushim, kafe. Aty i them se po nuk na la me folë, unë nuk iki pa e lexuar deklaratën. Kthehemi në sallë, tha Ramizi kush ka ndonjë gjë. E merr fjalën Muntaz Dhrami. Ai i bëri një fyerje të shkëlqyer. I thotë, shoku Ramiz, mirë, po problemi është këtu, se po thonë në qytet se në Malin me Gropa janë varrosur 50 të rinj. Ai kërceu nga karrigia. Çfarë, - tha? Atje, - tha Ramizi, gropa ka, po varre s’ka, - dhe me zor e mori veten. Sigurisht, - i them unë, kur informacioni dezinformon, atëherë lajmet kështu dalin. I jap rastin e të riut Basha, që u qëllua nga policia në hekurat e ambasadës gjermane dhe këta thonin se ka marrë një plagosje të lehtë. Në atë takim, ai kthehet me malinjitet dhe thotë ti po gënjen. Ti tha e di se e mbajtën dy ditë në Ambasadën Gjermane atë? Dhe e sollën ata në këtë gjendje. Gjithë spitali e mori vesh. Ngrihet Veli Zogu dhe thotë, është ashtu siç thotë Saliu. Veliu ishte në klinikën që e kishin trajtuar. Kjo gradualisht bëri që debati në çdo minutë të tij, ai po e humbiste thellë debatin. Unë i them pastaj të dënojë dhunën, se është një dhunë ndaj nesh. Çdo qytetar që goditet nga policia është një dhunë në ndërgjegjen e gjithsecilit. Janë qëndrime të pamerituara, dhe kërkojnë, - i them unë, - një komision hetimor qytetar, për zbardhjen e dhunës policore. E di ç’bënte policia? Policia rrihte njerëzit në stacionet e autobusëve, pa asnjë motiv.
Sepse mendonin se do të hynin në ambasadat e huaja. . .
Pati një periudhë tërbimi, sepse ai mendonte se do të vendoste perdet.
Ndërkohë që marrëdhëniet në takimin me intelektualët u tensionuan kaq shumë, si shpjegohet që në fund të nëntorit ju u thirrët për t’u intervistuar nga “Zëri i Popullit” bashkë me Fatos Nanon. Si mund të merret rastësi kjo kur më pas do të ishit ju të dy që do të drejtonit Shqipërinë, duke u alternuar për 15 vjet me radhë?
Para se të shkojmë aty ka një moment tjetër. Takimi me intelektualët, për mendimin tim është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për qëndrimet e mëpasme. Ramiz Alia, e humbi debatin. Ata intelektualë, një pjesë e të cilëve ishte pjesë e Komitetit Qendror, asnjë prej tyre, nuk sulmuan shokët. Që të gjithë në një mënyrë ose një tjetër, i treguan vendin ose duke mbrojtur njëri-tjetrin ose me thumba. Kështu që Ramizi, doli tërësisht i humbur në takim. Ramizin e qeveriste tërësisht Sofo Lazri.
Është edhe kjo një legjendë, kam përshtypjen...
Absolutisht jo. Për këtë kam fakte të pakundërshtueshme unë. Ramiz Alia e qeveriste Sofo Lazri dhe ai i thotë se është hapur thashetheme në Tiranë, se të kanë mundur intelektualët dhe ai e mori takimin, e qethi e preu dhe botoi një libër për përdorim të brendshëm. Në libër ai i kishte redaktuar frazat e tij, dhe letrarizuar frazat edhe pse aty foli me një nivel shumë të ulët, pa nivel fare mund të them. Unë marr vesh botimin e tij në ditën e enjte, në shtator. Vjen më thotë Mehmet Elezi, se ai ka bërë një libër dhe aty kuptohet qartë se ti je i fokusuar për të ndërmarrë masa kundër teje. Për mua nuk kishte ndonjë gjë të re në atë mes por kisha derdhur në plumb, shkrimin që do të botoja në gazetën “Bashkimi”. Shkrim në të cilin unë ndërmerrja një sulm frontal kundër burokracisë dhe nomenklaturës. Aty argumentoj pse është jetime demokracia në Shqipëri. E lidh gjerësisht me Kosovën. Një nga kërkesat e mia është që demokracia për Kosovën është jetike, për diasporën është jetike, për Shqipërinë po e po. Aty trajtoj, pse kundërshtohet, kush janë kategoritë që e kundërshtojnë. Shkrimi ishte që unë e kisha rishkruar 12 herë për të përllogaritur çdo presje. I them Qemalit Sakajevës, Kryeredaktorit të gazetës, se ai kishte familje më të gjerë se time, e kishte më të vështirë për ta mbajtur, që hiqe po pati probleme. Ai më thotë unë atë shkrim e heq vetëm po qe se ti do. Sa për veten time, nuk i lëviz një fjalë. Unë i them, se dëshirë kam të botohet por ti them këto që të mos kesh pasoja. Jo tha se heq. Dhe nuk e hoqi. Shkrimi doli ditën e hënë. Ishte e vetmja gazetë që botohej. Në 8 e 30 të mëngjesit, Qemalin e thërret Sofo Lazri dhe i thotë ai shkrim është shkruar përtej oqeanit, bënë 3 orë debat se unë isha agjent i CIA-s.
Kishit ndonjë lidhje ndërkohë?
E vetmja lidhje që ishte, ishte sepse kunata ime ishte motër me nënën e Elez Biberaj, kjo ishte e vetmja lidhje që bënte Sofo. Madje mendonte se shkrimin e kishte shkruar Elezi vetë por nuk e kishte thënë në këtë formë. Pas 3 orë e gjysmë debate, ku Qemali i thoshte, se ai çdo gjë mund të jetë, po agjent nuk është, mbronte shkrimin, del nga zyra e Sofos dhe takon në korridor, bashkëshortin e një shoqe time që punoja në spital, Kostandina Dhimarko, bashkëshorti i saj punonte në Komitetin Qendror. I thotë, Qemal, ç’ke? I tha më thirri Sofo që në mëngjes për shkrimin. Për shkrimin tha ai, 26 punonjës kanë ardhur i kanë bërë fotokopje në zyrën time shkrimit. Para kësaj, Genc Kondi, i thotë Qemalit, se kanë vendosur ta transferojnë në Librazhd. Atje e kisha vendos të mos shkoja, jo se unë përtoja të shërbeja si mjek por sepse, kjo ishte faza e parë, që të transferonin, atje pastaj të fusnin provokatorë të implikonin me çdo lloj gjëje për të të arrestuar. Ndaj unë e kisha vendosur, bashkë me bashkëshorten time që nuk do shkoj. Do rri pa punë, për sa kohë do të mundem të qëndroj pa më arrestuar. Pas shkrimit tek “Bashkimi”, kjo ide u fashit. Nuk e di pse.
