English

Thaçi: Takimet me Serbinë do të bëhen dhe do përfundojnë në njohje të ndërsjellë

Prishtinë, 10 Dhjetor 2010 - Sonte në mesnatë në Kosovë fillon heshtja parazgjedhore para votimeve të së dielës ku atje mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Rreth 30 subjekte politike me rreth 1 mijë e 300 kandidat janë regjistruar për të marrë Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se Bashkimi Evropian duhet të ketë një qëndrim të qartë kundruall pavarësisë së Kosovës.

Në intervistën dhënë korrespondentit të VOA në Prishtinë, Thaçi thotë se bisedimet që do të fillojnë me Serbinë pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit janë bisedime që do të çojnë në njohjen e ndërsjellë dhe integrimin e të dy vendeve në NATO dhe Bashkim Evropian.

Si po hyn partia juaj në zgjedhjet e së dielës, që janë të jashtëzakonshme dhe në njëfarë mënyrë të imponuara nga zhvillimet në skenën politike?

Këto zgjedhje janë si rezultat i shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese në rastin e ish presidentit Fatmir Sejdiu dhe tërheqjes së njëanshme, të nxituar të Lidhjes Demokratike të Kosovës nga institucionet e Republikës së Kosovës. Por, sido që të jetë janë në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës. Janë zgjedhje të parakohshme dhe jo të jashtëzakonshme, por, fitorja e Partisë Demokratike të Kosovës do të jetë e thellë, bindëse dhe e jashtëzakonshme.

{youtube}goM44bq4LXM{/youtube}

Përse duhet të votohet për partinë tuaj sërish?

Të dielën do të ketë edhe zgjedhje të lira, por do të jetë edhe një referendum për qeverisjen e mirë të cilën e kam udhëhequr në këto tri vite. Do të votohet për punën e mirë që është bërë, për Kosovën e lirë, të pavarur e sovrane, për zhvillimin ekonomik, për krijimin e vendeve të reja të punës, për konsolidimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës. Por, do të votohet edhe për vizionin e së ardhmes, vizionin për Kosovën evropiane, që e kam prezantuar, për investimet kapitale, për krijimin e vendeve të reja të punës, për rritjen e rrogave për kategoritë e shoqërisë kosovare, pra për rritjen e mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës. Por, do të votohet edhe për garancinë që e kam dhënë për qytetarët e Kosovës që në 15 muajt e ardhshëm, nga janari i vitit të ardhshëm, të kemi liberalizim të vizave për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe gjatë mandatit të ardhshëm 4 vjeçar, Kosova të anëtarësohet në NATO ndërsa të afrohet për t’u integruar në BE dhe në OKB.

Kur flasim për integrimet evropiane dhe liberalizimin e vizave, a mjafton që vetëm Kosova t’i përmbushë obligimet e saj? Cili është në fakt qëndrimi i Brukselit për këtë çështje...?

Mund të them se Brukseli paksa është vonuar dhe BE-së i mungon uniteti i plotë sa i përket statusit të Kosovës. Të gjithë në BE tanimë duhet ta kuptojnë dhe ta njohin atë realitet që Kosova është vend i pavarur dhe sovran dhe perspektiva evropiane është e vetmja rrugë e stabilitetit, e zhvillimit dhe perspektivës së Republikës së Kosovës. Dhe unë ju kam drejtuar edhe qytetarëve të Kosovës, por edhe gjithë miqve të mi edhe evropian edhe amerikan se mandati i ardhshëm do të jetë mandati i Kosovës evropiane, i Kosovës në NATO.

Thatë se do të angazhoheni posaçërisht për forcimin e shtetit të Kosovës, që nënkupton forcimin e sundimit të ligjit. Kur jemi tek kjo pikë, shpeshherë dhe ditëve të fundit posaçërisht, është shtruar shumë çështja e luftës kundër korrupsionit. Kosova edhe dje u nxor në një shkallë jo shumë të mirë nga “Transparency International”...

