Korçë, 10 dhjetor, NOA – “Politika duhet të dijë të sinkronizohet për çështje që s’kanë të bëjnë me politikën”. Kjo është deklarata e bërë sot nga Presidenti Bamir Topi gjatë një mbledhje pune që zhvilloi me Kryetarë të Gjykatave të Rretheve Gjyqësore të vendit në Korçë, pas inaugurimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor në këtë qytet.
Kreu i shtetit ka bërë apel gjatë mbledhjes për miratimin e ligjit për Gjykatën Administrative, një ligj që është bllokuar në Kuvend nga opozita.
Në prani të Kryetarit të Gjykatës së Korçës, Admir Belishta, Zëvendëskryetarit të Këshillit të lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu dhe Kryetarëve të Gjykatave Gjyqësore të vendit, Presidenti Topi apeloi edhe një herë për rritjen e profesionalizmit dhe integritetit të gjyqtarëve.
Ai u shpreh se gjyqësori duhet të jetë i paanshëm “në mënyrë që sistemi i drejtësisë t’u përgjigjet sa më mirë kërkesave dhe të rrisë besimin e qytetarëve tek drejtësia dhe tek shteti ligjor”.
a.k/NOA