Nga ky tension, si shkohet më pas tek një intervistë ku ju dhe Nano ftoheni në “Zërin e Popullit”, në organin më të rëndësishëm të Partisë së Punës?
Shumë e thjeshtë, sepse gjërat kishin dalë të gjitha. Ishin thënë në takim. “Zëri i Popullit” kishte ngelur, përveç shkrimit të botuar të Ylli Popës, që kishte moton: Të shembim një mur për të ndërtuar një urë, që pati jehonë shumë të madhe, Zëri i Popullit kishte mbetur jashtë zhvillimeve. Për këtë ata thirrën një grup 5 personash, ishte Alfred Uçi, Luan Omari, unë dhe Fatos Nano dhe një tjetër që se mbaj mend. Aty u ftuam për të dhënë mendime. Bashkëpunëtorët e mi, miqtë, më thonin Sali nuk po kuptohet qartë ky pluralizmi politik. Dhe unë aty në atë intervistë, them që me sa duket, pluralizmi i mendimit nuk po mund të zhvillohet se s’po e lejonin. Ndaj është e domosdoshme të krijohen organizata të strukturuara mbi bazën e mendimit politik të ndryshëm. Të hapet debati për pluralizmin politik.
Por ndërkohë ju dhe Nano ishit krejt të rastësishëm në këtë zgjedhje?
Nano ishte në sektorin ekonomik të Institutit të Studimeve Ekonomike...
A mund të thuhet që kjo ishte një bërthamë e përzgjedhur në rast ndryshimesh për t’u katapultuar në politikë?
Kjo është e pamundur.
Zoti Berisha, në të gjitha intervistat e dhëna pas vitit 1990, ju keni dëshmuar se mëngjesin e 9 dhjetorit nuk dinit gjë për atë që kishte ndodhur në 8 dhjetor në Qytetin Studenti dhe ishit duke pirë kafe në hotel “Tirana” kur morët njoftimin. Si e morët njoftimin dhe si erdhët në Qytet Studenti?
Kjo është shumë e vërtetë. Gjatë vitit 1990, para dhjetorit, më kishin kontaktuar shumë njerëz me ide të ndryshme. Kurse unë me shumë njerëzi i kisha falënderuar. Ata ishin nga të gjitha kategorikë.
Edhe të dërguar të Sigurimit?
Nuk e di, mund të kishte edhe nga ata.
A keni pasur në atë kohë, idenë e krijimit të një formacioni politik?
Jo. Unë jo.
A mendonit ju se demokratizimi i vendit mund të vinte duke milituar brenda Partisë së Punës? Apo ju e shihnit veten jashtë saj?
Unë mund të jem nga të parët intelektualë që hoqa çdo shpresë tek Ramiz Alia, pas një iluzioni të shkurtër kur vdiq Enver Hoxha, nuk e shihja Ramiz Alinë si një njeri që mund të ndërmerrte reforma. Isha tërësisht i vendosur në ide të bëj atë që s’kisha bërë, jashtë Partisë së Punës. Këtë vendim e kam shtyrë me vite, për rrethana strikt familjare. Duhet ta merrja me pëlqim të familjes sime, sepse pasojat e mëdha do t’i përjetonin ata sepse unë kisha marrë një vendim. Pasi u ul mbi rasën e mermerit Ramizi dhe e puthi, nuk kisha më as shpresën më të vogël sepse ai ishte një njeri që qeverisej fund e krye nga Nexhmije Hoxha. Ndaj në vitin 1990, përpiqesha të bëja maksimumin, të shfrytëzoja çdo hapësirë, por jo të kisha ndonjë ide që të themeloja ndonjë parti. Kam pasur një raport gjatë gjithë jetës sime me studentët.
Thonë se keni qenë pedagog i ashpër?
Unë kam qenë një pedagog shumë i përkushtuar ndaj studentëve në udhëheqjen e punëve të tyre, në leksione ku kurrë nuk lexoja një leksion të vitit të kaluar. Më dukej si fyerje që do të bëja ndaj studentëve. Por një ditë një student më thotë: Çfarë lidhje ka kardiologjia me problemet e të drejtave civile që merresh me këtë punë. Më erdhi keq shumë. I bëra një ekspoze të gjerë, se çfarë lidhje kanë këto. Dhe ky ishte kontakti i parë dhe i fundit publik me studentët e mi për një çështje jo kardiologjie. Vijmë tek data 9 dhjetor. Unë isha në Toskana në 7 dhjetor si i deleguar i OBSH-së për Evropën, në një konferencë shkencore për ndikimin gjenetike të antibiotikëve në mikrobe që e organizonte OBSH me Këshillin e Evropës. Aty kishte përfaqësues nga e gjithë Evropa. Ky ishte një nga momentet më të vështira të jetës sime.
Përse?