Unë ndjehem tepër mirë që e kam filluar luftën kundër korrupsionit, pas dhjetë vitesh heshtjeje, luftën kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, kundër trafiqeve. Me iniciativën time, vendimin tim është themeluar Task forca anti korrupsion me institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare. Jemi në proces të themelimit të Task Forcës antikrim i organizuar dhe trafikim, kështu që do të kemi një betejë, jo edhe të lehtë, por jam i bindur në sukses me moton zero tolerancë ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve dhe të gjitha fenomeneve negative. Do të vazhdoj instalimin e një qeveria reformatore, të njerëzve të ditur të këtij vendi, të njerëzve që më të vërtetë kanë dije për të qeverisur dhe për të vazhduar ndryshimet në Republikën e Kosovës. Do të vazhdoj me investime të fuqishme kapitale, ndërsa jam zotuar se për çdo vit do të kemi të hyra rreth 150 milion euro më tepër për buxhetin e Kosovës, gjithë kjo nga beteja që do ta zhvillojmë edhe me ekonominë joformale. Kështu që jam optimist se do të vazhdojmë me konsolidimin e shtetit, me zhvillimin e shtetit, me krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e mirëqenies sociale dhe natyrisht perspektivën tonë integruese euro-atlantike.

Forcimi i sundimit të ligjit, lidhet edhe me një çështje tjetër që ka mbetur e hapur tash e 11 vjet që është veriu i Kosovës. Çfarë më tutje? Cilat do të jenë veprimet tuaja më tutje?

Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë shumë ngushtë me NATO-n, me autoritetet tjera ndërkombëtare, në mënyrë që të kemi një proces integrues edhe në veri. Të dielën pres që të hapen kutitë e votimit dhe pres një pjesëmarrje, sido që të jetë, simbolike të qytetarëve serb të Kosovës në zgjedhjet nacionale, të parat në Kosovën e pavarur. Pastaj do të vazhdojmë me respektimin e plotë të dokumentit Martti Ahtisaari, por edhe me implementimin e strategjisë për integrim, që nënkupton sundimin e ligjit, formimin e komunës së re dhe në të njëjtën kohë edhe organizimin e zgjedhjeve të lira lokale në tri komunat në veri. Por, edhe angazhimet tona, investimet tona socio ekonomike, që të krijohet një atmosferë më e mirë, për një jetë më mirë për të gjithë qytetarët që jetojnë edhe në atë trevë të Republikës së Kosovës.

Jemi tash në atë valën e shkrime nga WikiLeaks dhe sot po përmendej pikërisht edhe shqetësimi i Shteteve të Bashkuara se veriu i Kosovës po rrëshqet drejt ndarjes. A keni shqetësim ju për këtë?

Kosova është një, është unike, me kufij të njohur ndërkombëtarisht dhe kështu do të bëhet edhe pjesë e Bashkimit Evropian edhe e NATO-s.

Pas zgjedhjeve është edhe një detyrim tjetër i Kosovës, fillimi i dialogut me Beogradin për zgjidhjen e çështjeve praktike. Çfarë prisni prej këtyre bisedimeve? A jeni të gatshëm t’i filloni menjëherë?

Kam diskutuar edhe me miqtë e mi amerikan dhe ata evropian. Takimet mes Prishtinës dhe Beogradit janë agjendë evropiane, euro – atlantike. Këto takime do të rezultojnë me përmbylljen e një procesi të njohjes reciproke dhe integrimin e dy vendeve tona, Republikës së Kosovës dhe Serbisë në NATO dhe Bashkim Evropian. Pra, do të jetë një agjendë e fqinjësisë së mirë dhe perspektivës euro-atlantike.

Një pyetje që ndonëse është hipotetike, natyrshëm shtrohet në prag të zgjedhjeve. Me kë mund ta shohim zotin Thaçi në një koalicion të mundshëm pas zgjedhjeve të së dielës?

Unë pres një fitore të thellë dhe bindëse. Pres një mazhorancë të fuqishme të PDK-së në Parlamentin e Kosovës. Koalicioni ynë edhe në këtë kampanjë por edhe në të ardhmen do të jetë me qytetarin e Republikës së Kosovës. Do të presim rezultatin zgjedhor dhe dihet sa e thellë do të jetë fitorja e PDK-së. Pastaj do të shikoj dhe do të marrë vendimin më të mirë të mundshëm që i shërben shtetit dhe gjithë qytetarëve të Kosovës. Por, sigurisht se nëse është nevoja për ndonjë partner, do ta integrojë dike, ndonjë subjekt politik që u përgjigjet prioriteteve të PDK-së dhe qeverisë sime në mandatin e ardhshëm katërvjeçar, të qeverisë reformatore.

A ka vija të kuqe?

Koalicioni im është me qytetarin e Kosovës dhe ata të cilët i mirëkuptojnë dhe përqafojnë prioritetet e Kosovës euroatlantike, zhvillimore, krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve, ekonominë e lirë të tregut, mund të jenë partner dhe mund të qeverisim së bashku.

KOMENTE