English

Trajtim i ri financiar për punonjësit që dërgohen me shërbim jashtë qendrës së punës, brenda vendit

Tiranë, 10 Dhjetor 2010 NOA – Qeveria miratoi sot vendimin për trajtimin financiar të punonjësve që dërgohen me shërbim jashtë qendrës së punës, brenda vendit.

Me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi sot që punonjësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të cilët, gjatë ditëve zyrtare të punës, shkojnë me shërbim jashtë qendrës së punës, brenda vendit, të trajtohen financiarisht për përballimin e shpenzimeve të shërbimit.

Në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, në kuptim të këtij vendimi, përfshihen:

1) njësitë e qeverisjes qendrore, që janë: njësitë e pushtetit ekzekutiv, legjislativ, gjyqësor, të krijuara me Kushtetutë, me ligj ose me vendim të Këshillit të Ministrave.
2) njësitë e qeverisjes vendore, që janë njësitë e niveleve të ndryshme vendore, të krijuara me ligj.
3) njësitë e fondeve speciale, që janë njësitë e krijuara me ligje specifike.

Sakaq, trajtimi financiar i punonjësve për përballimin e shpenzimeve të shërbimit, bëhet i diferencuar, sipas distancës së shërbimit nga qendra e punës, si më poshtë vijon:

1. Për shërbime në një largësi deri në 100 km jashtë qendrës së punës, trajtimi financiar i punonjësit përfshin vetëm shpenzimet e transportit, në rastin kur transporti nuk realizohet nga vetë institucioni, kundrejt dokumentit tatimor përkatës, por jo më shumë se tarifa përkatëse sipas distancës kilometrike të linjës, të miratuar me vendimin nr.307, datë 20.7.1992, të Këshillit të Ministrave, “Për tarifat e transportit të udhëtarëve”, të ndryshuar.
2. Përjashtohen nga pika III-1, punonjësit e Policisë së Shtetit, punonjësit e Gardës së Republikës dhe punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit kur marrin pjesë në shërbime operacionale. Në këto raste, këta punonjës trajtohen sipas pikës III-3, të këtij vendimi.
3. Për shërbime në një largësi mbi 100 km jashtë qendrës së punës, punonjësit i përballohen shpenzimet e mëposhtme:

a) Dietë ditore, e cila, për çdo punonjës të dërguar me shërbim, llogaritet:

i. në masën 1000 (një mijë) lekë në ditë, kur punonjësi kthehet brenda ditës;
ii. në masen 10 për qind të pagës mujore, por jo më shumë se 2500 (dy mijë e pesëqind) lekë në ditë, kur shërbimi zgjat më shumë se një ditë. Për efekt të llogaritjes së dietës, në këtë rast, data e nisjes dhe ajo e kthimit llogariten një ditë e plotë.

b) Shpenzimet e fjetjes, kundrejt dokumentit tatimor përkatës të paraqitur nga hoteli e të shoqëruar me faturën e printuar nga kasa elektronike fiskale, por jo më shume se 3000 (tre mijë) lekë, për çdo natë.
c) Shpenzimet e transportit, në rastin kur transporti nuk realizohet nga vetë institucioni, kundrejt dokumentit tatimor përkatës, por jo më shumë se tarifa përkatëse, sipas distancës kilometrike të linjës, të miratuar me vendimin nr.307, datë 20.7.1992, të Këshillit të Ministrave, “Për tarifat e transportit të udhëtarëve”, të ndryshuar.

IV. Dokument tatimor, për efekt të këtij vendimi, do të konsiderohet çdo biletë transporti, e miratuar nga Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, si dhe çdo faturë e thjeshtë apo me TVSH, e cila, detyrimisht, duhet të shoqërohet me faturë të printuar nga kasa elektronike fiskale.

V. Dërgimi me shërbim i punonjësit autorizohet nga:

1. Titullari i njësisë shpenzuese, për shërbimet me largësi deri në 100 km jashtë qendrës së punës.
2. Titullari i institucionit qendror, për shërbime në një largësi mbi 100 km jashtë qendrës së punës. Në autorizim përcaktohen koha e zgjatjes së shërbimit dhe qëllimi i tij. Titullar institucioni qendror, në kuptim të këtij vendimi, janë:

a) Për njësitë e qeverisjes qendrore:

i) për ministrinë dhe çdo institucion në varësi të saj, ministri ose i deleguari i tij;
ii) për aparatet e Presidencës, të Kuvendit, të Këshillit të Ministrave, të enteve kushtetuese, si dhe për institucionet në varësi të Kryeministrit, sekretari i Përgjithshëm përkatës;
iii) për punonjësit e gjykatës, kryetari i Gjykatës;

b) Për njësitë e qeverisjes vendore, kryetari njësisë vendore;
c) Për fondet speciale, titullari i fondit special.

VI. Prefektët e qarqeve, që kryejnë funksione larg vendbanimeve të tyre, kur nuk u janë siguruar kushtet për fjetje pranë vendit të punës, përfitojnë dietë dhe u paguhen shpenzimet e ditës sipas pikës III-3, të këtij vendimi, për një periudhë jo më shumë se një muaj. Pas një muaji nga data e emërimit të tij, shpenzimet e fjetjes, por jo më shumë se 25 000 (njëzet e pesë mijë) lekë në muaj, përballohen nga vetë institucioni urdhërues, deri në momentin e sigurimit të një banese.

VII. Studentët dhe nxënësit, si dhe trupa shoqëruese pedagogjike, që kryejnë praktika mësimore, ekspozita apo veprimtari, jashtë qendrës së institucionit arsimor publik, nuk përfitojnë dietë. Shpenzimet e udhëtimit dhe të fjetjes së tyre përballohen nga institucionet përkatëse të arsimit, sipas dokumenteve përkatëse tatimore, të përcaktuara në pikën IV, të këtij vendimi.

Ndërkohë, vendimi nr.228, datë 13.4.2001, i Këshillit të Ministrave, “Për dietat e nëpunësve që dërgohen me shërbim jashtë vendbanimit të tyre”, të ndryshuar, si dhe çdo vendim apo akt tjetër, që bie në kundërshtim me këtë vendim, shfuqizohen.

e.r/NOA

KOMENTE