Sepse që të gjithë, pa përjashtim, përveç nesh, ishin të hapur. Ne ishim kundër. Mund të kem qenë në një gjendje të veçantë shpirtërore, sepse bëj pushim dreke, të gjithë bënin shëtitje, ndërsa unë zgjidhja një rrugë që të mos ndeshja asnjë prej bashkëbiseduesve vetëm veten time, sepse çfarë do tu thosha unë atyre. I deleguar i OBSH dhe vendi ishte si Kuba. Kthehem në 8 dhjetor në darkë. Në mëngjes kisha lënë takim me Besnik Mustafaj dhe Kujtim Çashkun për të pirë një kafe në Hotel Tirana. Në orën 9, takohemi të tre dhe në këtë kohë më vjen Qemal Sakajeva. Më thotë, Sali e ke marrë vesh? Çfarë i them unë? Studentët mbrëmë më tha kanë qenë në demonstratë. Ku i them?Dhe ai më shpjegon. Pas fare pak, më thotë janë prapë në demonstratë. Të tre siç ishim nisemi në Qytet Studenti. Nisemi dhe rrugës takoj tre të njohur të mi. Njëri prej tyre është pedagog edhe tani, i them po shkoj tek studentët. E ke menduar mirë më tha? Jashtëzakonisht mirë i them. Më tutje takoj Mehmet Elezin. Ku ishe i them. Isha tek studentët më tha. Po pse? Se më kërkuan.
Ju nuk e njihnit Azemin?
Jo fare. Mehmetin e kishin transferuar në Elbasan. Njeriu i parë që ka kërkuar pluralizëm politik në Komitetin Qendror të PPSH, në prill ose në mars, ka qenë Mehmet Elezi. Mehmeti, i dizinteresuar fare për të zgjidh ndonjë problem. Më thotë po ti? Po shkoj i them tek ta. Vendi i rrethuar me autoblinda, me një aparat ushtarako policor të paimagjinueshëm dhe jemi sjellë një orë që të mund të futeshim. Ka një mik i imi një shtëpi karshi INIMA-s. Shtëpia e tij, një rrugicë e ndante me atë të Adil Çarçanit, dhe në atë rrugicë, dolëm në rrugën e Elbasanit dhe më pas dolëm tek rezidenca e ambasadorit Italian. Aty ishte bllokuar, mund të ishin mbi 1 000 studentë. Aty pashë për herë të parë Azem Hajdarin, që hipte mbi supe të studentëve dhe thoshte, e duam Shqipërinë si Evropa, poshtë dinastia, liri-demokraci.
Po Besnik Mustafaj e njihte?
Nuk besoj. Po ndoshta e njihte. Nuk ka vazhduar 5-7 minuta kjo kur u janë futur në mënyrë më barbare me shkopi, me bishta lopatash dhe i kanë rrahur barbarisht. I hynë nga të gjitha anët. Në këtë skenë, u thashë që do t’ju denoncoj në të gjithë botën. Kjo është një barbari që bëhet. Mu afrua një oficer me një sëpatë. Mbanin sëpata. Unë për herë të parë shihja ushtarë me sëpata në brez. Një grua tiranase i thotë, more qurravec, kujt i tregon sëpatën ti dhe i vërsulet atij. Pastaj Robert Koli ishte më tutje, që ishte Sekretar i Komitetit të Partisë për Tiranën, edhe ai u trondit aty. Ja më thanë mua, këta na goditën me gurë. Çfarë guri i them unë, nuk kishte asnjë gur në xhade. Ku janë gurët?
Me kë po diskutonit?
Me oficer policie që kishte aty të ndryshëm. I vetmi akt që bënin studentët ishte që Azemi ngrihej mbi ta dhe hidhte parulla. I dërmuan studentët. Nja 30-40 prej tyre, shkuan në spital. Me Besnikun, shkuam pas tyre se mund të ketë të plagosur. I them ti ndihmojmë, po thotë ai. Ngjitemi sipër, takojmë aty një grup që më thonë, ne të kemi kërkuar ty. Jo i them unë kam ardhur vetë. U gëzuan që shkova, ishin shumë të tronditur. Më thonë, a pranon ti të na përfaqësosh ne? Jo i them, unë përfaqësoj veten time, por mund t’iu mbështes ju me të gjithë forcën time, aq sa kam mundësi. Mirë thanë, kemi dy kërkesa. Një është se kemi shokët e plagosur në spital dhe kemi frikë se nuk do të ndihmohen. I thashë se do të shkoj unë dhe ndihma do të jetë e shkëlqyer. Më thonë, se kemi të tjerë në burg. Për burgun nuk ka ç’ju bëj i them. Na kanë arrestuar shumë thanë. Në atë moment i them Besnikut, Besnik do të shkojmë në Komitetin e Partisë, tu kërkojmë t’i lirojnë me çdo kusht studentët. Se për në spital isha i sigurt se do të kishin ndihmesë maksimale. Dakord tha Besniku, zbresim ne dhe shkojmë në Komitetin e Partisë, Robert Koli ishte aty. I themi Robertit, që këta po nuk i liruan studentët deri në këtë orë, i gjithë Qyteti Studenti, do të zbresë te pallati i kulturës dhe gjithçka do të thërrmohet sepse është bërë një barbari atje, e pe vetë ti. Roberti mori në telefon Ministrinë Brendshme, i thotë, që zoti Berisha thotë kështu, dhe ky ka influencë tek studentët dhe si përfundim i liruan studentët. Aty kemi ndejtur 1 orë, në komitet dhe ikim më pas në shtëpi. Roberti thotë në orën 5 do të organizohet një takim me drejtuesit e universiteteve nga shoku Xhelil, a mund të vini edhe ju. Po i them, shkojmë të mbrojmë studentët. Shkuam në takim dhe ai ishte takimi ndër më të hidhurit që mbaj mend. Pa përjashtim të gjithë kundër studentëve. Njëri kërkonte të ndërhynte ushtria, tjetri të mbyllej universiteti. Më shihnin me një egërsi mua.
Ju folët?
Fola dhe fola jo pak. U them, ka vetëm një rrugë, të vendoset dialogu me studentët, përndryshe vendi do të zhytet në luftë civile. Trupa pedagogjike është e gjitha me studentët, ju që doni të mbyllni universitetin, ti lini pa shkollë, do të ngrihet e gjithë Shqipëria kundër jush. Llambi Gegprifti ishte ulur në qoshe, i vetmi njeri që herë pas here thoshte, ka të drejtë shoku Sali. Xhelil Gjoni që sa nuk i thoshte, rri aty ku je ti. Pas këtyre fjalëve, Xhelili, doli ta raportojë. I thotë gjendjen Ramizit dhe më thotë Ramizi, do të të takojë.
Për se ju?
Sepse unë kisha shkruar, unë kisha qenë tek studentët, shkova në Komitet të Partisë.
Ai thotë se ju, sepse ishit nga Tropoja dhe mund të ndikonit tek Azem Hajdari se ishte Tropojan?
Mundet edhe kjo, po mua s’ma ka thënë. Pra Xhelili më tha, a mund të takohesh. Me Besnikun me vete, nisemi ku jetonte Ramiz Aliaj, te rezidenca e tij.
Ky ishte takimi juaj i parë me Ramiz Aliaj për çështje pune?Për se Besnik Mustafaj qëndroi jashtë dhe nuk hyri bashkë me ju?
Po, nuk e kisha takuar unë më parë Ramizin. Besniku nuk kishte pse. Ai erdhi prej meje, erdhi me mua. Takimi mund të ketë zgjatur 1-2 minuta. Ai kërkonte t’i shkonin prapë studentët. Më tha se ata nuk pranojnë të vijnë në takim. Se kishin bërë një takim në mesnatë, dhe ç’kishte bërë, i kishte nxjerrë njerëzit ti rrihnin. Ti i thashë rrahe të dërguarit, që nuk e bën njeri në botë. Jo tha, nuk e di ti, i rrahëm se vodhën revolen e një oficeri aty. Po pse i thashë, me një revole do ta bënin revolucionin ata. Ndaj kjo është një mashtrim i thashë.
Çfarë kërkonte Ramizi nga ju?
Ramizi kërkonte të bindeshin studentët që të shkonin në takim me të.
Ju tha se studentët duhet të shkonin në shkollë më parë?
Jo, jo.
Kaq ishte takimi?
Kaq.
E morët përsipër të negocioni me studentët?
E mora me kënaqësi të madhe. Unë kisha një qëllim, t’i çoja tek ajo çka është themelore. Shkuam me Besnikun në një kafe, aty pranë aty takova Azemin për herë të parë. U gëzuan shumë. I them Azemit, se më tregoi listën e kërkesave. I thashë, lëri mënjanë, një është themelore dhe thelbësore, pluralizmi. Ata e kishin, por kishin kërkesa të tjera, jo të ikë byroja, etj. I thamë do të mbështesim.
I thatë se vinit nga Ramiz Alia?
Po i thashë.
Po që ai kërkonte një takim me ta?
Po, por nuk i nxita unë ata.
Si e pritën takim me Ramizin?
Ata më pritën shumë mirë mua, po lere Ramizin. Qëllimi ishte që këta të konsolidoheshin në kërkesën për pluralizëm politik. Gjerësisht Besniku u ul me Azemin në një qoshe, dhe diskutuan për pluralizmin. Me të tjerët po merresha unë.
Si ishte situata, ishte konfuze?
Jo absolutisht. Ishte e shkëlqyer. Ata ishin të vendosur dhe me guxim.
Dhe shkuat pastaj të takoni Ramizin, siç thotë ai?
Jo nuk është e vërtetë. Këtu gënjen ai, se unë u vonova shumë tek studentët, e pastaj shkova direkte në shtëpi. Në orën 11 më merr Xhelili në telefon dhe më thotë, si nuk erdhe nuk na the asnjë fjalë. I thashë nuk vinë ata se janë të tërbuar, se ju keni rrahur të dërguarin. Nesër flasim i them. Të nesërmen, shkova në Komitetin Qendror aty gjeta Skënderin dhe Lisjen Bashkurtin. Ramiz Alia, nisi duke u dhënë udhëzime atyre të dyve.
A është e vërtetë që Ramizi ju pyeti dhe ju tha, a jeni sërish për pluralizëm mendimi?
Gënjeshtër me bisht. Unë po punoja tërë ditën për pluralizëm politik. Ramizi me mua nuk bëri asnjë diskutim, vetëm mund të rrjedhë. Ramizi, kishte qëllim vetëm takimin. I thashë pse nuk vijnë në takim studentët. Ata nuk mbajtën ndonjë qëndrim pro tij atij, të them të drejtën. Unë jam për dialog.
Kaq ishte takimi?
Po, ishte i shkurtër.
Dhe ju nuk patët më asnjë lloj angazhimi, bisedimi me Ramiz Alinë?
Jo. Kjo është e fundit. Unë vazhdova me studentët, që nuk pranonin takim kërkonte që Ramizi të vinte këtu. Me idera të ndryshme.
Po ideja juaj cila ishte?
Ideja ime ishte që të konsolidohej sa më shumë kërkesa për pluralizmin politik. Unë nuk doja në asnjë mënyrë që kjo kërkesë, të mbulohej nga kërkesa të tjera. Ushtimi në qytet ishte i domosdoshëm. Studentët duhet të kishin mbështetjen e Tiranës. Ne shkuam në darkë, bashkë me Lisjen Bashkurtin, në mbledhjen e dytë me studentët.
Shkojmë në rektorat, dhe ishin prapë drejtuesit, ata jo të favorshëm. Përkundrazi donin të sillnin aty studentët e shkollës së bashkuar dhe të policisë. Ata nuk pranuan. Lisjeni mbajti një qëndrim të shkëlqyer. Fliste në emër të rinisë, u tha në rektorat se nuk mund të ndodhë kurrë që të rinjtë shqiptarë të përleshen me njëri-tjetrin.
A mund të thuhet tani pas 20-vjetësh, atë që mund të quhet mandat të Ramiz Alisë për të biseduar, ju e përdorët për të qenë më aktivë pranë studentëve?
A, më vjen keq, unë tek studentët vajta vetë. Shkova në orën 9 në mëngjes, i pathirrur nga askush. Ata thanë se ne të kërkonim, po unë nuk dija gjë. Unë nuk do t’u ndahesha më studentëve, sepse unë një besim kisha, unë vetë nuk do të shihja liri, por të rinjtë do ta nxirrnin një ditë në krye. Sepse vetëm të rinjtë mund t’ia dilnin. Unë isha tek studentët e s’do tu ndahesha, i ndoqa pas demonstratës. Më erdhi shumë mirë që më ftoi Ramiz Alia, sepse tani do të bëja ç’të doja vetë.
Në datën 10 dhjetor pasdite, kur u bë një mbledhje, dukej sikur nuk kishte zgjidhje tjetër veç dialogut. Ndarja me dhunë e studentëve, ishte pothuajse e pamundur. Po atë mbrëmje, ju keni takuar Gramoz Pashkon, Preç Zogaj, e disa intelektualë të tjerë. Apo e shfrytëzonit ju këtë situatë për të krijuar një formacion politik?
Pa diskutim. Filluam të mendonim për një parti politike që në atë moment. Ne donim të theksohej pluralizmi politik. Para ikjes në takim me Ramiz Alia, me studentët në godinën 15 u bë një mbledhje rreth një orë, ku u diskutua në kërkesat që do ti paraqiteshin Ramizit. Fokusimi ishte kryekëput tek pluralizmi. Ky qytet, këto ndërtesa janë që sollën pluralizmin politik në Shqipëri, jo Ramizi, se ai u detyrua të pranonte, për të mos pësuar të njëjtin fat si Çaushesku. Ndërsa, a e shfrytëzuam ne këtë? Sigurisht që po. Lëvizja studentore, ishte leva e vetme, që mund të sillte pluralizmin në Shqipëri. Sepse u hapën ambasadat, njerëzit u larguan. Me studentët ishte ndryshe. Historia e lëvizjeve studentore ishte histori suksesi. Ata kishin një vendosmëri absolute. Në qoftë se unë, bëra gjithçka mundja që bashkë me ta të vendosej pluralizmi unë nuk kisha pasur kurrë një ide, për të krijuar një parti politike. Të nesërmen që erdhëm tek studentët, më thotë Kujtim Çashku, ne e bëmë punën tonë, tani të largohemi të ndjekim rrjedhën tonë intelektuale. I them jo, ne do rrimë. Për dy arsye. Së pari, ne jemi gjakftohtë, kemi marrë vendimet tona dhe ne mund ti mbrojmë studentët, së dyti, ishte Kosova. I thashë Besnikut, këto dy faktorë, na detyrojnë ne të qëndrojmë. Sepse për Kosovën, pluralizmi në Shqipëri, ishte jetik. Këto ishin arsyet, jo që unë të themeloj një parti politike, sepse e para njëherë, unë kisha fushën time në të cilën kisha një përkushtim total para nisjes së pluralizmit. U ndava me të, për të bërë një detyrë që se kisha bërë.
Zoti Berisha, rreth orës 9 të mbrëmjes më 11 dhjetor, ajo që quhej përfaqësia e studentëve, u kthye nga takimi me Ramiz Alinë, ku mori sigurinë për pluralizëm politik, u deklarua që do të krijohej një shoqatë e studentëve. Menjëherë sapo u kthyen, Arben Imami foli dhe tha se do të krijohet një parti e dytë dhe më pas folët ju. Përse folët, ju nuk ishit në takim?
Interesi im ishte pluralizmi politik. Mora fjalën dhe theksoj se partitë nuk i ndajnë por i bashkojnë kombet rreth vlerave. Aty unë me Arben Imamin, Gramoz Pashkon, Preç Zogaj, Azem Hajdari, etj., ne shkuam në një dhomë këtu në Qytet Studenti dhe u ulëm dhe nisëm diskutimin për themelimin e Partisë Demokratike dhe aty e themeluam Partinë Demokratike. Këtë e bëmë, pikërisht për të mos humbur asnjë minutë kohë. Sepse të nesërmen e të pasnesërmen, regjimi do të bënte gjithçka për ta frenuar një gjë të tillë.
Përse e quajtët Partia Demokratike?
U diskutua gjatë aty, për ta quajtur lidhje, apo parti dhe u vendos ta quanim Parti Demokratike, që u vendos me unanimitet.
Nuk kaluan as 20 orë pas takimit me Ramizin, dhe u themelua Partia Demokratike. A ishit ju dhe Pashko, më të përzgjedhurit për t’u futur në pluralizmin politik apo angazhimi në parti ishte thjesht rastësi.
Pozicioni ynë ishte bërë i qartë me të gjitha qëndrimet tona. Qëllimi im ka qenë ky, që unë të bëj atë që nuk kisha bërë. Unë vendosa të mos u ndahem studentëve sepse isha i bindur se mund t’i ndihmoja ata, isha gjakftohtë, nuk më impresiononte më asgjë nga sistemi, kisha marrë një vendim dhe ata donin të përballeshin me regjimin. Trimëria e tyre ishte frymëzuese, po përballje me dhunë, do t’i nxirrte të humbur ata.
Po në atë kohë keni deklaruar se do të ktheheni në spital dhe nuk do të merreni me politikë?
Jo tamam kështu. Kam thënë që nuk u ndahem studentëve, por a do të kem rol drejtues apo jo, kjo është tjetër gjë. Ato ditë ishin ditë shpërthimi të një entuziazmi të paparë, por edhe dhune e terrori të paparë. Ramiz Alia, mbajti një fjalë në Komitetin e Partisë, ku na quajti ne armiq të vërtetë të vendit dhe të socializmit.
Ndërkohë që në një farë mënyre, ju vazhdonit t’i bënit elozhe Ramiz Alisë si President i vendit dhe të tentonit ta shkëpusnit nga Partia e Punës. A ishte një strategji e gabuar kjo?
Nuk ishte e gabuar fare. Ishte një strategji që kërkonte çështje kohe, ku forcat demokratike duhet me çdo kusht të shmangnin përballjen me dhunë, se dhuna ishte në duart e tyre. Nëse ne do i thonim Ramiz Alisë se do ta bëjmë si Çaushesku, të jesh i bindur se ai do të nxirrte tanket mbi ne. Kam qenë, jam dhe mbetem gjithnjë kundër dhunës dhe në qoftë se ne si PD, kemi një meritë të veçantë historike veç themelimit të pluralizmit, është shmangia e dhunës. Regjimi synoi në mënyrë më të përsëritur, të përdorë dhunën. Vetëm në shkurt të vitit 1991, janë 12 të rinj të vrarë, ekzekutuar nga falangat e regjimit në Tiranë. Kur studentët, rrethuan Shkollën e Bashkuar, ishin Hajdari me Pashkon, që shpëtuan një nga gjakderdhjet më të mëdha, që po organizohej nga regjimi. Ramiz Alia bëri puç, me krijimin e Këshillit Presidencial. Ka pasur momente të tjera në Burrel, Elbasan, Shkodër, etj.
A ka ndonjë gjë nga fillimet e PD-së, që tani, pas 20 vitesh, do të dëshironit ta bënit ndryshe?
Qëndrimet e vitit 1990, kanë qenë në tërësi kolegjiale dhe të hapura, dhe ndër më të drejtat që mund të ndërmerreshin. Qëndrime që ia dolën të fitojnë të pushtojnë mendjen dhe zemrën e shqiptarëve. Që shmangën një gjakderdhje. Unë mendoj se PD ia doli në mënyrë të pabesueshme, për shumicën e analistëve, të bëjë një ndryshim paqësor në vendin e diktaturës më të egër në Evropë.
Në shkurt të vitit 1991, ju u zgjodhët kryetar i Partisë Demokratike. A keni pasur ju ndonjë ndihmë nga jashtë apo nga faktorë të tjerë, për të ardhur në krye të PD-së?
PD u themelua si e tillë, por larg së qenit një parti. Ishte një lëvizje. Në komisionin drejtues, ku unë isha anëtar, kisha fjalën time dhe peshën time. Me 4-5 përfaqësues të PD-së, isha në një takim me Ramiz Alia dhe kur u kthyem ishte bërë një mbledhje e befasishme, ku ishte shkarkuar Azem Hajdari. Dhe vendosje në krye të partisë të Aleksandër Meksit.
Me votim?
Po, me votim ishte bërë.
Ju nuk dinit gjë?
Jo
As Azemi?
As Azemi. Kur kthehem i them, kjo nuk mund të ndodhë. U gjetëm para një absurditeti. U them se është e papranueshme, një gjë që është bërë jashtë çdo lloj kodi e morali. Ndaj jam i gatshëm të ndjek punën time, se me këtë nuk pajtohem. Kjo krijoi një revoltë të fortë në të gjitha degët, sepse ishin konsoliduan degët tashmë. Veprimi u konsiderua i shëmtuar dhe pas debatesh të mëdha brenda, u vendos që të mblidhet një forum më i gjerë, u bë një Aktiv i PD-së në Pallatin e Kulturës. Aty u votua për disa kandidatë, ku unë fitova me 70%. U votua për kryerin e PD-së, jo për Kryesinë.
Ju ishit konkurrent me Aleksandër Meksin?
Jo vetëm Meksin. Ishin nja 3-4 kandidatë dhe unë kam fituar me 70% të votave.
Kam përshtypjen se zgjedhja juaj është bërë nga Kryesia, por nejse. Cilat ishin raportet tuaja me Pashkon? Dukej se rivaliteti juaj me të, po e dëmtonte PD-në në atë kohë?
Jo absolutisht. Raportet e mia me Pashkon ishin shumë miqësore. Pashko ishte për lëvizjen një aset i jashtëzakonshëm. Më shumë se të gjithë ne të tjerët, Pashko kishte pasion mediatizimin. Themelimi i PD-së vërtetë u bë në një dhomë, mund të them se çdo tjetër u bë në shtëpinë e tij se ai me një fax njoftonte gjithë botën. Gramozi u shndërrua në avokatin kryesor të PD-së në botë nga shtëpia e tij. Në raste të caktuara, në zonat më të rrezikshme, me Azemin shkonte Pashko. Nuk ka thënë një herë që nuk shkoj. Nuk kam pasur kundërshtira me të. Nuk ka pasur rivalitet as për lidershipin e PD-së. Ne krijuam pas grevës së përgjithshme, qeverinë e stabilitetit kombëtar, kundërshtitë u krijuan me vendimin që morëm në dhjetor për të dalë nga qeveria. Natyrisht, ministrat e mi nuk ishin dakord. Pashko ishte në Londër. Bëri një xhest atje që nuk nënshkroi marrëveshje atje se partia ime e la qeverisjen. Pashko nuk mori pjesë në procesin që më bënë mua ministrat. Por ajo dalje nga qeveria ishte vendimtare, për fitoren që ndodhi në zgjedhjet e 22 marsit.
Që nga ky moment, marrëdhëniet e tua me Pashkon u ftohën?
Jo. Pashko krijoi grupin mocionist, me të cilën u ndoq e gjithë procedura demokratike. Themeloi parti më vonë, u krijua Aleanca Demokratike.
Pasi u përzunë nga PD-ja?
U përzunë apo ikën vetë kjo duhet parë. Problemi është që mocioni i tyre nuk u pranua. Ata paraqitën një mocion, por nuk u pranua dhe krijuan partinë e tyre. Në të cilën kishin mendimin se si duhet të zhvillohej demokracia.
Po raportet tuaja me Aleksandër Meksin si ishin?
Normale. Unë në tërësi, ruaj marrëdhënie tërësisht korrekte të hapura dhe normale me bashkëpunëtorët e mi.
Po me Azem Hajdarin?
Të shkëlqyera.
Në vitet e para, se më pas ju ka kontestuar?
Kështu ishte Azemi, po në çdo rast ishte pika ku ne bashkoheshim në mënyrë përfundimtare ishte PD. Azemi kurrë nuk mendonte ndonjëherë as të krijonte parti tjetër, as të largohej nga PD.
Zoti Berisha, një nga momentet më delikate të Partisë Demokratike dhe të raporteve të saj me studentët, ka qenë greva e urisë së shkurtit 1991. Studentët, u nxitën nga PD- për protesta, por më pas në mënyrë radikale hynë në grevë urie për të hequr emrin Enver Hoxha të universitetit. Ka pasur një thyerje mes jush dhe studentëve në këtë moment?
Absolutisht jo. Greva e urisë së studentëve, për heqjen e emrit së universitetit Enver Hoxha, nisi në Kamëz. E ndërmorën ata. Të nxitur tërësisht nga Azem Hajdari me ujdi të plotë. Nga Kamza erdhi këtu, dhe e mori Arben Imami dhe Blendi Gonxhe, që kishte një aftësi të jashtëzakonshme koreografike, për shou dhe filloi të djegë veprat e Enver Hoxhës. Këta krijuan një grup të udhëheqjes së kësaj lëvizjeje për heqjen e emrit dhe rrëzimin e bustit. Grupi ishte në kontakt me Azemin dhe Aleksandër Meksin. Ne nisëm kontaktet me presidentin e asaj kohe për të hequr emrin. Në atë ndërtesë aty në Qytet Studenti, është bërë një takim, kanë qenë Arben Lika, gonxhe etj, Ramiz Aliaj që vërtitej, sepse as nuk pranonte heqjen e emrit, as nuk ishte kategorik për mbajtjen e tij. Ne kishim lënë të hënën takim me të. Dhe i themi studentëve, shtyjeni deri të hënën, se kemi takim nëse nuk pranon, e nisim.
U shty deri të hënën...
Jo nuk u shty. Jo thanë studentët, ne do të hyjmë. Dhe u futën, unë kisha vajzën aty. Greva e tëra u administrua nga PD-ja.
Ju keni pasur një takim, Azem Hajdarin, Eduard Selamin, PreçZogaj, bëtë një takim në 19 shkurt në mbrëmje me Ramiz Alinë. A e mbani mend se cili ishte thelbi i bisedimeve?
Thelbi i bisedimeve, është se nuk e pranonte heqjen e emrit. Takimi vazhdoi 3 orë e gjysmë dhe nuk pranonte. Ai thoshte, të ndërpritet greva që ta diskutojmë më pas. Por po të ndërpritej greva ai nuk trajtonte gjë më pas.
A luajtët ju rol në organizimin e sindikatave një ditë më pas, në 20 shkurt?
Ne luajtëm rol në organizimin e sindikatave. U bë një punë e shkëlqyer në dramatizimin e situatës. Greva ishte më e madhja e urisë që kisha dëgjuar ndonjëherë. Pas minatorëve të Trepçës, që ishin 1100, kjo ishte greva më e madhe rreth 900 veta. Ne organizuam aty një shërbim shëndetësor të përsosur. Tritan Shehu që drejtonte ekipin shëndetësor, nxirrte çdo 10 minuta me sirenë, një student në gjendje të rëndë. Këtë e bëmë ne.
Ndërkohë që nuk ishin aq rëndë?
Kjo ishte truk, se nuk ishin aq rëndë, se 2-3 ditë kishin aty. Ishte një mënyrë për ta bërë sa më alarmante. E dyta me sindikatat, që luajtën një rol të shkëlqyer, u organizuam që të vijnë ndërmarrjet, punonjësit, dhe ishin rreth 100. 000 vetë. Një nga organizimet më të mëdha të bëra.
Zoti Berisha, kishit rakorduar ju rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës apo ishte spontane?
Busti do të rrëzohej kjo ishte e sigurt. Rrëzimi i bustit ishte e nxitur nga PD-ja.
Për atë ditë, kishte plan konkret?
Jo nuk them se kishte plan konkret. Për mua dhe bashkëpunëtorët e mi, prania e bustit na bënte fiktiv si opozitë.
A i orientuat ju turmat drejt sheshi “Skënderbej”?
Po, pa diskutim. Sindikatat PD i orientoi. Rajmonda Bulku, bëri thirrjen e para, “nëna motra, të shkojmë se po na vdesin studentët”. Thirrja ishte e Rajmonda Bulkut, për të shkuar drejt presidencës. Shmangia u bë drejt sheshit, nga PD dhe sindikatat. Me idenë për ë rrëzuar bustin.
Zoti Berisha ju patët një takim me Ramiz Aliaj shumë të tensionuar?
Ditën e rrëzimit të bustit, pata takim me Ramiz Alia. Lexova këto ditë, një raport të sigurimit të shtetit, që thoshte të vërtetën se“takova Sali Berishën dhe Gramoz Pashkon dhe thoshin çojini tek Qyteti Studenti, studentët”. Këtë e bëmë ne. Para pak minuta se të rrëzohej busti, unë isha në shesh, pastaj shkova në seli.
Për se kalonit në shesh?
Po sepse duhet të isha edhe unë aty.
Si ishte takimi me Ramizin?
Kur u rrëzua busti, me Gramozin dalim dhe i takojmë diku te Banka. I themi ta çoni drejt Qytetit Studenti. Pastaj u rrethua Tirana, pëllëmbë e ushtarë. Ramizi kërkoi gjendjen e jashtëzakonshme. Mblodhi presidiumin. Aty ishte një përballje shumë e egër, se Haxhi Lleshi çonte shpesh herë dorën në revole, dhe ishte shumë i neveritshëm.
Pse?
Më thoshte mua tradhtar. Dhe Dritëro Agollit. Se ishin të gatshëm të bënin çdo veprim. I them unë që kjo është pasojë e qëndrimeve tuaja, se po ta hiqnit ju, nuk do të ndodhte kjo.
Por nuk e vendosi gjendjen e jashtëzakonshme?
Ai krijoi Këshillin Presidencial. Sa dola, unë i thashë “Zërit të Amerikës”, se bëri puç brenda pushtetit Ramiz Alia, dhe u botua kudo. Pastaj ky nisi një terror në rrugët e Tiranës.
Kishte rrezik Shqipëria të shkonte në luftë civile në atë kohë?
Kishte shumë rrezik dhe provokim të jashtëzakonshëm. Nisën vallet e vullnetarëve të Enverit, me buste të Enverit në çdo vend. Nisën pastaj, donin të na e sillnin bustin e tij mu në qendër. Dolëm bllokuam rrugët, bashkë me qytetarët. Asnjë dhe asnjëherë ndonjë përfaqësues i yni, nuk bëri thirrje me armë. Në shkollën e bashkuar, 400 të rinj, e rrethuan shkollën, një moment shumë i rrezikshëm, se këta ishin të vendosur, e shembën murin dhe kishin shishe aranxhatash me benzinë. Këtu ndërhyrja e Azemit dhe Pashkos, ishte vendimtare. Se ata kishin mbledhur njerëz, për të bërë namin. Ata vijuan të vrasin në Tiranë mbi 11 vetë, të rinj.
Pse i humbi Partia Demokratike, zgjedhjet e 31 marsit?
Së pari, PD ishte një lëvizje, që nuk e numëronte dot votën. Së dyti, nuk kishim arritur në tre muaj jetë politike, shkallën e vërtetë të ç’frikëzimit. Pra që të inkurajonim njerëzit, të nxirrnin frikën e të fitonim zemrën e tyre. Së treti, Ramiz Aliaj, u mbështet nga socializmi i asaj kohe në botë. Në një shkallë të caktuar po. PD kishte mbështetje ndërkombëtare të madhe, nga SHBA nga disa parti si motra, por Ramizi filloi të konsiderohej si një Gorbaçov i Ballkanit, kur në fakt ishte një kushëri i Millosheviçit në disa aspekte. Sepse Ramizi bëri gjithçka që në vitin 1990, të koordinonte me Millosheviçin, shkriu shërbimet. Socialistët në Evropë, bënë gjithçka që komunizmi të mos dënohej, dhe nuk kanë qenë të pasuksesshëm. Sepse komunizmi nuk ka marrë dënimin që duhej.
Në gjykimin tuaj, cili është vendi i vitit 1990 në historinë e shtetit Shqipërisë?
Vendi i vitit 1990, në historinë e këtij shteti, është viti më i rëndësishëm pas pavarësisë së shtetit dhe të kombit. Shqiptarët kanë pasur histori nga më të vështirat, më tronditëse, histori të cilat nuk i lejuan të zhvillohen. Gjatë periudhës së perandorisë, edhe para saj, të gjithë udhëtarët e shquar, si Lodri Bajron etj, kur shtrojnë pyetjen se ç’janë shqiptarët, i përmbledhin me një fjalë “Armholder”. Kjo ishte e vërtetë, sepse arma dhe ekzistenca, ishin një për ta. Ata nuk ishin një komb që të kishin pasur prijës dhe ushtri të organizuara, por ishin “armholder”. Ata me këto armë, u çliruan nga perandoria, me këto armë, shpëtuan në luftën e parë botërore nga zhdukja e tyre, pa pasur një shtet të organizuar. Erdhi një periudhë, ku u bënë zgjedhjet, por aventurierët rrëzuan kryeministrin e zgjedhur me votën e shqiptarëve. Bënë një aventurë politike të dëmshme. Erdhi lufta. Shqiptarët luftuan dhe një faqe e ndritur është kjo. Patën fatin e keq që organizatorët e luftës, u bënë komunistët jugosllavë. Mbreti si të gjithë të tjerët, u largua në mërgim. Forcat nacionaliste u ndanë në dy pjesë. Njëri krah, bashkëpunoi në mënyrë shumë të gabuar me pushtuesit. Krahu tjetër mbeti i papërfshirë, por ishin të dobët, në krahasim me forcat komuniste, dhe kjo bëri që menjëherë pas lufte pati dy pasoja. Nuk pati dëshirë të rendiste Shqipërinë në radhët e fitimtarëve, por u renditën. U vendos diktatura më e egër në Evropë. Mos harrojmë, se në vitin 1943, në Bujan të Tropojës, u mblodhën përfaqësuesit e luftës, të Shqipërisë dhe të Kosovës, shqiptarë, të partizanëve shqiptarë dhe të serbëve dhe firmosën dokumentin e Bujanit, që u njihte të drejtën e referendumit të qytetarëve të Kosovës për të vendosur fatin e tyre. Kjo u hodh poshtë nga Enver Hoxha dhe jugosllavët. E hodhi poshtë Tito me Enverin, se ai dhe klika e tij, parashikuan bashkimin e Shqipërisë dhe shndërrimin e saj në republikë të 7-të të ish-Jugosllavisë. Viti 1990 së pari, solli lirinë e popullit më të shtypur të Evropës dhe botës. Solli hapjen e siparit të trajtimit të çështjes kombëtare. Në këtë shesh, në fjalën time të parë, të mbajtur para 100. 000 qytetarëve shqiptarë u deklarova shqiptarëve, se ylli ynë polar do të jetë çështja kombëtare. Që ishte tabu. Në këtë kontekst, hapja e Shqipërisë, vendosja e pluralizmit, bëri të mundur që vendi të shndërrohej në mbështetje të palëkundur të interesave të shqiptarëve në Kosovë. Bëri të mundur që më shumë se gjysma e kombit, të vinte, të rikthejë tek shqiptarët krenarinë e të qenit shqiptar. Do e mbyll me një krahasim. Rri dhe mendoj këtë periudhën e “armholder”. Periudhë që erdhi prapa. Një zhvillim të shkurtër, pati gjatë perandorisë. Mbreti bëri rrugë, ka merita historike të jashtëzakonshme. Por ramë në diktaturë dhe përfunduam në ndërtimin e bunkerëve. Nëse mbledh bunkerët e Shqipërisë, ato bëjnë dy herë më shumë se piramidat e Egjiptit. Sot në ditë lirie, edhe në Kosovë, nuk ka komb që ecën më shpejt se ne. Ndaj i rikthehem gjithnjë vitit 1990, vitit më të lumtur të jetës sime, vitit më të pashlyer për mua si njeri. Se pashë veten time të ecë i lirë, në rrugët e qytetit tim. Shqipërinë të dalë nga terri më i thellë në historinë e saj dhe çështja kombëtare të dalë në dritën e Diellit. Pas pavarësisë, është viti më i bekuar, viti i mrekullisë së Shqipërisë. Kam kënaqësinë sot, se disa nga ato ëndrra që ne i shpallëm këtu me studentët, 20 vjet më parë, sot janë realitet për ata që nuk kishin lindur në atë vit.